Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë: Kina, kontribut të rëndësishëm në luftën antiepidemike globale
2023-01-13 21:39:30


Zëdhënësi i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, Mi Feng, tha të premten në një konferencë shtypi se, gjatë tre vjetëve të fundit, lufta antipandemike e Kinës jo vetëm ka mbrojtur jetën dhe shëndetin e popullit kinez, por edhe ka dhënë kontribut të rëndësishëm në luftën globale kundër epidemisë.

Foto: VCG

Foto: VCG

Në fillim të pandemisë, përballë virusit origjinal me patogjenitet të fortë, Kina zbatoi masat e “mospërhapjes brenda vendit dhe parandalimit të daljes jashtë vendit”, dhe politika të fortë të ndërhyrjes të shëndetit publik e shoqëror, duke i dhënë kohë të çmuar bashkësisë ndërkombëtare në luftën antipandemike.

Kina ia raportoi epideminë Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në kohën më të parë, identifikoi patogjenin, ndau renditjen gjenetike të virusit me botën, si edhe njoftoi menjëherë planin e diagnostikimit e trajtimit, dhe planin e parandalimit e kontrollit, duke i ofruar bazë shkencore bashkësisë ndërkombëtare për të parandaluar e kontrolluar epideminë, si edhe për studimin e krijimin e vaksinave dhe të reagentëve zbulues.

Kina zhvilloi në mënyrë aktive bashkëpunimin antipandemik ndërkombëtar, duke u dërguar 153 vendeve dhe 15 organizatave ndërkombëtare qindra miliardë materiale antiepidemike. Pala kineze ka zhvilluar mbi 300 shkëmbime teknike me temën e parandalimit e të kontrollit të pandemisë dhe të trajtimit të rasteve me më shumë se 180 vende e rajone dhe me mbi dhjetë organizata ndërkombëtare. Po ashtu, Kina dërgoi në 34 vende 37 ekipe ekspertësh mjekësorë, duke ndarë pa rezerva përvojën e vet në luftën kundër epidemisë.

Foto: VCG

Foto: VCG

Kina është vendi i parë që premtoi se do t’i bënte produkt publik global vaksinat kundër COVID-19. Ajo po ashtu mori drejtimin në mbështetjen e përjashtimit të të drejtave të pronësisë intelektuale lidhur me studimin dhe krijimin e vaksinave. Kina është vendi i parë që zhvilloi bashkëpunim në prodhimin e vaksinave me vendet në zhvillim dhe u dërgoi mbi 120 vendeve e organizatave ndërkombëtare më shumë se 2.2 miliardë doza të vaksinave kundër COVID-19.

Gjatë luftës antipandemike, mjekësia tradicionale kineze ka luajtur një rol të rëndësishëm. Kina ka zhvilluar qindra aktivitete shkëmbimesh ndërmjet ekspertëve nëpërmjet videove e transmetimeve të drejtpërdrejta, duke ua paraqitur planet e diagnostikimit dhe trajtimit të mjekësisë tradicionale kineze më shumë se 150 vendeve e rajoneve. Kina u ofroi gjithashtu vendeve dhe rajoneve në nevojë produkte të mjekësisë tradicionale kineze. 

Zëdhënësi tha se Kina është e gatshme të punojë me bashkësinë ndërkombëtare për të përballuar bashkërisht sfidat epidemike, duke mbrojtur më mirë jetën dhe shëndetin e njerëzve të vendeve të ndryshme. (Li Huailiang/Artan)