Arti nuk njeh kufi, është e vetmja mënyrë që i jep artistit mundësi për të çliruar veten nga të gjitha përgjegjësitë apo dëshirat që ai mund të ketë.
Piktorja Blerina Muça është nga nga artistet të cilat nuk e kornizojnë veten në art, por duan gjithmonë të zbulojnë diçka të re. Së fundmi për publikun ajo hapi ekspozitën “Diçka nuk shkon”. Kjo ekspozitë solli edhe njëhërë në vemendje thirrjen e jetës se asgjë nuk shkon sipas saj. Ne rrethohemi nga momente të cilat na bëjnë të kuptojmë që nuk shkon asgjë si kemi planifikuar apo dëshiruar. Blerina është nga ato artiste që nuk pret apo planfikon të sjellë art për publikun, por nxiton ta bëjë atë në momente të veçanta kur e kap veten të frymëzuar në çast. Për Radio Ejani ajo flet dhe tregon jetën e saj që prej fëmijërisë dhe gjërat që e kanë frymëzuar dhe shtyrë për të qenë ajo piktore e sukseshme.
CMG: Për të gjithë njerëzit, pikënisja e gjithçkaje është fëmijëria, si ka qenë ajo për ju?
Blerina Muça: Unë kam pasur fatin që të jem një fëmijë i rrethuar në çdo kohë me dashurinë që i duhet një fëmije për t’u rritur. Ky fat më ka përcjellë deri sot dhe vijoj ende të jem e rrethuar me bekime. Më kujtohet tani panorama e familjes sime, babai, nëna, motra dhe vëllai të cilët kanë qenë shoqëruesit e mi. Babai ka vazhduar për shumë kohë të bëjë kritikun e artit, duke dashur prej meje gjithnjë perfeksionin në të gjitha gjërat që kam bërë dhe që kanë pasur lidhje me artin. Ky për mua ka qenë fat sepse falë tij sot kam ndërtuar një botë të plotë dhe të gjallëruar nga emocionet artistike. Pastaj pjesa tjetër e familjes ka qenë përherë aty për të më treguar se rruga drejt lumturisë është vetëm rruga e dashurisë. Ka pasur dhe vijon të ketë një panoramë shumë të bukur jeta ime.
CMG: A është e vështirë të sundosh në tregun artistik?
Blerina Muça: Është një treg si gjithë të tjerët. Nëse duam të flasim për sukses të përhershëm ai nuk vjen sa hap dhe mbyll sytë, por duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i arritur dalëngadalë. Ndaj, nëse flas për vështirësi në treg fokusohem edhe tek koha. Unë kam pak kohë në këtë treg dhe pajtetër që sfidat do të jenë më të mëdha dhe si të tilla do më forcojnë edhe më tepër mua. Kam pasur dhe vijoj të kem fatin që të punoj e bashkëpunoj me njerëz të cilët më mbështesin dhe duan shumë jo vetëm mua si , por mbi të gjitha artin tim.
CMG: Ju keni sjellë ekspozitën “Diçka nuk shkon”, a ka dicka që nuk shkon sipas jush?
Blerina Muça: Patjetër që ka dhe gjithmonë do të ketë diçka që nuk shkon. Kjo është bindja ime që në nisje të kësaj ekspozite, por jo do të ndodhë gjatë gjithë jetës sepse ne nuk jemi perfektë dhe si të tillë do të na duhet të përballemi me këtë fakt. Shoqëria nuk është perfekte dhe nuk duhet ta kërkojmë këtë gjë. Duhet t’i përshtatemi një bote me momente që gjërat nuk shkojnë.
CMG: Cilët kanë qenë shtysat e tua më të mëdha që kjo ekspozitë të vinte në jetë?
Blerina Muça: Çdo gjë nis diku dhe unë e kam treguar edhe në punë apo bashkëpunime të tjera që kam një guxim dhe durim shumë të fortë. Prindërit e mi kanë një rol të madh në vendimet që unë marr, por mbi të gjitha vetja ime ka një rol gjithashtu. Unë pres, dhe guxoj fort për të arritur gjërat e mija në jetë.
CMG: Nëse një i ri apo e re do të dëshironte që në bazë të rrëfimit tuaj, të ndiqte rrugëtimin që ju jeni duke ndjekur, çfarë do t’i thoje?
Blerina Muça: Fillimish do t’i thoja që gjërat duhet t’i duash shumë fort. Asnjë gjë nuk mund të bëhet pa pasur dashurinë brenda saj. Ne jemi qënie me emocione dhe ndjenja dhe si të tilla duhet të fokusohemi tek dashuria për to. Për të bërë rrugën time duhet të mos dorëzohesh edhe nëse rrëzohesh jeta na mëson që ngrihesh edhe më i fortë. Le t’i japim jetës një buzëqeshje për të vazhduar përpara me sfida të reja, të cilat na rrisin çdo ditë.
CMG: Ju jeni produkt i punës apo ëndrrave tuaja?
Blerina Muça: Unë jam produkt i një ëndrre shumë të mëdhe, e cila më pas u pasurua më punë shumë të madhe.Punoj fort dhe ëndërroj shumë.
CMG: Cila është pyetja që i bën vetes në këtë çast?
Blerina Muça: U bë pak kohë që unë pyes veten: “Kush është cikli im i rradhës”? Pas mbarimit të ekspozitës: “Diçka nuk shkon”, unë mezi po pres që rinis diçka tjetër, e cila të më bëjë të ndihem po aq plot sa jam ndierë në këtë periudhë të bukur të jetës sime.
CMG: Cilat janë reflektimet më të mëdha që të ndodh të bësh?
Blerina Muça: Për veten më ndodh që të shoh dhe të dua të kuptoj se cfarë më pret në të ardhmen. E kap veten duke menduar për sfidat që kam kaluar dhe jetën që kam zgjedhur të bëj. Dua të përmirësoj çdo gjë në jetë ndaj dhe reflektoj shpesh.
CMG: Si po shkon ekspozita dhe a jeni ju brenda në prishtmërite tuaja?
Blerina Muça: Gjithçka po shkon mirë sepse unë e kisha ideuar në kokën time këtë gjë përpara se ta sillja për publikun. Kam sjellë një tjetër concept, i cili është pritur me shumë vëmendje nga ana e publikut.
CMG: Çfarë dojë t’i sillje publikut me këtë ekspozitë?
Blerina Muça: Doja të sillja idenë që “Diçka që nuk shkon”, ndodh kudo. Jeta jonë që në familje është e mbushur me plane që nuk ecin ashtu siç ne i bëjmë, me gjëra që nuk shkojnë, në shkollë, në punë, në jetën sociale. Pra ka gjithmonë diçka që nuk shkon dhe unë me këtë ekspozitë jam më pranë publikut, njerëzve të cilët e ndiejnë apo perceptojnë.
CMG:Cilat janë projektet e së ardhmes që do të trokasin për artdashësit?
Blerina Muça: Në fakt unë nuk bazohem në planifikme të gjata, por jam spontane në ide ndaj dhe mendoj që gjithçka që do më ngacmojë sërish në botën time artistike do ta sjell në momentin e parë.
Intervistoi Megi Latifi