Kinë: Me masat e reja, shumë krahina po shohin mëkëmbje në prodhim dhe konsum
2023-01-13 15:54:57

VCG

VCG

Tani Kina është futur në fazën e re të kontrollit antiepidemik dhe është krijuar një mjedis i përmirësuar për nxitjen e zhvillimit ekonomik, çka ka shtuar besimin e krahinave të ndryshme për mëkëmbjen e prodhimit dhe konsumit. Për të shpejtuar procesin e mëkëmbjes, shumë krahina kineze kanë marrë masa të reja stimuluese për rritjen ekonomike. Me këto masa të reja, sektorët e ndryshëm, si ofrimi i ushqimeve, turizmi dhe blerjet, kanë shënuar rritje të shpejtë e të dukshme, çka shihet si sinjal pozitiv për zhvillim ekonomik.

 

Sipas të dhënave nga “baidu.com”, më 1 janar, fluksi i konsumatorëve në qendrat tregtare të qyteteve kryesore, si Pekin, Chongqing, Shenzhen dhe Xian, ka shënuar rritje të madhe. P. sh., në qendrën “CAPITAL OUTLETS” të Xian-it, numri i konsumatorëve pati shtim me 400 %, ndërsa në qendrën “Badaling-Outlets” të Pekinit numri i konsumatorëve shënoi rritje me 380 %.

 

Në Pekin, shumë restorante kanë pritur një fluks të madh klientësh dhe mjaft prej tyre kanë rifilluar të jenë të hapura 24 orë në ditë. Sipas të dhënave nga shoqatat ushqimore dhe platformat në internet për dërgimin e ushqimeve, gjatë pushimeve 3-ditore të Vitit të Ri, sektori i shërbimit të ofrimit të ushqimeve ka pasur rritje të dukshme për sa i përket nivelit të gjallërisë, numrit të konsumatorëve dhe vëllimit të shitjeve.

 

Ndërkohë, edhe sektori i turizmit ka shënuar mëkëmbje të dukshme. Deri më 30 dhjetor 2022, numri i fluturimeve të brendshme u  rrit me 50 % dhe rezervimi i biletave të avionit për në Sanya të Kinës Jugore shënoi nivel rekord në pesë vjetët e fundit.

 

VCG

VCG

Kjo rritje e shpejtë në sektorë të ndryshëm ka lidhje të ngushtë me rifillimin e prodhimit dhe të punës në sektorin e prodhimit.

 

Drejtori i Departamentit të Industrisë në Institutin e Studimeve Makroekonomike të Kinës Hong Qunlian u shpreh: “Me përmirësimin e masave antiepidemike, shumë krahina kanë marrë masa lehtësuese për sa i përket prodhimit dhe konsumit. Rifillimi i prodhimit duket thjesht si hapje e dyqaneve, fabrikave dhe linjave industriale, por thelbi është që po mëkëmbet besimi për rritjen ekonomike dhe një jetesë të mirë.”

 

Për punëtorët dhe qytetarët e thjeshtë, rifillimi i punës dhe i prodhimit do të thotë që ata kanë vende pune, të ardhura dhe aftësi për konsum. Kjo është mënyra bazë për sigurimin e jetesës. Për ndërmarrjet dhe investitorët, rifillimi i punës dhe prodhimit do të thotë mundësi për zotërimin e tregut dhe arritjen e përfitimeve. Kështu, ata do të kenë më shumë dëshirë për shtimin e investimeve.

 

Kur stimulohen konsumi dhe investimet, ekonomia rritet dhe zhvillimi mëkëmbet shpejt. Rifillimi i punës dhe i prodhimit është jo vetëm kërkesë për rinisjen e jetës normale, por edhe bazë për nxitjen e qarkullimit të brendshëm dhe atij të jashtëm.

 

VCG

VCG

Krahinat e ndryshme kanë marrë masat e tyre për nxitjen e konsumit. Kuponët e konsumit janë një metodë që përdoret shumë. Në krahinat e ndryshme janë përdorur kuponët e konsumit në sektorët e ushqimit, turizmit, automjeteve, sportit e pajisjeve elektroshtëpiake, duke përdorur edhe teknologjitë moderne, si të dhënat e mëdha, çka ka nxitur më mirë dhe më efektivisht nivelin e konsumit.

 

Të dhënat tregojnë që, në Chengdu të Kinës Jugperëndimore, kuponët e konsumit “520”, në fazën e parë, kanë arritur një nivel  përdorimi në 94.27 %. Ndërsa në Wenzhou të Kinës Lindore, lëshimi i kuponëve të konsumit ka nxitur një konsum me vlerë 3.31 miliardë juanë. Në mbarë vendin, niveli i shfrytëzimit të kuponëve të konsumit ka mbetur mbi 50 %, duke pasur efekte të mira në stimulimin e konsumit.

 

Studiuesi në Institutin e Strategjisë Financiare pranë Akademisë së Shkencave Shoqërore të Kinës, Li Yongjian, analizon që, në bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve dhe platformave të internetit, janë përdorur mjete të shumta teknologjike për analizimin e tregut, si 5G, inteligjenca artificiale, informatika cloud dhe të dhënat e mëdha. Sipas tij, në këtë mënyrë, mund të parashikohen më saktësisht kërkesat e konsumatorëve dhe mund të jepen më saktësisht kuponët e konsumit. “Kështu, kuponët mund të nxisin konsumin e grupit të njerëzve që janë më pak të gatshëm për blerje. Kjo është një nxitje e saktë për rritjen e konsumit,” vë në dukje Li Yongjian. (Jiang Lei)