Kina dhe Lidhja Arabe nxitin zbatimin e shpejtë të rezultateve të samitit kino-arab
2023-01-16 21:44:35

Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang (i dyti majtas) zhvillon bisedime me sekretarin e përgjithshëm të Lidhjes Arabe Ahmed Aboul Gheit (i dyti djathtas) në Kajro të Egjiptit, 15 janar 2023. / “Xinhua”

Gjatë takimit të tyre në kryeqytetin e Egjiptit Kajro, Qin Gang-u e vlerësoi mbajtjen me sukses të samitit muajin e kaluar si një moment historik në zhvillimin e lidhjeve kino-arabe në epokën e re.

Kina është e gatshme të punojë me shtetet arabe për të zbatuar rezultatet e samitit mbi bazën e frymës së miqësisë kino-arabe dhe të përshpejtojë zbatimin e tetë nismave kryesore të bashkëpunimit të propozuara në samit, për të sjellë përfitime për të dy palët, tha Qin.

Nismat përfshijnë fusha si përkrahja e zhvillimit, siguria ushqimore, shëndeti publik, risitë e gjelbra, siguria energjetike, dialogu ndërmjet qytetërimeve, zhvillimi rinor dhe siguria e stabiliteti.

Pala kineze vlerëson respektimin prej palës arabe të parimit të “Një Kine” dhe mbështetjen e saj për qëndrimet e ligjshme të Kinës, vuri në dukje kryediplomati kinez. Kina gjithashtu përkrah fuqimisht luajtjen prej Lidhjes Arabe të një roli më të madh në nxitjen e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe eksplorimin e pavarur nga vendet arabe të rrugëve të tyre të zhvillimit dhe zgjidhjen e çështjeve të sigurisë rajonale nëpërmjet bashkëpunimit e bashkërendimit.

Ai ritheksoi gatishmërinë e Kinës për të forcuar bashkëpunimin me Lidhjen Arabe për të mbrojtur bashkërisht të drejtat e interesat e ligjshëm të vendeve në zhvillim dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Gheit, nga ana e tij, theksoi se Samiti i 1-rë Kinë-Shtetet Arabe ishte një sukses i plotë.

Pala arabe e vlerëson zbatimin e efektshëm prej Kinës të konsensusit të samitit dhe është e gatshme të forcojë komunikimin me palën kineze për zbatimin njëra pas tjetrës të tetë nismave kryesore të bashkëpunimit, tha ai.

Gheit e falënderoi Kinën për mbrojtjen afatgjatë të drejtësisë në arenën ndërkombëtare, mbështetjen për zhvillimin e vendeve arabe dhe unitetin e Lidhjes Arabe dhe ndihmën që u ka dhënë vendeve arabe në luftën e suksesshme kundër pandemisë së COVID-19.

Ai mirëpriti thellimin më tej të bashkëpunimit arabo-kinez në fusha të ndryshme dhe nxitjen e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit rajonal. (Artan)