Vera Peci është këngëtare e muzikës popullore të trevës së veriut. Ajo ka studiuar në shkollën artistike “Preng Jakova” në qytetin e Shkodrës për fizarmonikë dhe ka kënduar që në vogëli. Vera vjen nga një familje me tradita patriotike nga rrethi i Pukës. Gjatë karrierës së saj muzikore ajo ka realizuar mjaft këngë popullore si dhe ka marrë pjesë në disa aktivitete artistike. Prej vitesh jeton bashkë me familjen në Suedi, duke pasur një shkëputje nga skena dhe publiku. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Vera tregon për karrierën e saj artistike si dhe projektet që dëshiron ti realizojë në të ardhmen.
Kengetarja Vera Peci (Foto personale)
CMG: Si kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore?
Vera Peci: Unë kam jetuar me muzikën sepse kam një jetë që kam nisur rrugën e muzikës, pavarësisht se nuk ka qenë në nivelet e larta për karrierë. Unë jam rritur me muzikën dhe ajo vazhdon të jetojë në jetën e përditshme. Kam mbaruar shkollën e muzikës për fizarmonikë, një instrument shumë i bukur por që nuk luaj më sepse problemet e jetës ma kanë ndërruar linjën e muzikës dhe është kthyer në një lloj tjetër muzike, por gjithësesi ka melodinë e vet edhe kjo që tingëllon bukur në momente të caktuara.
CMG: Kur ka qenë prezantimi juaj i parë në skenë para publikut?
Vera Peci: Unë kur erdhi demokracia dhe mbarova shkollën, u krijua njëfarë shkëputje si shumë artistë të tjerë dhe me modesti po e them që nuk jam futur në rrugën e karrierës për të ndjekur artin në rang të gjerë. Unë jam rikthyer në skenë pas një pauze të gjatë në vitin 2001 me spektaklin Sofra Krutane, ku në atë kohë organizoheshin koncertet e Vitit të Ri. Aty kam dalë në skenë për herë të parë pas një shkëputje prej shumë vitesh. Më përpara kam kënduar në skena të vogla në zona të vogla të qytetit të Pukës ku unë kam jetuar, pastaj kam vazhduar me disa koncerte të tjera të vogla.
Vera Peci (Foto personale)
CMG: Çfarë kanë të veçantë këngët pukjane nga këngët e zonave të tjera të veriut?
Vera Peci: Unë nuk mund të flas me gjuhën e specialistit për këtë zhanër, por si artiste shoh që këngët tona kanë shumë ritëm, janë të gëzueshme dhe tingëllojnë gjithmonë optimizëm brenda tyre.
CMG: Ju keni publikuar shumë këngë popullore si soliste, por a keni realizuar ndonjë duet me këngëtarë të tjerë?
Vera Peci: Nuk kam realizuar duete dhe ndoshta për faktin që kam qenë e shkëputur dhe nuk i jam përkushtuar ndonjëherë 100 për qind muzikës. Gjithashtu nuk kam pasur as mundësinë e kontakteve të mjaftueshme për të realizuar ndonjë duet, pavarësisht se është diçka shumë e bukur dhe do isha më e kompletuar po të kisha bashkëpunime.
CMG: Cilët kanë qenë bashkëpunëtorët tuaj në realizimin e materialeve muzikore?
Vera Peci duke realizuar nje nga videoklipet e saj (Foto personale)
Vera Peci: Këngën time të parë që kam publikuar dhe titullohet “Pleqëria” e ka kompozuar i ndjeri Françesk Radi. Pastaj kam vijuar me një këngë tjetër me Frankon dhe Selim Ishmakun. Këngët e tjera i kam realizuar me kompozitorin Alfred Kaçinari dhe nuk kam ndërruar më kompozitor.
CMG: Çfarë stili këngësh përmban repertori juaj muzikor
Vera Peci: Nuk i jam përmbajtur ndonjë stili të veçantë sepse unë muzikën dhe tekstet i kam bërë vetë në përgjithësi dhe është diçka që unë e ndjej brenda vetes dhe nuk mundohem t’i prështatem ndonjë stili. Në fakt mua më shkojnë gjithmonë baladat, që i nis duke qeshur dhe i përfundoj duke qarë.
CMG: Përveç muzikës ju keni pasion dhe letërsinë ku keni arritur të botoni dhe një libër. Si lindi dëshira për të shkruar?
Vera Peci: Nuk besoj se jam në rangun e shkrimtares sepse këto shkrime që unë kam bërë janë një prodhim i emigracionit. Kur emigron je larg njerëzve dhe ke një lloj patriotizmi të veçantë që njeriu nuk e di kurrë derisa provon largësinë prej të gjithë njerëzve që do. Në kushte të tilla të lindin pastaj dhunti të ndryshme që të gjitha kanë zënë një vend shumë të mirë, pavarësisht se nuk pretendoj se janë të nivelit të shkrimtarit, por kanë zënë një vend shumë të mirë. Unë kam kujtime, kam ato çfarë jetoj, veproj dhe ato që i vajtoj çdo ditë.
Vera Peci gjate realizimit te nje videoklipi (Foto personale)
CMG: Jetoni prej disa vitesh në Suedi. Si është jeta e një artisti në vend të huaj?
Vera Peci: Kurbeti ka plagët e veta dhe gjithkush mendon se të hapen dritaret e jetës kur emigron, por unë vetë kam mbyllur shumë dritare të adhurueshme të jetës time për shkakun që kam shkuar në emigracion. Emigrimi të ofron shumë mundësi në një drejtim të caktuar, por të cungon shumë ku ne që ikim në moshë madhore cungohemi më shumë me ëndrrat e jetës. Unë kam pasur dhe kushtet e jetës time familjare dhe probleme të tilla që më kanë bërë të shkëputem dhe mos të mendoj për punën e artit. Arti jashtë është shumë i vështirë, që ta mendosh në ato premisa se mund t’i realizosh në vendin tënd sepse këtu është komplet stil tjetër.
CMG: Ju mungon publiku i Shqipërisë?
Vera Peci: Unë kisha nevojë të dija që sa i mungoj unë publikut, por mua publiku shqiptar më mungon dhe sinqerisht është i pazëvendësushëm. Është diçka që shpirti vetëm aty pushon sepse është një gjë që duket krejt e jotja, prandaj më mungon dhe do të më mungojë gjithë jetën publiku shqiptar.
CMG: Keni menduar që një ditë t’i riktheheni jetës artistike në Shqipëri?
Vera Peci: Mendja për fatin e mirë punon në anë pozitive dhe ëndërron, por nuk e shoh mundësinë apo kushtet për të pasur një përqëndrim të fortë tek kthimi me muzikën në Shqipëri. Ndoshta për shkak dhe të konkurencës së madhe ose rrymat muzikore që po ndërrojnë çdo ditë. Unë për aq sa kam bërë art jam një natyrë që nuk dua t’i përshtatem shijeve të të tjerëve. Unë kam pasur gjithmonë tendencën të qëndroj brenda asaj që unë e dua dhe kjo ndoshta të dëmton pak sepse në Shqipëri po shihet që preferohet një lloj muzike që kurrë nuk ka qenë stili që mund ta kisha adhuruar vetë, pa përjashtuar që ka jashtëzakonisht art, artistë dhe talente shumë të mëdha. Trendi muzikor i ditëve të sotme është shumë i përzier me muzikën tallava.
Vera Peci.(Foto personale)
CMG: Fëmijët tuaj e kanë trashëguar muzikën nga ju?
Vera Peci: Djali i madh mundohet të këndojë këto stilet e muzikës moderne, por fëmijët kanë talent pikturën.
CMG: Keni në plan së shpejti të realizoni ndonjë këngë të re?
Vera Peci: Unë kam dëshirë por plane nuk mund të them sepse pandemia më prishi shumë plane. Unë kisha në plan të realizoja një projekt shumë të bukur vitin që kaloi dhe nuk e pata mundësinë, kështu që me plane nuk dua të eci, por kam shumë materiale muzikore dhe shpresoj që një ditë t’i realizoj.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Vera Peci: Ishte kënaqësi që mora pjesë në emisionin Bio Folk. Unë do të përshëndes me shpirt çdo dëgjues të kësaj radioje. Ju uroj suksese, mbarësi të gjithë shqiptarë kudo që jetojnë që ta duan veten në radhë të parë, por të duan dhe njëri -tjetrin është një gjë shumë e rëndësishme për ne.
Intervistoi: Gazmend Agaj