Ministrja Kushi: Abetarja e unikifikuar vitin tjetër në të gjitha trevat shqipfolëse
2023-01-13 17:00:13

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, gjatë një konference shtypi mbi arritjet në fushën e arsimit dhe objektivat për 2023-shin, deklaroi se objektivi kryesor është që vitin e ardhshëm abetarja e unifikuar të shpërndahet në të gjitha trevat shqipfolëse.

Ministrja Kushi theksoi se unifikimi i abetares është një nga krenaritë e ministrisë dhe tashmë të gjitha klasat e para do të kenë të njëjtin tekst, i përshtatur me kushte të reja, ka kurrikulën e re dhe ka përmbajtje digjitale.

Ministrja Kushi njoftoi se me Maqedoninë e Veriut është rënë dakord se që nga viti i ardhshëm do ta kenë tekstin unik në të gjitha shkollat shqipe, pasi këtë vit e kanë përfshirë si tekst plotësues.

Po ashtu ministrja Kushi tha se po bashkëpunohet që abetarja të jetë edhe në Malin e Zi, pse jo edhe në diasporë, kudo ku ka vogëlushë shqiptarë, që të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin tekst. (Irma)