Ligji për Investimet e Huaja, magnet për investitorët globalë
2023-01-12 15:08:05

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Pre tre vjetësh në Kinë zbatohet Ligji për Investimet e Huaja, i cili siguron mjedisin e investimeve të Kinës dhe sistemin e investimeve të huaja në formë ligjore dhe luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e besimit të kompanive shumëkombëshe në Kinë. Ministria e Tregtisë njoftoi se deri në fund të shtatorit 2022, u regjistruan gjithsej 455.000 ndërmarrje të huaja në Kinë dhe ishin ngritur më shumë se 2000 seli rajonale dhe qendra kërkimore dhe zhvillimi të kompanive shumëkombëshe.

Që nga shpërthimi i pandemisë Covid-19 rreth tre vjet më parë, besimi i investitorëve globalë është dëmtuar nga pasiguritë në rritje. Megjithatë, Kina ka mbetur një magnet i fortë për investitorët globalë gjatë tre viteve të fundit, me Ligjin për Investimet e Huaja që ofron një garanci të fuqishme.

Më 1 janar 2020, ekonomia e dytë më e madhe në botë zbatoi ligjin në fjalë, i cili përfshin një grup gjithëpërfshirës dhe themelor të standardeve ligjore për investitorët e huaj dhe synon të mbrojë më mirë të drejtat dhe interesat e tyre. Me ligjin në fuqi prej tre vitesh, tërheqja në rritje e tregut kinez mund të shihet në shenjat e qarta të hyrjeve të kapitalit të huaj.

Investimet e huaja direkte në territorin kinez, në përdorim aktual, arritën në 999.98 miliardë juanë (147.6 miliardë dollarë) në vitin 2020 dhe u rritën në 1.15 trilionë juanë në vitin 2021, bëri të ditur Ministria e Tregtisë.

Në 11 muajt e parë të vitit 2022, fluksi hyrës i investimeve të huaja direkte u rrit me 9.9 për qind në baza vjetore në afro 1.156 trilionë juanë, duke garantuar se Kina do të siguronte një hyrje rekord të investimeve të huaja direkte për një vit tjetër.

“Ligji i Investimeve të Huaja siguron mjedisin e investimeve të Kinës dhe sistemin e investimeve të huaja në formë ligjore dhe luan një rol të rëndësishëm në stabilizimin e besimit të kompanive shumëkombëshe në Kinë, pasi bota përballet me një rritje ekonomike më të ngadaltë dhe inflacion në rritje”,- tha Zhao Beiwen, zëvendësdrejtor i Institutit të Ekonomisë Botërore nën Akademinë e Shkencave Sociale të Shangait.

Mbrojtje më e mirë ligjore

Me dispozita të unifikuara për hyrjen, promovimin, mbrojtjen dhe menaxhimin e investimeve të huaja, Ligji i Kinës për Investimet e Huaja trajton shqetësimet e firmave të huaja dhe ofron lehtësi për investimet e huaja.

Kina ka evidentuar një fushë loje të barabartë për kompanitë vendase dhe të huaja, ka ndaluar transferimet e detyruara të teknologjisë dhe ka përmirësuar mekanizmin që firmat e investuara të huaja të paraqesin ankesa, sipas ligjit dhe rregulloreve të tij zbatuese. Prandaj, ndërmarrjet me investim të huaj vazhdojnë të zgjerojnë gjurmën e tyre në Kinë, me një mesatare prej 43.000 ndërmarrjesh të tilla të krijuara rishtazi çdo vit në 2020-n dhe 2021-shin, sipas Ministrisë së Tregtisë.

Sipas ministrisë, deri në fund të shtatorit 2022, u regjistruan gjithsej 455.000 ndërmarrje të huaja në Kinë dhe ishin ngritur më shumë se 2000 seli rajonale dhe qendra kërkimore dhe zhvillimi të kompanive shumëkombëshe.

Në nëntor 2022, “Schneider Electric” ngriti institutin e tij të pestë më të madh kërkimor në Kinë. “Ekonomia e Kinës po shpërthen me vitalitet të ri të rritjes dhe ka potencial të madh tregu”,- tha Yin Zheng, zv.drejtor ekzekutiv i “Schneider Electric” dhe president i “Schneider Electric China”.

“Ndërmarrjet e huaja, veçanërisht ndërmarrjet me investim të huaj të teknologjisë së lartë, i kushtojnë më shumë vëmendje mbrojtjes së pronësisë intelektuale sesa atyre që kërkojnë punë intensive. Ligji për Investimet e Huaja ka siguruar një mjedis konkurrence të ndershme me rregulla dhe transparencë”,- tha Zhao, duke shtuar se mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale ka rritur atraktivitetin e Kinës për hyrjen e kapitalit të huaj.

Nga janari deri në nëntor 2022, investimet e huaja direkte në prodhimtarinë e teknologjisë së lartë u rritën 58.8 për qind nga e njëjta periudhë e një viti më parë, ndërsa në sektorin e shërbimeve të teknologjisë së lartë u rritën 23.5 për qind në baza vjetore, thuhet në të dhënat e ministrisë.

Hapje më e gjerë

Kina ka implementuar modelin e trajtimit kombëtar të paracaktuar, plus një listë negative për investimet e huaja, sipas Ligjit për Investimet e Huaja. Zhao tha se kjo lëvizje ishte pjesë e përpjekjeve më të gjera të hapjes institucionale të Kinës dhe demonstroi tranzicionin e Kinës për t'u integruar në mënyrë aktive në sistemet ndërkombëtare ekonomike dhe tregtare.

Në vitin 2022, Kina zbatoi plotësisht listën e shkurtuar negative për investimet e huaja, zgjeroi katalogun e investimeve të inkurajuara dhe shtoi më shumë qytete në programin pilot të hapjes së sektorit të shërbimeve.

Nga viti 2020 deri në vitin 2022, Kina hoqi ligjet, rregulloret dhe dokumentet normative që nuk përputheshin me Ligjin për Investimet e Huaja dhe promovoi krijimin, rishikimin dhe heqjen e më shumë se 500 dokumenteve, njoftoi Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës.

Sipas një sondazhi të Ministrisë së Tregtisë, ku u morën në pyetje 3130 firma të huaja, zbatimi i Ligjit për Investimet e Huaja ka rritur pritshmëritë dhe besimin në tregun kinez midis gati 90 për qind të të anketuarve.

“GLP”, një menaxher global i investimeve dhe ndërtues biznesi për logjistikën, infrastrukturën e të dhënave, energjinë e rinovueshme dhe teknologjitë e ngjashme, ka parë që vëllimi i biznesit të saj të rritet vazhdimisht, me asetet nën menaxhim në Kinë që arrijnë në 72 miliardë dollarë.

“GLP” ka dëshmuar një përmirësim të vazhdueshëm të mjedisit të biznesit në Kinë, me nivel më të lartë ndërkombëtarizimi dhe hapjeje. Biznesi ynë ka arritur një rritje të shëndoshë ndërsa vendi vazhdon të thellojë reformat dhe hapjen”,- tha Zhuge Wenjing zv.drejtor ekzekutiv i “GLP China”.

Konferenca vjetore e Punës Ekonomike Qendrore e mbajtur në mes të dhjetorit 2022 riafirmoi vendosmërinë e Kinës për hapjen në një nivel më të lartë. Në të u theksua se vendi do të bëjë përpjekje më të mëdha për të tërhequr dhe përdorur kapitalin e huaj, për të zgjeruar aksesin në treg, për të promovuar hapjen e industrive moderne të shërbimit dhe për t'u dhënë ndërmarrjeve të financuara nga jashtë trajtim kombëtar.

“Konferenca theksoi përpjekjet për të tërhequr dhe përdorur kapitalin e huaj dhe bëri rregullime të sakta. Është e paprecedentë në kujtesën time”,- tha Long Guoqiang, nënkryetar i Qendrës Kërkimore të Zhvillimit të Këshillit të Shtetit.

Për përmirësimin e mjedisit të biznesit, Long tha se duhet bërë më shumë për të harmonizuar rregullat ekonomike dhe tregtare me standarde të larta dhe për të zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale në lidhje me rregullat, rregulloret, menaxhimin dhe standardet.