Jetmir Troshani, fotografi i botës së egër
2023-01-16 17:41:20


Jetmir Troshani me grupin e fotografeve 

Fotografi i njohur shkodran Jetmir Troshani punon si menaxher projektesh dhe pedagog në Universitetin e New Yorkut në SHBA. Ai është shumë i apasionuar pas fotografisë së jetës së egër ku ka realizuar dhe disa ekspedita në vende të ndryshme të botës. Ai nuk e harron në asnjë moment vendlindjen e tij, duke u munduar  që sa më shumë ta promovojë florën dhe faunën shqiptare. Gjatë karrierës së tij ai ka realizuar shumë fotografi të bukura të shpendëve dhe kafshëve të egra në vende të ndryshme. Në një intervistë për Radio Ejani Jetmiri tregon për dashurinë dhe pasionin që ka për natyrën dhe botën e egër, ekspozitat që ka realizuar si dhe projektet në të ardhmen.  

Jetmir Troshani

CMG: Kush është Jetmiri dhe si u lidh me fotografinë e jetës së egër?

Jetmir Troshani: Unë kam lindur në Shkodër dhe në vitet rinore emigrova në SHBA, ku kam mbaruar shkollën e lartë me fokus mediat e reja si dhe masterin për menaxhim. Sot punoj si menaxher projektesh në universitetin publik të New Yorkut ku jap mësim në tre klasa të ndryshme si lektor në fushën e dizenjos, kompjuterave dhe teknologjisë së biznesit. Në rrafshin e fotografisë gjithmonë kam vënë re tërheqjen ndaj natyrës. Në fakt mendoj se të gjithë njerëzit janë rrokur njësoj prej saj. Nuk është e çuditëshme se përse ndihemi kaq mrekullisht bukur kur jemi afër kafshëve, shpendëve apo detit, malit, pyllit, pra afër natyrës. Ne jemi pjesë e saj dhe lidhja është një sinkron i pavullnetshëm mendoj. Atëhere duke identifikuar këtë lidhje të thellë timen me natyrën vendosa të lëvroj këtë lloj fotografie.

Fillimet e mia datojnë në vitin 2017 duke fotografuar si fillim lule ose zogj rreth vendit ku jetoja, ku më vonë me hapjen e një grupi në Facebook, një iniciativë shqiptare për të dhënë kontributin në këtë zhanër fotografie filloi një angazhim edhe më i madh me fotografimin e jetës së egër gjithmonë në sferën e hobit. Mendoj se hobi ka forcë të të nxjerrë nga zhurma e përditshme dhe të jep mundësinë për të bërë diçka që dëshiron dhe e ke pasion. Nga kjo perspektivë hobi i fotografisë së jetës së egër mua më ka dhënë një arratisje mendore të faqes së brendshme, të ndenjurit afër natyrës, duke fotografuar jetën e egër kupton se ndjen një pasuri të pashtershme shpirtërore. Unë natyrës i jam bërë një ambasador promovimi, duke i dhënë zë krijesave pa zë nëpërmjet fotografisë time dhe kontributit ekipor me miq që ndajmë të njëjtën filozofi.

CMG: Çfarë është fotografia e jetës së egër?

Jetmir Troshani: Faktikisht është hera e parë që më takon t’i përgjigjem kësaj pyetje sepse gjithmonë flasim më sipërfaqësisht për këtë lloj  fotografie. Unë dua të them se për mua fotografia e jetës së egër është një zhanër artistik fotografik, i cili nëpërmjet shkrepjeve ndan momente në kohë të gjallesave që jetojnë në habitatet e tyre natyrore si në pyll, mal, liqen, det, mbi ujë apo nën ujë. Kjo fotografi përfshin imazhe të kafshëve ose shpendëve në veprim, ndërveprim, lëvizje ose fluturim. Një fotografi aspirues të fotografisë së jetës së egër i duhet një njohuri e mirë e sjelljes së subjektit, habitatit dhe veçoritë të krijesave që fotografon, duke mbajtur një etikë të lartë në mos besdisjen gjatë momenteve të fotografimit. Gjithashtu ky lloj fotografi jo vetëm që duhet të jetë i aftë në teknikat e avancuara fotografike, por edhe në përdorimin e pajisjeve të ndryshme fotografike si objektiva, kamera, dritat dhe adaptorë të tjerë. Unë mendoj se kurimi cilësor i fotografisë që lëvrojmë e bën këtë gjë tejet unik, duke e shndërruar fotografinë e jetës së egër në një lidhje artistiko-organike mes njerëzve dhe natyrës.

CMG: Cilat kanë qenë sfidat e fotografimit të jetës së egër?

Jetmir Troshani: Në të gjitha nivelet e kësaj lloj fotografie sfida është shumë e madhe, si nga shtrenjtësia e lenteve ose kamerave që mund të kesh si dhe mësimi. Unë vetë kam studiuar rreth dy vjet vetëm për këtë fotografi, por jo vetëm kaq. Ne kemi shkuar nëpër vende të ndryshme si Kenia, Rumani dhe vende të tjera ku duhet të prisnim ndoshta dhe me orë të tëra për të ardhur një subjekt që ne prisnim për ta fotografuar. Sfida të tjera kanë qenë ku me një mikun tim fotograf nga Peja shkuam në Bullgari për të fotografuar shqiponjën e malit, shqiponjën e flamurit, dhe kemi qëndruar gjithë natën në të ftohtë në një vend, duke pritur deri të nesërmen në mëngjës për të fotografuar këtë simbol tonin kombëtar. Pra ka sfida të gjithanshme.

Jetmir Troshani me fotografe te tjere

CMG: Keni pasur momente ku ju është rrezikuar jeta gjatë fotografimit të kafshëve të egra në Kenia?

Jetmir Troshani: Në këtë vend kuptova që turizmi i fotografisë së jetës së egër është prej disa vitesh dhe ata ishin profesionistë të fushës. Të them të drejtën gjithçka ishte e mirë organizuar dhe do të thoja se kushdo që ka dëshirë të shkojë në Kenia duhet të ketë një plan paraprak shumë të mirë dhe të menduar mirë sepse atje kuptova që guida që ti do të kesh duhet të jetë shumë i ditur përsa i përket vendit ku shkon. Një nga gjërat që na thanë ishte që mos të dilnim asnjëherë prej makine. Gjatë qëndrimit tonë 7-8 ditë atje ishim gjithë ditën duke fotografuar dhe kishte shumë rregulla, ku dhe guida që të merr duhet t’i dinte të gjitha. Ne patëm një eksperiencë shumë të mirë sepse kishim një guidë shumë profesionale, dhe kjo mbetet një nga eksperiencat më mbresëlënëse. Unë kam mbetur i habitur atje nga pasuria natyrore, por nga ana tjetër edhe varfëria njerëzore, dhe kjo më ka bërë një përshtypje shumë të madhe.

CMG: Flasim për fotografimin e shpendëve në Liqenin e Shkodrës, ku ju keni pasur dhe një ekspozitë me këto fotografi në Shkodër. Si arritët të realizonit këto fotografi me shpëndët e këtij liqeni?

Jetmir Troshani: Unë në periudhën e pandemisë kam qëdruar pothuajse një vit e gjysmë në Shkodër. Kam pasur fatin që u ndala në dy shpendë atje që janë shumë të veçantë, i pari quhet dallëndyshja e detit faqebardhë që është vetëm në liqenin e Shkodrës, gjë që e bën unik në rajon dhe pelikanin kaçurrel. Duke qëndruar në Shkodër unë kuptova se nga një anë ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm për t’i bezdisur ato dhe ka qenë një eksperiencë shumë e bukur. Kemi bërë disa ekspozita, workshop-e etj.

CMG: Cilat janë disa nga projektet që keni realizuar si dhe ekspozitat gjatë karrierës suaj?

Jetmir Troshani: Për të avancuar fotografinë e jetës së egër, personalisht kam inicuar në bashkëpunim tre platforma në rrjetet sociale. Platforma e parë titullohet “Albanian Wild Life”, e cila ka për qëllim rritjen e cilësisë së fotografisë së jetës së egër nga fotografë shqiptarë kudo ndodhur nëpër botë. Platforma e dytë titullohet “Wild Life Europe” si një hapësirë përbashkuese e fotografëve nga Europa si dhe platformën e tretë me emrin “Wild Life World Photografers” si një hapësirë për të krijuar një rrjet global, në këtë rast të fotografëve të këtij zhanri. Për të folur më specifikisht vetëm në vitin 2022 kemi shkuar në disa ekspedita si në Kenia, Rumani, Shqipëri dhe së fundi në Spanjë, ku sapo jemi kthyer. Gjithashtu si ekip kemi realizuar kalendarin e vitit 2023, ku pjesëmarrrja e 12 fotografëve shqiptarë nga të gjitha trevat bëri të munduar krijimin e një forme tjetër promovuese të gjalesave që fotografojmë.

Viti 2022 u mbyll me një ekspozitë e quajtur “Wild Ekspo” në teatrin “Migjeni”, ku koncepti i saj ishte promovimi i habitateve ballkanike dhe pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin 30 fotografë, 24 prej të cilëve ishin të huaj. Në nivel personal kam realizuar një bllok shënimesh me kopertinë një nga fotot e pelikanëve kaçurrel që e kam realizuar në Liqenin e Shkodrës, dhe pasi mora përshtypje konstruktive nga blerësit e këtij blloku shënimesh mendoj ta përditësoj në përmirësim atë duke ardhur në edicionin e radhës këtë vit. Dua të theksoj gjithashtu që ekspeditat tona ngrejnë ndjenjat e aktivistit ndër ne, ku në Kenia përveçse fotografuam kafshësh të egra, përcjellim edhe mesazhin e mbrojtjes së lumit Vjosa, duke bërë foto me banorët vendas, një miniklip promovues që shëtiti rrjetet sociale.

Jetmir Troshani ne Kenia

CMG: Çfarë kënaqësia ndjen si mësimëdhënës në këtë zhanër fotografie?

Jetmir Troshani: Unë kam që në vitin 2009 që jap mësim, ndërsa kohët e fundit kam filluar me dhënë dhe workshope të fotografisë njerëzve që janë të lidhur shumë me natyrën. Është shumë interesant fakti që mund të lëvrosh shumë fotografi, por në njëfarë mënyre për shumë njerëz kur fillojnë të merren me fotografinë e jetës së egër është ndalesa e fundit dhe është një kënaqësi sepse kjo lloj fotografie sikur nuk ka fund në mësimin e saj. Kështu që kam pasur fatin dhe kënaqësinë që ta lëvroj, madje një nga ëndrrat e mia është që të hap një universitet online, ku njerëzit jo vetëm të mësojnë fotografinë, por të mësojnë fotografinë e natyrës dhe jetës së egër dhe shpresoj që në të ardhmen të bëhet realitet.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.

Jetmir Troshani: Ju përshëndes të gjithëve. Gjatë këtyre viteve që unë merrem me fotografinë e jetës së egër kam pasur një mbështetje të jashtëzakonshme, sikur dhe kjo intervistë ka qenë mbështetja e mikut tonë të përbashkët Raif Hyseni. Unë shpresoj që të ketë dhe njerëz të tjerë, që nëpërmjet fotografisë time të përçojnë mesazhin e madh të mbrojtjes për natyrën. Ju falenderoj shumë.

Intervistoi: Gazmend Agaj