Suedia përuron kompleksin e parë të lëshimit të satelitëve në Evropë
2023-01-16 15:07:39

Foto: VCG

Porti hapësinor “Esrange”, kompleksi i parë i nisjes orbitale të Evropës në kontinent, u përurua në Qendrën Hapësinore Esrange në Suedinë veriore.

Ceremonia e përurimit u ndoq nga mbreti Carl XVI Gustaf, kryeministri Ulf Kristersson dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të cilët së bashku prenë shiritin.

Për Evropën, objekti i ri i nisjes orbitale në “Esrange” është një aset kritik i shumëpritur. Sot, vetëm dhjetë vende në botë janë të afta të lëshojnë satelitë. “Spaceport Esrange” do të ofrojë një portë të pavarur evropiane në hapësirë, duke plotësuar dhe forcuar aftësitë aktuale evropiane në Guajanën Franceze, bëri të ditur në një njoftim për shtyp Korporata Suedeze e Hapësirës (SSC), citon “Xinhua”.

“Ky kompleks i ri lëshimi do të kontribuojë në krijimin e një themeli për një Evropë elastike në hapësirë. Konstelacionet e reja satelitore në orbitë, aftësitë reaguese të lëshimit dhe zhvillimi i raketave të ripërdorshme do të mundësojnë një Evropë të sigurt, konkurruese dhe të qëndrueshme”,- deklaroi Stefan Gardefjord, shef ekzekutiv i SSC-së. Sipas Korporatës Suedeze të Hapësirës, lëshimi i parë i satelitit pritet të bëhet në fund të vitit 2023. (Elona)