Piramida e Tiranës, një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë për 2023-shin
2023-01-16 15:43:18

Foto: ATSH

Transformimi i Piramidës në Tiranë vlerësohet si një nga 12 projektet më të mira arkitekturore në botë.

Revista e njohur në fushën e arkitekturës “Dezeen” ka përfshirë edhe Piramidën, ku mijëra të rinj presin që të mësojnë gjuhët e kodimit, duke marrë një profesion të sigurt për vendin e punës, bën të ditur “ATSH”.

“Studioja “MVRDV” ka disa projekte për të përfunduar në vitin 2023, por një nga më të pazakontat është riparimi i një piramide të viteve 1980 në Tiranë. Ndërtesa e amortizuar, e njohur si Piramida e Tiranës, do të rihapet si një qendër rinore, e cila përmban studio dhe klasa për të rinjtë shqiptarë”,- thuhet në shkrim.

Institucioni arsimor “TUMO Tirana” do të drejtojë Piramidën pas rinovimit të saj. Ai do të ofrojë programe arsimore parashkollore për 12-18-vjeçarët, si robotika, animacioni, zhvillimi i lojërave, muzika dhe filmi. (Elona)