Revista britanike “Condé Nast Traveller” e rendit qytetin shqiptar Beratin ndër 10 qytetet europiane më ekonomike e më të bukura për t’u shijuar në vitin 2023.
Lajmin u bë i ditur nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila ndau në rrjetet sociale edhe videon promovuese të publikuar nga “Condé Nast Traveller”.
“Miliona njerëz të cilët ndjekin median ndërkombëtare “Condé Nast Traveller” morën sugjerimin për të vizituar Shqipërinë dhe Beratin që bëhet pjesë e 10 qyteteve më ekonomike e më të bukura për t’u shijuar në vitin 2023”, shkruan ministrja Kumbaro.
Por, sipas saj, është përkushtimi i njerëzve punëtorë dhe investimeve, që krenarinë historike shqiptare dhe pasurinë botërore të UNESCO-s e bëjnë tërheqëse për turistët përmes promovimit, bujtinave e hoteleve karakteristike, ushqimit të mirë, verës autoktone, entuziazmit dhe dëshirës për të mikpritur më së miri mysafirët e huaj.
Revista britanike e përshkruan Shqipërinë si një vend “par excellence” të turizmit kulinar, falë resurseve që i ka falur natyra, traditës së mbajtur gjallë ndër breza dhe punës së palodhur të shefave të kuzhinës, që e kanë risjellë kuzhinën e traditës në versionin më të mirë të saj. (Irma)