Dhjetor, frenohet rritja e çmimeve. Inflacioni 7.4%
2023-01-16 17:33:53

Inflacioni në muajin dhjetor të vitit të kaluar shënoi rënie sipas raportit të publikuar nga Instituti Shqiptar i Statistikave.

Sipas shifrave, në dhjetor inflacioni i çmimeve ishte 7.4%, duke shënuar një zbutje të ritmeve të rritjes për të tretin muaj radhazi nga 8.3% në tetor dhe 7.9 për qind në nëntor. Indeksi i Çmimeve të Konsumit në muajin Dhjetor 2022, arriti 111,4 kundrejt muajit Dhjetor 2020. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhejtor 2022 ishte 7,4 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 3,7 %.

Tendenca e inflacionit (Foto INSTAT)

Tendenca e inflacionit (Foto INSTAT)

Çfarë ka ndikuar në ndryshimin e inflacionit?

“Krahasuar me muajin Dhjetor 2021, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 14,2 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,5 %, “Transporti” me 6,0 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,5 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,2 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,8 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,8 %, “Shërbimi arsimor” me 2,3 %, “Komunikimi” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 1,3 % secili dhe “Shëndeti” me 1,1 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me me 25,4 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 21,8 %, “peshk” me 15,7 %, “bukë dhe drithra” me 15,3 %, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 15,0 %, “mish” me 13,2 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 11,8 %, “- thuhet në raportin e INSTAT.

Çmimet (Foto INSTAT)

Çmimet (Foto INSTAT)

Sipas INSTAT, këto janë ndryshimet vjetore të grupeve kryesore ku vërehet se çmimet e ushqimeve janë shtrenjtuar më shumë në fundvit për qytetarët.

“Rritja vjetore e çmimeve në muajin Dhjetor është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,98 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,54 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,48 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me +0,36 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,28 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,24 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,19 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,15 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Shëndeti” me +0,05 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Komunikimi” me +0,04 pikë përqindje.Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” +0,03 pikë përqindje.”- sipas publikimit të  INSTAT

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperise )

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko (Foto Banka e Shqiperise )

Ndërsa krahasuar me nëntorin ndryshimet mujore të grupeve janë:

“Çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 1,5 %, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 0,5 %, “Shërbimi arsimor” me 0,4 %, “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,3 % secili, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Komunikimi” me 0,2 % secili. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 2,8 %, pasuar nga grupet “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Shëndeti” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,1 % secili”, thekson raporti.

Teksa foli edhe për inflacionin, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko tha se “Politikat monetare dhe fiskale duhet të koordinohen për të kontrolluar inflacionin”. Deklarata Sejko i bëri ndërsa ndoqi punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL), një aktivitet I përvitshëm që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj. Gjatë këtij paneli, guvernatorët diskutuan mbi disa çështje kryesore të aktualitetit ekonomik: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e shpejtë e inflacionit dhe reagimin e bankave qendrore ndaj tij; koordinimin e politikave monetare e fiskale midis autoriteteve; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen përpara ekonomive në zhvillim nga realiteti i ri ekonomik e gjeopolitik.

Guvernatori Sejko në takim (Foto Banka e Shqipërisë)

Guvernatori Sejko në takim (Foto Banka e Shqipërisë)

Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e krizave të viteve të fundit. Ai u shpreh se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizimi të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2022, duke e rritur normën bazë të interesit nga minimumi historik prej 0.5% në fillim të vitit, në nivelin 2.75% në fund të tij.

“ Detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të huaja të ofertës, si rritja e çmimeve në tregun e huaj, goditje e cila buroi nga agresioni i papritur ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës dhe që kërcënoi stabilitetin e çmimeve kudo në botë. Regjimi i politikës monetare të aplikuar nga Banka e Shqipërisë, ai i shënjestrimit fleksibël të inflacionit  ofron diskrecionin e duhur në vendimmarrje, për sa kohë ai mban parasysh si objektivin final të stabilitetit të çmimeve, ashtu dhe nevojën për zbutjen e pasojave të goditjes në ekonomi.”- u shpreh Guvernatori Sejko.

Në vijim, Guvernatori shtoi se ruajtja e stabilitetit financiar kërkon përfshirjen e vazhdueshme dhe aktive të aktorëve të tjerë institucionalë. Ai theksoi nevojën e koordinimit ndërmjet politikave monetare dhe fiskale. Në tërësi, këto politika duhet të jenë në koordinim me njëra–tjetrën, duke synuar kontrollin dhe kthimin në objektiv të inflacionit, me një kosto sa më të ulët mbi aktivitetin ekonomik. Në këtë kontekst, sipas Sejkos konsolidimi fiskal në Shqipëri ka shkuar në linjë me normalizimin e politikës monetare. Megjithatë, brenda hapësirave të saj, politika fiskale ka pasur një rol parësor për zbutjen e ndikimit të goditjes në ekonominë shqiptare.