Turqi - Stambolli bëhet gati për turistët kinezë
2023-01-13 15:51:46

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Qendra kulturore dhe financiare e Turqisë, Stambolli, i vetmi qytet në botë që përfshin Europën dhe Azinë, po përgatitet për ardhjen e turistëve kinezë.

Pas optimizimit të masave nga Kina, me lehtësimin e udhëtimeve ndërkombëtare, përfaqësuesit e turizmit në qytetin turk filluan të diskutojnë mënyrat për të tërhequr më shumë udhëtarë kinezë me një gamë të gjerë aktivitetesh promovuese, shkruan “Xinhua”.

“Hapja e tregut kinez është thelbësore për ne. E dimë se kinezët udhëtojnë shumë në Stamboll. Në vend të detit, rërës dhe diellit, ata kanë një kuptim më të orientuar drejt përvojës kulturore dhe gastronomike të udhëtimit”,- tha Murat Arslan, menaxher i përgjithshëm i “CVK Park Bosphorus Hotel”.

Sipas Arslan, Stambolli ofron shumë për turistët kinezë, duke përfshirë turne me varkë në ngushticën e Bosforit që rrjedh midis anëve europiane dhe aziatike; gadishulli historik i Sulltanahmetit; pallatet, kishat dhe xhamitë e lashta; dhe një jetë të gjallë nate me restorante dhe bare të shumta.

Menaxheri i hotelit tha se përfaqësuesit e udhëtimit kanë përshpejtuar përpjekjet për të ofruar një përvojë unike për vizitorët kinezë në qytet.

Ndërkohë, skuadrat e Arslan po përditësojnë menutë e hotelit për të prezantuar një gamë të gjerë shijesh turke.

Ali Can Aksu, kreu i Shoqatës Turke të Menaxherëve të Hoteleve, tha për “Xinhua” se udhëtarët kinezë janë të rëndësishëm për turizmin global. Sipas tij, e gjithë bota mat nevojat e turistëve kinezë dhe vepron në përputhje me rrethanat.

Aksu tha se kinezët nuk duhet të perceptohen si turistë. Ata kanë shpirtin e një udhëtari. Ata kanë një kuptim të ndryshëm të turizmit dhe duan të eksplorojnë aventura të reja dhe të zbulojnë vende, zona dhe destinacione të reja. Ndaj dhe Turqia u kushton rëndësi të madhe atyre.

Sipas Aksu, sektori i turizmit të Turqisë dëshiron të tërheqë 1 milion udhëtarë nga Kina.

Pasi priti mbi 420.000 turistë kinezë në vitin 2019, Turqia kishte parashikuar fillimisht të tërhiqte afro 1 milion deri në fund të 2020. Megjithatë, shumica e aktiviteteve u pezulluan për shkak të pandemisë Covid-19.

“Jemi duke pritur për vëllezërit dhe motrat tona kineze dhe synojmë t'u japim atyre një shije të parajsës së madhe të paeksploruar të Turqisë. Po bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme”,- tha Aksu. (Irma)