Valentin Markvukaj në intervistë pë CMG
Grupi muzikor “Djemtë e detit” përgjatë dy dekadave ka krijuar këngë hite, fitues të disa çmimeve në festivale,duke fituar zemrat e publikut. I krijuar në vitin 1989 në qytetin e Lezhës, pjesë e grupit kanë qenë Flamur Toska, Bujar Daci, Shkëlqim Rustia, Shkëlqim Metaj dhe Valentin Markvukaj, duke nisur koncertet e para në këtë qytet. Në dhjetor të vitit 1997, “Djemtë e Detit” marrin pjesë në Festivalin e 36-të në RTSH me këngën "Mos qaj", ku fitojnë çmimin "Interpretuesi dhe grupi më i mirë", këngë e realizuar me muzikë nga Bujar Daci, tekst nga Gentjan Demaliaj dhe orkestrim nga Valentin Markvukaj. Në po të njëjtin vit ata realizuan albumin muzikor me titullin “Izolimi vdes”, i cili pati mjaft sukses. Në dhjetor 1998, “Djemtë e detit” marrin pjesë në Festivali i 37-të në RTSH me këngën "Kohë pa ty", ku fitojnë çmimin "Interpretuesi më i mirë" si dhe çmimin special "Kënga më e mirë", akorduar nga Ministria e Kulturës, me muzikë dhe orkestrim nga Valentin Markvukaj dhe tekst nga Gentjan Demaliaj.
Një tjetër sukses ishte dhe ai i vitit 2002, ku grupi “ Djemtë e Detit” marrin pjesë në “Mikrofoni i Artë 2002” me këngën "Jo tani", ku fitojnë çmimin e parë "Mikrofoni i artë" me muzikë dhe orkestrim nga Valentin Markvukaj dhe tekst nga Gent Demaliaj. Albumi i dytë “Epos” pa dyshim që është një ndër albumet më profesionalë të realizuara nga një grup rroku në Shqipëri. Është një album ku teknika, melodia, zëri dhe koncepti kurorëzohen në maksimum. Pas një shkëputje disa vjeçare, grupi “Djemtë e Detit” u rikthyen për publikun në vitin 2012 në spektaklin e Tv Klan, “100 vjet muzikë”, që ishte dhe dalja e tyre e fundit si grup muzikor. Pas ndarjes nga jeta disa vite më parë e solistit Gentjan Demaliaj , në muajin e ftohtë të janarit 2015, grupi ndaloi interpretimin. Por fundviti 2022 risolli grupin “Djemtë e Detit” pranë publikut, me materialin më të ri muzikor të titulluar "Për një lot". Në një intervistë për Radio Ejani kompozitori dhe solisti tashmë i grupit Valentin Markvukaj, na tregon për këtë rikthim, si dhe për të rejat që do të ketë grupi “Djemtë e Detit” në vazhdim.
Valentin Markvukaj (Foto nga facebook )
CMG: Kënaqësi që të kam sërish në programin “Muzika Shqip” për të folur për projektin më të ri muzikor.
Valentin Markvukaj: Patjetër është kënaqësi!
CMG: Valentin, rrokerët ecin përherë kundër rrymës, në këtë rast , të gjithë ikin ndërsa ti kthehesh. Gjithmonë artistët e rrokut janë revolucionarë, po tashmë grupi vjen me këngën më të re "Për një lot". Si lindi ideja e rikthimit?
Valentin Markvukaj: Gjatë gjithë kohës fansat ose dashamirësit e muzikës na shkruanin që të riktheheshim me diçka të re. Isha gjatë verës në Shqipëri në një turne me familjen dhe aty e kuptova se ka ardhur koha për diçka të re, se pas ikjes nga jeta e Gentjan Demaliaj, nuk kishim më dëshirë që të krijonim. Tani mendoj se ka ardhur koha që të vijmë me materiale të reja, pasi edhe publiku e ka kërkuar këtë gjë.
CMG: Ne në intervistën që kemi realizuar pak kohë më parë folëm pak, nëse do të kishte një rikthim për grupin, pas koncertit të zhvilluar në Amfiteatrin e Tiranës në koncertin e dedikuar Gentjan Demaliaj ku i gjithë publiku bashkë me mua është përlotur, ndërsa këndonte këngët e grupit “Djemtë e Detit”. Tashmë ju erdhët me këngën e re “Për një lot”, ndërsa djemtë e grupit ndodhen në skaje të ndryshme të botës, ti në Australi, njëri në Zvicër dhe tjetri në qytetin tuaj të lindjes në Lezhë. Si erdhi ky rikthim?
Valentin Markvukaj: Ne deri tani e kemi bërë karrierën tonë solo, ndërsa për rikthimin isha unë që kontaktova djemtë. Dhe në fakt ishte një mendim i përbashkët pasi Flamuri e Shkëlqimi ishin dakord. Unë e kam realizuar këngën në studion time në Australi dhe nëpërmjet teknologjisë është bërë i mundur realizimi i këngës edhe pse ne jemi larg njëri-tjetrit.
CMG: Të kemi parë si kompozitorin e grupit, ndërsa tani si këngëtar. Si ndihesh tani?
Valentin Markvukaj: Nuk është e lehtë të jesh frontmeni i grupit, pas një këngëtari si Gentjan Demaliaj. Unë kam kënduar edhe më herët, por në grup jam ndjerë mirë edhe me kompozimet, orkestrimet ndërsa tani me largimin e Gentit provuam të bënim një test.
Fatkeqësisht tani Gentin nuk e kemi më dhe meqënëse unë kendoj fatmirësisht mendova sa i përket projekteve që do të vijnë në vazhdim që edhe unë mund të këndoja këngët e reja, sepse ne nuk jemi grup që realizon një këngë, apo një hit veror, ne jemi grup që realizojmë albume. Ne do përfundojmë albumin e ri, që do të jetë albumi i tretë i “Djemve të Detit”. Ne patjetër që do të vijmë shumë shpejt me albumin e tretë.
Valentin Markvukaj (Foto nga facebook)
CMG: Po djemtë e tjerë pjestarët e grupit “Djemtë e Detit” si e pritën mometin kur vokalisti do ishe ti?
Valentin Markvukaj: Në fillimi kur ja prezantova idenë, por faktikisht ata kishin dëgjuar dhe projektet e mia më parë, pasi unë kam nis një album muzike dhe produksione dhe ata nuk më kanë dëgjuar të këndoj.
CMG: Sepse kam ndjekur një intervistë ku djemtë e grupit janë shprehur se nuk mund të gjenin një vokalist si Genti. Por në të vërtetë, ja ku ka qenë në mesin tuaj.
Valentin Markvukaj: Për të gjetur një vokalist si Genti me karizmën e tij stilin e tij është e vështirë, por tani në këtë rikthim mendova se erdhi koha që të riktheheshim dhe ja ku jemi me këtë material të ri muzikor. Për ne si profesionistë është e rëndësishme çfarë është e mirë e çfarë nuk është e mirë. Me këtë rikthim jemi të kënaqur me veten, por nëse pëlqehet edhe nga publiku kemi arritjen maksimale.
CMG: Ti ke mbaruar për dirigjim, por me largimin tënd në Austri e më pas në Australi ti ke kryer dhe fakultete të tjera, si inxhinier zëri, etj. Tani që je më i pjekur artistikisht, na trego si është jeta jote në Australi?
Valentin Markvukaj: Ishte kulmi i suksesit tonë ku unë nuk po shijoja kulmin e suksesit, ikja dhe vija, realizuam këngën e njohur “Kohë pa ty”, më pas ika në Australi për një periudhë më të gjatë. Gjithmonë i kam mbajtur lidhjet më shumë me Gentin, se sa me antarët e tjerë. Ikja nuk është e lehtë sidomos në Austri, pasi në fillim unë shkova për të studiuar e nuk njihja njeri, nuk e njihja gjuhën, nuk ishte e lehtë, por gjërat e mira nuk vijnë lehtë në jetë, duhet të luftosh që t’i kesh. U ambietova në një farë mënyre, pasi kisha rastin që të takoja dhe njerëzit e duhur në momentin e duhur.
CMG: Si e sheh sot me syrin e kritikës, duke qënë se ke studiuar edhe muzikë në Austri e Australi, duke e parë nga ana e perfeksionit, këngët "Mos qaj", "Kohë pa ty" etj, duke i krahasuar me materialin më të ri muzikor?
Valentin Markvukaj: Ndryshimi midis kompozimeve të vjetra dhe të reja është përsa i përket sound-it, ana e orkestracionit patjetër që është më e lartë, ka një pjekuri tjetër. Edhe albumi dytë “Epos” është më mirë se sa albumi i parë nga ana teknike, kompozicionale apo nga ana konceptuale, pra në tërësi është më i mirë se sa albumi i dytë, por dhe kënga "Për një lot" ëshë me një tjetër cilësi.
Valentin Markvukaj (Foto nga facebook)
CMG: Unë e shoh këngën "Për një lot" që nis pak si klasike, për të përfunduar më pas si rrok metal.
Valentin Markvukaj: Po është e vërtetë, me atë pianon e lehtë ashtu, por gjithmonë e dallon thellësinë, nuk është piano e pop-it, është piano “hard”, e cila ka fortësinë brenda dhe ky është stili jonë, unë nuk mund të dal nga stili, nuk mund të krijoj një stil tjetër, të paktën me "Djemtë e Detit" pasi ADN-ja e grupit është shumë e rëndësishme.
CMG: Ndërkohë, a kanë ndryshuar shijet me moshën?
Valentin Markvukaj: Kanë ndryshuar në kuptimin që më parë ishin kundrejt një rryme, tani dëgjon disa lloj stilesh, por në fund të ditës aty e ke shpirtin, madje edhe gjaku rrjedh rrok.
CMG: Meqënëse je rikthyer me grupin “Djemtë e Detit”, dua të di nëse materialet e tua muzikore a janë gati për të sjellë këngë të tjera?
Valentin Markvukaj: Janë disa këngë gati, ndoshta gjysma e albumit është e kompozuar.
CMG: Meqënëse ti gjithmonë ikën dhe vjen, por pasi të realizoni dhe sillni për publikun albumin muzikor, a na premton se do të vini me koncerte në Shqipëri për publikun shqiptar?
Valentin Markvukaj: Kënaqësia jonë është tek koncertet me publik, pasi koncertet live janë një kënaqësi tjetër. Shpresojmë që në të ardhmen të vijmë me koncerte live.
CMG:Do jesh përherë ti solist i grupit, apo ndoshta do eksperimentoni edhe me zëra të tjerë?
Valentin Markvukaj: Varet, e kam menduar por nuk e kemi planifikuar shumë seriozisht. Ka shumë zëra të mirë të muzikës rrok, ne jemi të hapur të bashkëpunojmë me çdo këngëtar, e rëndësishme është që të jetë sitli i grupit "Djemtë e Detit". E rëndësishme është që baza e muzikës, pavarësisht se zëri është i mirë, baza është ajo ura lidhëse mes grupit dhe publikut, por nuk besoj se do të kemi probleme në këtë drejtim.
CMG: Valentin, për sa kohë ke qëndruar në Shqipëri gjatë publikimt të këngës. E ke ndjekur dashurinë që publiku ka për ju si grup?
Valentin Markvukaj: Patjetër që unë nuk kam jetuar në Shqipëri për një kohë kaq të gjatë, madje edhe djali im që ka lindur në Australi, e ka ndjerë dashurinë e njerëzve për grupin “Djemtë e Detit”.
Valentin Markvukaj (Foto nga facebook)
CMG: Të pamë në skenën e Fest ’61, ku në netët e nostalgjisë, interpretuat bashkë me artistin konkurent, këngën e njohur "Mos qaj" nga “Djemtë e Detit”. Çfarë kujtimesh të erdhën në atë skenë?
Valentin Markvukaj: Ishte emocionale, më erdhën të gjitha kujtimet që kishim në atë skenë. Kemi shumë histori në atë skenë, por u ndjeva mire gjithësesi, koha kalon nuk është mirë që t’i lejmë gjërat të kalojnë. E mira është që ne të krijojmë, kjo është shumë e rëndësishme për ne.
CMG: Na trego për jetën tënde në Australi?
Valentin Markvukaj: Jeta ime është fare e thjeshtë. Kam studion timen të regjistrimit në Australi ku punoj me artistë të ndryshëm, jo vetëm nga Australia. Falë internetit kam mundësi të kompozoj apo të krijoj. Ndërsa më kanë pyetur; Pse nuk ke ardhur vetëm si solist, por ke ardhur me grup? Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse të vinim si grup muzikor, ka më shumë sens dhe meqënëse ne jemi pjestarët origjinal të grupit, kjo është arsyeja pse erdhëm si grup.
CMG: Jeta juaj familjare si është aty?
Valentin Markvukaj: Jemi të kënaqur, kemi dashurinë, që është gjëja më e rëndësishme në jetë. Gjërat më të mira në këtë botë janë falas. Njerëzit kohët e fundit kanë prirje më shumë ana materiale, por dashuria është mbi të gjitha. Jam i martuar dhe kam dy djem Amadeo 15 vjeç dhe Xhonatan 11 vjeç.
CMG: A kanë ata talent për muzikë?
Valentin Markvukaj: Nuk janë të pa talentuar, madje kam realizuar një këngë dhe një videoklip për ta. Por ata më shumë duan futbollin atë kanë pasion, por ndoshta pas disa vitesh ato mund të kthehen.
CMG: Mbrëmja e ndërrimit të viteve në përgjithësi të ka gjetur si shumë këngëtarë në punë duke interpretuar diku, apo me familjen?
Valentin Markvukaj: Festat e rëndësishme unë i kaloj me familjen, me nusen, dy fëmijët dhe prindërit, që i kam me vete në Australi.
CMG: Së fundi çfarë do i thojë në këto momente fansave që po të ndjekin?
Valentin Markvukaj: Do i falenderoja përzemërisht në emër të gjithë pjesëtarëve të grupit. Ju falenderoj që keni dëgjuar këngët tona, që na jepni aq shumë dashuri dhe është dashuria juaj që reflekton në po,zitivitet dhe në inkurajim për ne, në mënyrë që ne të krijojmë më shumë. Shpresojmë që në të ardhmen të vijmë me albumin e ri muzikor nga “Djemtë e Detit”.
Intervistoi: Sava Lena