Studimi: Aksesi i lehtë te armët rrit rrezikun që fëmijët të bëhen agresorë në SHBA
2023-01-16 14:59:00

Foto: Visual People

Fëmijët në Shtetet e Bashkuara po ndikohen nga dhuna me armë e përshkruar në media dhe aksesi i lehtë ndaj armëve të zjarrit në shtëpitë e tyre, gjë që shpjegoi tragjedinë e një nxënësi të klasës së parë që qëlloi mësuesin e tij në Virxhinia, sipas një analize të botuar së fundmi.

Në një artikull të publikuar nga rrjeti mediatik “Conversation”, Brad Bushman, profesor në Universitetin Shtetëror të Ohajos dhe Dan Romer, drejtor kërkimi nga Universitetin e Pensilvanisë, shtjelluan faktorët në lidhje me mënyrën se si një fëmijë në Shtetet e Bashkuara bëhet agresor.

Studiuesit thanë se aktet e dhunës me armë në filma janë trefishuar në 30 vitet e fundit, bën të ditur “Xinhua”. Ata paralajmëruan se pamjet e dhunshme në media mund t'i bëjnë fëmijët të përfshihen në sjellje më të rrezikshme nëse gjejnë një armë të vërtetë, duke rritur mundësinë që ata të imitojnë sjelljet agresive që shikojnë dhe t’i konsiderojnë normale.

Përveç kësaj, ata vunë në dukje gjithashtu se Shtetet e Bashkuara kanë shumë më shumë armë në pronësi civile për frymë se çdo vend tjetër në botë, me 120.5 armë për 100 banorë.

Fëmijët janë natyrshëm kureshtarë dhe të rriturit shpesh nënvlerësojnë aftësinë e tyre për të gjetur armë të fshehura në shtëpi, thanë studiuesit.

Çdo vit, më shumë se 300 persona në Shtetet e Bashkuara plagosen ose vriten nga të shtënat e paqëllimshme nga fëmijët. (Elona)