Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi një takim me shkrimtarë, studiues dhe lexues, me rastin e 79-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Fatos Kongoli.
Me shampanjë, verë dhe fjalë të bukura ia kanë uruar ditëlindjen miqtë e botës së tij të letrave, ndërsa nuk kanë munguar emocionet dhe kujtimet e tyre. Me karakterin e tij të mençur, gazmor, të qetë dhe të këndshëm në bisedat shpesh ekzistencialiste, Fatos Kongoli ka bërë shumë miq. Madje me ata më të afërmit i pëlqen të flasë në frengjisht, gjuhën që e vendos në vendin e dytë, pas shqipes.
Foto nga ATSH
Në takimin me miq, urimet janë të shumta. Shkrimtari Besnik Mustafaj, shprehet i lumtur që shkrimtari gëzon shëndet të plotë dhe feston ditëlindjen e tij të 79-të:
“Unë jam i gëzuar që shkrimtari Fatos Kongoli, pas asaj peripecie shëndetësore që kaloi para pak vitesh, është mirë me shëndet, mirë me mendje”, u shpreh ai.
Ndërsa shkrimtarja Mimoza Ahmeti vlerëson shkrimtarin për gjykimin e tij të prehtë dhe të urtë në përballje me situata të ndryshme:
“Janë dy raste të qarta që i mbaj mend, kur Fatosi me shumë urtësi, maturi, fliste për sistemin që kaluam, për tranzicionin, pa radikalizuar fare, gjë që e bën këtë autor një prezantues të urtë”.
Fatos Kongoli me miqte- foto Qendra Kombetare e Librit
Fatos Kongoli është një prej shkrimtarëve bashkëkohorë më të vlerësuar në letrat shqipe të pas viteve ’90. Ai vlerësohet për frymën e tij të re në prozë dhe temën ekzistenciale mbi fatin e njeriut në shoqërinë shqiptare. Megjithatë, rruga e tij e shkrimit nuk ka qenë aspak e lehtë:
“Lufta ime më e madhe ka qenë nëse ja vlen të shkruaj apo nuk ja vlen të shkruaj. E kam pasur tmerrësisht frikë lexuesin dhe më dukej sikur tallej në çdo frazë që shkruaja unë. Të shkruarit është vuajtja më e madhe, sepse të shkruarit është puna më e vështirë që mund të bëjë njeriu. Nuk e di sa gisht ka letërsia në këtë mes dhe sa gisht ka zoti, që më ka dhënë këto vite”, shprehet i emocionuar shkrimtari.
Ndërsa sot feston 79 vjetorin e lindjes, kjo nuk është vetëm një ditë feste e nostalgjie por edhe një moment reflektimi për çka ka jetuar. Por mosha për të është thjesht një numër, kur vjen puna te krijmtaria letrare që nuk ka ndalur.
Në vite letërsia ka ndryshuar dhe për shkrimtarin Kongoli ashtu duhet të ndodhë. Ndaj krijuesve të rinj ka qenë i vemëndshëm ku mes syresh dallon shumë të talentuar. Por letërsia sipas tij nuk është vetëm pasion.
Nga ceremonia e ditelindjes ne QKL - foto QKL
Fatos Kongoli lindi më 12 janar 1944 dhe sot është një ndër shkrimtarët më të rëndësishëm shqiptarë të pas viteve ’90. Kongoli ka studiuar për matematikë, pjesërisht në Pekin e pjesërisht në Tiranë. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetar letrar dhe redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Është autor i një numri të madh librash si: “Lëkura e qenit”, “Dragoi i fildishtë”, “Ëndrra e Damokleut”, “I humburi”, “Te porta e Shën Pjetrit”, “Bolero në vilën e pleqve”, “Jetë në kuti shkrepëseje”, e shumë të tjerë.
Vepra e tij nëpërmjet një gjuhe të elaboruar dhe një mozaiku të plotë karakteresh, ka arritur të shpërfaqë dhe të shpjegojë krizën e njeriut modern.
Ka dhjetra vepra të përkthyera në gjuhë të tjera të botës dhe çmime ndërkombëtare.“Lëkura e qenit” apo “Iluzione në sirtar” mbahen me shumë mënd nga lexuesit. Ndërsa me “Gënjeshtarë të vegjël” ishte autori i vitit në dy panaire ndërkombëtare të librit. Romani më i fundit është “Misteri i mjellmës”. Është autor i mbi 20 librave, ndërkohë që mban titullin "Mjeshtër i Madh".
Neritana Kraja