Tregu kinez evidentohet nga prodhuesit globalë të automjeteve
2023-01-12 15:03:11

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Drejtuesit e kompanive gjermane të automjeteve thonë se pa Kinën, asnjë marrëveshje e gjelbër, asnjë transport dhe asnjë tranzicion energjetik në mbarë botën nuk është i mundur. Sipas tyre, duhet më shumë bashkëpunim me Kinën, pasi risitë në digjitalizimin dhe automjetet elektrike, si dhe disa veçori të konceptit u frymëzuan nga elementët kinezë dhe nevojat e klientëve kinezë. Ata theksojnë se Kina është tregu më i madh për automjetet europiane, pavarësisht se ato mbeten prapa markave lokale kineze.

Kreu i BMW-së, Oliver Zipse, bën thirrje për më shumë bashkëpunim me Kinën, duke thënë se angazhimi është më i mirë se gjykimi.

Gjatë një interviste për “China Daily”, në kuadër të panairit CES, që u zhvillua në Las Vegas, SHBA, ai tha se pa Kinën, asnjë marrëveshje e gjelbër, asnjë transport dhe asnjë tranzicion energjetik në mbarë botën nuk është i mundur.

Zipse tha se nevojitet më shumë bashkëpunim, jo më pak, pasi partneriteti i gjatë kino-gjerman i automobilave tregon se si talenti dhe burimet nga të dyja palët krijojnë të mirën e përbashkët. “Prandaj “BMW Group” rithekson angazhimin e tij ndaj tregut kinez”,- tha ai.

Zipse zbuloi në CES makinën më të fundit koncept të kompanisë, “Vision Dee”, për të shfaqur strategjinë e prodhuesit të makinave për digjitalizimin, elektrifikimin dhe qëndrueshmërinë.

Ndër të tjera, modeli ka një ekran të avancuar “head-up”, i cili mundëson heqjen e ekraneve fizike brenda makinës.

Zipse e quajti modelin e BMW-së së parë që ka një shpirt digjital, pasi mund të flasë me shoferin dhe pasagjerët dhe të ndërveprojë me ta vizualisht.

Ai tha se disa veçori të konceptit u frymëzuan nga elementët kinezë dhe nevojat e klientëve kinezë. Prodhuesi i makinave ka më shumë se 2000 inxhinierë kërkimi dhe zhvillimi në Kinë.

Zipse tha se ai testoi më shumë se 10 modele kineze në gjashtë muajt e fundit për një kuptim më të mirë të tregut. Ai theksoi se BMW-ja do të ketë 11 modele elektrike në Kinë, duke përfshirë X1 të prodhuar në vend, këtë vit.

“Ne e përqafojmë dhe e vlerësojmë konkurrencën. Konkurrenca është diçka që mund të na lejojë të mësojmë nga të tjerët dhe të tjerët të mësojnë nga ne”,- tha ai.

Gjithashtu në CES, një tjetër prodhues gjerman i makinave, “Volkswagen”, shfaqi ID.7, i pari sedan plotësisht elektrik i bazuar në platformën MEB.

Modeli u paraqit në event me një dizajn digjital me bojë unike. Sipas kompanisë, janë aplikuar 40 shtresa boje, disa prej të cilave janë përçuese, por që kanë edhe veti izoluese.

Prodhuesi i makinave bëri të ditur se premiera botërore e versionit të prodhimit në seri do të jetë në tremujorin e dytë të këtij viti. Modeli do të lançohet në Kinë, Europë dhe në SHBA në të njëjtin vit.

Ashtu si për BMW-në, Kina është tregu më i madh edhe për Volkswagen-in. Automjetet elektrike ID. të kompanisë janë modelet më të njohura të prodhuesve ndërkombëtarë të makinave, megjithëse ato mbeten prapa markave lokale kineze.

Volkswagen-i bëri të ditur se sedani ID.7 po e lejon atë të zgjerojë familjen e tij plotësisht elektrike në klasën e mesme të lartë të segmentit me volum të lartë.

Thomas Schaefer, CEO-ja i “Volkswagen Passenger Cars”, tha se modeli është një nga 10 automjetet elektrike që planifikohet të lançohen deri në vitin 2026.

Prodhuesi gjerman i makinave ka arritur tashmë një moment historik të parë për sa i përket elektrifikimit.

Që kur modelet e para ID.3 iu dorëzuan klientëve në shtator 2020, “Volkswagen” ka dorëzuar 500.000 automjete nga familja e tij ID. në mbarë botën, përmes filialeve të tij, rreth një vit më herët nga sa ishte planifikuar, pavarësisht vështirësive të vazhdueshme në zinxhirin e furnizimit.