Pastrimi i plazheve më të rëndësishme në Shqipëri do të sigurohet nga qeveria për vitin 2023
2023-01-16 14:46:20

 

Foto:RTSH

Bashkive Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, për vitin 2023, do t’u sigurohet shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare. Ky është vendimi më i fundit i marrë nga qeveria, me propozim të Ministrisë të Turizmit, lidhur me sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës bregdetare, që do të kryhet nëpërmjet ofrimit të shërbimit të pastrimit gjatë sezonit turistik, bën të ditur “RTSH”.

Lidhur me këtë vendim janë publikuar edhe hartat, të cilat përcaktojnë zonat ku do të sigurohet pastrimi i zonave bregdetare, në të cilat përfshihen plazhet nga më të rëndësishmet në Shqipëri, si Dhërmiu, Jala, Ksamili, Lalzi, Palasa, Llamani, Livadhet, Qeparo etj.

Sipas relacionit që shoqëron këtë vendim, “zonë bregdetare” konsiderohet territori që përfshin vijën bregdetare, bregun e detit, zonën urbane përreth bregut të detit, deri ku kufizohet me rrugën kombëtare.

Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare kryhet në mbështetje dhe plotësim të shërbimit të ofruar nga organet kompetente të qeverisjes qendrore apo të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe nuk prek kompetencat e tyre të përcaktuara, sipas legjislacionit në fuqi.

Agjencia Kombëtare e Bregdetit lidh marrëveshjen përkatëse, pjesë e së cilës është edhe plani i pastrimit të territorit, me organet kompetente të qeverisjes qendrore apo njësitë e vetëqeverisjes vendore për sigurimin e mbështetjes dhe plotësimit të shërbimit të pastrimit të zonës bregdetare, vetëm për periudhën e specifikuar në këtë vendim.

Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare sigurohet për periudhën 15 qershor deri më 15 shtator. Sigurimi i shërbimit të pastrimit të zonës bregdetare bëhet nga Agjencia Kombëtare e Bregdetit, duke zbatuar legjislacionin në fuqi për prokurimin publik. (Elona)