Rrahman Kasa, Shqipëria mirëpret turistët nga Kina
2023-01-12 15:51:21

Kina ka treguar ndër vite se është shteti, i cili ka më shumë turistë që lëvizin në të gjithë botën. Kjo është një mundësi e mirë për vendet e Europës dhe më tej pasi drejtpërdrejt ndikon tek rritja e të ardhurave në vend. Me lehtësimin e masave kundër Covid-19 edhe analisët nisën që të ofrojnë gjykimin e tyre se si do ndikojë kjo në turizmin nëpër botë dhe konkretisht në Shqipëri. Rrahman Kasa, Kryetar i Unionit Turistik Shqiptar, shprehet për Grupin Mediatik të Kinës se ky është një hap tepër i rëndësishëm për të gjithë botën dhe se do të donte që të punonte më fort për të promovuar Shqipërinë në Kinë.

CMG: Më 8 janar, pas 3 vitesh të luftës kundër Covid 19, Kina ka lehtësuar masat anticovid.   Sa mendoni se do të ndikojë kjo në turizmin botëror në përgjithësi, duke qenë se turistët kinezë përbëjnë numrin më të madh të tyre në botë?

Rrahman Kasa:  Unë jam një prej atyre personave që kam lobuar shumë fort që qytetarët e Republikës Popullore të Kines  të lëvizin lirshëm në vendin tonë dhe të mos kishin kufizime, të cilat privonin udhëtimet. Si një ndër lobuesit e fortë, patjetër që më vjen mirë për këtë gjë tashmë. Jam i interesuar që të kemi rritje të numrit të vizitorëve. Kina ka numër të lartë qytetarësh dhe mbi të gjitha të pasur, të cilët mund të përballojnë udhëtime. Pandemia na la pasoja shumë të mëdha në aspektin e turizmit. Por, unë mendoj që tanimë e kemi kaluar këtë sfidë. Dukshëm në Europë nuk ka më probleme si më parë. Nuk do doja të kishte bllokim tjetër dhe uroj që të kemi një numër të konsiderueshëm të vizitorëve. Zakonisht ata vijnë si turistë për gjithë Ballkanin dhe ne kemi ende bisedime te ndryshme me partnerët apo bashkëpuntorët tanë, të cilët e shohin turizmin si një nga pikat më të forta. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të mirëpritur turistët nga Kina qoftë me paketa turistike ballkanike, por edhe vetëm për në Shqipëri.

CMG: Agjencitë e udhëtimit në Shqipëri janë njohur me këtë vendim zyrtar për optimizimin e masave anticovid në Kinë?

Rrahman Kasa: Nuk ka pasur një njoftim zyrtar, por unë kam qenë në kontakt dhe koherencë të plotë. Jemi njoftuar nëpërmjet mediumit mediatik, i cili është dhe shumë i rëndësishëm.

CMG: Mendoni se me hapjen e Kinës do të ketë rritje të shifrave të turizmit në këtë vend, falë vizitave turistike, për studime apo të biznesit nga Europa dhe vende të tjera?

Rrahamn Kasa: Mendoj që po,p or mendoj që duhet edhe një punë me e madhe me promovimin e Shqipërisë. Kjo pjesë është shumë e rëndësishme. Ne e dimë që Kina e do Shqipërinë. E gjithë bota qarkullon ekonomikisht në këtë sektor falë turistëve nga Kina, të cilët janë të shumtë në numër dhe unë që për shkak të profesionit udhëtoj shumë shpesh, ndaj arrij të dalloj se sa e rëndësishme është. Unë turistët nga Kina i dalloj kudo dhe kjo është diçka pozitive.

CMG: Turistët që vijnë, i rikthehen Shqipërisë?

Rrahman Kasa: Të gjithë turistët kinezë të cilët zgjedhin të vijnë në Shqipëri është e vërtetë që vijnë sërish, sepse atyre ju pëlqen vendi ynë dhe për këtë gjë jemi shumë të lumtur. Mendoj që është momenti për t’u ulur në bisedime të shpeshta qoftë publike, qoftë të mbyllura për të nxitur popullin kinez që të vijë dhe të shtojë në listën e udhëtimeve Shqipërinë. Kjo është strategjia e duhur, pasi për pjesën tjetër ne japim garanci të plotë që çdo gjë do të shkojë mirë dhe Shqipëria i mirëpret.
CMG: Ju vetë keni qenë në Kinë?

Rrahman Kasa : Unë nuk kam qenë, por shpresoj që të shkoj sa më shpejt që të kem mundësi edhe për bisedime te ndryshme, të cilat do t’i shtrojnë rrugën turizmit kinez në Shqipëri. Ndoshta pjesëmarrja jonë nëpër panaire apo zhvillime me përmasa ndërkombëtare atje do të bënte të mundur urat lidhëse dhe bashkëpunuese.

Janë shumë vende në Europë që qytetarët nga Kina i duan shumë si Greqia, Italia apo edhe Zvicra. Pse jo edhe Shqipëria do t’i ofrojë këto facilitete.

Intervistoi Megi Latifi