Agjencia e OKB-së: 8 vitet e fundit janë më të ngrohtat në histori
2023-01-15 16:36:19

Temperaturat rekord (Foto Xinhua)

Temperaturat rekord (Foto Xinhua)

Nivelet e larta të gazit serrë dhe nxehtësia e akumuluar kanë bërë që tetë vitet e fundit të jenë më të ngrohtat e regjistruara, njoftoi Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).

Sipas të dhënave, viti 2022 ishte viti i tetë radhazi kur temperaturat vjetore globale arritën të paktën një gradë celsius mbi nivelet para industriale, shkruan “Xinhua”.

Marrëveshja historike e Parisit e vitit 2015 premtoi të mbante ngrohjen globale shumë nën 2 gradë celsius mbi nivelet para industriale dhe të përpiqej për një kufi më të ulët prej 1.5 gradë celsius.

Ndërkohë, Paneli Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimaterike (IPCC) ka nënvizuar se ngrohja globale duhet të kufizohet në 1.5 gradë celsius ose më poshtë.

Megjithatë, të dhënat e fundit të WMO-së kanë treguar se temperatura mesatare globale në vitin 2022 ishte rreth 1.15 gradë celsius mbi nivelet para industriale, ndërsa temperatura mesatare dhjetëvjeçare për periudhën 2013-2022 ishte 1.14 gradë celsius mbi nivelin bazë paraindustrial.

VCG

VCG

Kjo tregon se ngrohja afatgjatë vazhdon dhe gjasat për të shkelur përkohësisht objektivin prej 1.5 gradë celsius po rriten, bëri të ditur WMO-ja.

Ngrohja globale dhe tendencat e tjera afatgjata të ndryshimeve klimaterike pritet të vazhdojnë, sipas organizatës, për shkak të niveleve rekord të gazeve serrë që bllokojnë nxehtësinë në atmosferë.

Valët ekstreme të të nxehtit, thatësira dhe përmbytjet shkatërruese ndikuan miliona njerëz dhe kushtuan miliarda në vitin 2022, sipas raportit të përkohshëm të klimës globale për vitin e kaluar të organizatës. (Irma)