Ministri i Jashtëm kinez Qin Gang ndodhet që prej së hënës në një turne shtatëditor në Afrikë, i ftuar për të bërë vizita zyrtare në Etiopi, Gabon, Angolë, Benin e Egjipt, si edhe në selinë e Bashkimit Afrikan dhe të Lidhjes Arabe, duke vazhduar traditën 33-vjeçare të kryediplomatëve kinezë që vizitën e parë të vitit e zhvillojnë në Afrikë. Sipas analistëve, duke thelluar në mënyrë të gjithanshme bashkëpunimin në fusha të ndryshme, Kina dhe Afrika do të arrijnë më shumë rezultate dhe do të sjellin më shumë përfitime për popujt e tyre.
Vitin e kaluar, bashkëpunimi Kinë-Afrikë ka përparuar në mënyrë të qëndrueshme, duke arritur shumë suksese. Ndër to, një sërë projektesh të bashkëpunimit infrastrukturor dypalësh kanë arritur rezultate të kënaqshme. Më 21 dhjetor 2022 u zhvillua ceremonia e përfundimit të fazës së parë të Linjës Blu të Lagosit në Nigeri, hekurudha e parë e lehtë e elektrifikuar në Afrikën Perëndimore, e ndërtuar nga një kompani kineze. Një i ftuar të merrte pjesë në udhëtimin provë me këtë hekurudhë u tha gazetarëve se ai besonte se projekti do të përmirësonte shumë kushtet e udhëtimit të banorëve vendorë pasi të vihej në përdorim.
“Jam shumë i emocionuar. Kjo hekurudhë do ta zbusë shumë problemin e bllokimit të trafikut përgjatë itinerarit të saj. Ka edhe kondicionerë në tren, e mrekullueshme. Banorët e Lagosit do ta pëlqejnë këtë linjë, që është një arritje historike,” tha ai.
Në prill të vitit 2022 përfundoi dhe u vu në përdorim faza e tretë e projektit të trajtimit të ujit “Candelabro” në Angola, i ndërmarrë nga një kompani kineze. Ky projekt mund të sigurojë furnizim me ujë për mbi 2 milionë banorë në 10 rajone të kryeqytetit të Angolës, Luanda, duke lehtësuar në mënyrë efektive problemin e mungesës së ujit dhe duke forcuar zhvillimin e ekonomisë vendore.
Foto nga VCG
Përveç bashkëpunimit në fushat tradiconale, si ndërtimi i infrakstrukturës, edhe bashkëpunimi bujqësor Kinë-Afrikë ka qenë plot gjallëri. Në gusht të vitit 2022, sasia e parë e avokadove të freskëta afrikane të prodhuara në Kenia u eksportua zyrtarisht në Kinë, duke sjellë përfitime për bujqësinë vendore, veçanërisht për kultivuesit e avokados.
Angola, që ndodhet në Afrikën Jugperëndimore, është një treg i rëndësishëm i projekteve të kontraktuara nga pala kineze dhe ajo afrikane. Kina është partnerja më e madhe tregtare e Angolës, destinacioni më i madh i eksporteve dhe burimi më i madh i importeve. Në gjysmën e parë të vitit të kaluar, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë dypalëshe ndërmjet Kinës dhe Angolës ishte 14.49 miliardë dollarë, duke u rritur 33.2% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Vitet e fundit, Kina dhe Benini, një vend i Afrikës Perëndimore, kanë zhvilluar bashkëpunim në fushat e shëndetësisë, arsimit, industrisë, infrastrukturës, tregtisë, investimeve etj. Në vitin 2019, Benini dhe Kina nënshkruan zyrtarisht memorandumin e mirëkuptimit për ndërtimin e përbashkët të “Një brez, një rrugë”. Qendra e Beninit pranë Universitetit
“Jiaotong” të Chongqing-ut është një ndër qendrat për studime kombëtare dhe rajonale të regjistruara nga Ministria kineze e Arsimit. Shen Lin, drejtorja e kësaj qendre, që ka punuar në Institutin “Konfuci” pranë Universitetit “Abomey-Calavi” të Beninit për 5 vjet, tha se Kina dhe Benini kanë kryer një sërë aktivitetesh të rëndësishme në fushën e shkëmbimeve njerëzore-kulturore, duke ofruar një platformë më të pasur për shkëmbimet mes dy vendeve.
“Benini ka formuar një sistem të mësimdhënies së gjuhës kineze shumënivelësh, të larmishëm e të gjerë, nga shkollat fillore e të mesme në universitete, nga arsimi i lartë tek ai profesional. Ne besojmë se në të ardhmen, gjithnjë e më shumë beninas do të mësojnë kinezisht, gjë që do të sigurojë një platformë më të mirë për shkëmbimet ndërmjet Kinës dhe Beninit,” shtoi ajo.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Wang Wenbin tha se tani marrëdhëniet Kinë-Afrikë po zhvillohen fuqishëm dhe po hyjnë në një epokë të re të ndërtimit të një bashkësie me një të ardhme të përbashkët Kinë-Afrikë të nivelit të lartë. Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm Qin Gang në Afrikë, pala kineze do të ndjekë parimet e sinqeritetit e të miqësisë dhe konceptin e saktë për drejtësinë dhe interesat, do të çojë përpara frymën e miqësisë dhe të bashkëpunimit Kinë-Afrikë, si edhe do të punojë së bashku me palën afrikane për të nxitur zbatimin e arritjeve të mbledhjes së 8-të ministrore të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë, për të sjellë energji të reja për bashkëpunimin e gjithanshëm strategjik dypalësh. Lidhur me këtë, Zhu Weidong nga Instituti i Studimeve të Azisë Perëndimore dhe Afrikës të Akademisë Kineze të Shkencave Shoqësore, u shpreh se bashkëpunimi kino-afrikan mund të ketë perspektiva të gjera dhe të forcohet me kalimin e kohës, për shkak se të dyja palët gjithmonë ndjekin konceptin e drejtë të bashkëpunimit.(Fang Xiaoyu/Artan)