“Women start up Competition” vjen në Shqipëri
2023-01-12 14:55:11


“Women Start up Competition” është një konkurim i përvitshëm në Europë i start up-eve të drejtuara nga gratë. Ai është themeluar për t’u dhënë mundësi grave sipërmarrëse dhe skuadrave të tyre, në mënyrë që të takojnë investitorë, të marrin mbështetje dhe këshilla për të arritur qëllimet e tyre të biznesit. Kjo garë synon të rrisë raportin aktual shumë të ulët të grave në biznes krahasuar me burrat.  Në Shqipëri këtë e solli për herë të parë  Albana Muçaj me mbështetjen e Ministrit të Shtetit dhe Sipërmarrjes. Qëllimi i “Women Start up Competition” (WSC) është të rrisë praninë e grave në biznes dhe për ta bërë këtë. WSC ofron trajnime dhe mundësi për start up-e, për të realizuar ëndrrat e tyre dhe për t’i inkurajuar ato të bëjnë atë që duan.

“Ky është viti i parë që ky kompeticion vjen në Shqipëri dhe pati një impakt tej pritshmërive realisht pasi përfshiu jo vetëm ekspertë por edhe start up-e të grave dhe vajzave nga Shqipëria dhe nga vende të ndryshme. Bëhet fjalë për vazja shqiptare që zhvillojnë bizneset e tyre start up edhe nga vendet si Italia, Austria madje edhe nga Kuvajti. “- thotë Muçaj.

Ajo tregon më shumë për impaktin që ka nisma në fuqizimin e binzeseve.

“Kur flasim për start up-e faktikisht ka nevojë për definicione sepse start up mund të quhet një biznes i ri, por biznes mund të quhet një biznes realisht  me përkufizimet ndërkombëtare, një biznes i cili është i ri dhe ka mundësi të përshkallëzohet dhe të rritet shumë shpejt në aktivitetin e tij. Praktikisht në momentin kur këto janë në nivel ideje apo në hapat e parë të tyre nuk ka një thikë prerëse për të thënë nëse ky mund të jetë apo jo i suksesshëm, pasi është në fazën embrionale të zhvillimit të vet. Ky program parashikonte mbështetjen dhe fuqizimin e ideve të biznesit, por edhe bizneseve të zhvilluara deri në fazën e prototipit. Pra, biznese të reja të drejtuara nga gra dhe vajza të cilat kanë zhvilluar një model biznesi, ka një produkt konkret, ka një treg të cilit do t’i drejtohen, prototipin e kanë zhvilluar”- thotë Albana Muçaj.

WSC është i pranishëm në 12 vende europiane, duke ofruar gjithashtu një seri trajnimesh dhe konkursesh.

“Duke qenë pjesë e botës së start up-eve, komunitetit dhe për shkak të revistës që unë drejtoj rashë në kontakt me këtë komunitet i cili është kryesisht në Evropë. Pra, ka disa vende dhe është i organizuar në një formë të tillë ku çdo vend ka një ambasador, të themi ai person që e çon përpara këtë nismë në çdo vend dhe për Shqipërinë mu caktua mua, mu besua mua për ta zhvilluar. Përkonte shumë dhe me dëshirën time për të kontribuar në fushën e sipërmarrjes dhe në botën e grave dhe vajzave kështu që ishte një bashkangjitje shumë e mirë”, u shpreh ajo.

Aplikimi ka patur interes të lartë për pjesmarrje.

“Ne hapëm thirrjen në fund të muajit gusht dhe zgjati gjatë gjithë muajit shtator dhe objektivi ishte që vajzat dhe gratë të kishin një prototip të produkt të tyre, pra një bazë të idesë së tyre të biznesit. Në fakt thirrja fillimisht u nis me idenë për të përfshirë gratë dhe vajzat nga Shqipëria por nga aplikimet, tani bota është kaq ndërkombëtarizuar nga mediat sociale me faqet online dhe lajmi u përhap dhe ne patëm aplikime nga vende të ndryshme. Patëm aplikime nga studentë shqiptarë nga Italia, patëm aplikime nga studentë shqiptarë nga Austria, patëm aplikime nga një vajzë sipërmarrëse e cila punon aktualisht dhe e ka zhvilluar biznesin e saj në Kuvajt dhe do ta zhvillojë atë biznes edhe këtu në Shqipëri, kështu që patëm aplikime përtej pritshmërive.”- shprehet Muçaj.

Për idetë më të mira ka patur edhe mbështetje financiare.

“Ne patëm finalen e eventit me 5 nëntor të cilen e zhvilluam në Durrës, por para se të shkonim tek finalja kishte një proces mentorimi dhe dy trajnime të përfshira online dhe fizikisht me start up-et. Fillimisht me të gjitha start up-et e përzgjedhura nga aplikimet që ishin 30 dhe më tej në prag të finales ne zbritëm në 10 start up-e, të cilat u përzgjodhën si idetë më të mira për të marrë pjesë në prezantimin final të ideve të tyre të biznesit dhe nga këto në finale edhe këtu patëm mjaft hapësira dhe pati një lloj sinergjie të krijuar edhe nga mbrëmja që u krijua ku krahas fituesit e cila mori një çmim financiar dhe një program mentorimi për 6 muaj, dy çmimet e tjera, pra vendi i dytë dhe vendi i tretë i përzgjedhur mbështeten me hapësira co-working space dhe mbështetje PR, marketing po ashtu për 6 muaj. Ndërkohë pati një reagim shumë të mirë nga pjesëmarrës dhe anëtarë të jurisë, të cilët janë realisht personalitete, të cilët u ofruan për të dhënë cmime ë tjera edhe pjesëmarrësve të tjerë kështu që në një farë mënyre dolën fitues e gjithë 10-shja që ishin pjesëmarrës në finale. Ky është një program, i cili zhvillohet çdo vit dhe ky është objektivi, të zhvillohet çdo vit. Nuk ka sens dhe nuk do të kishte një impakt të qënësishëm zhvillimi i një eventi të vetëm dhe zhvilimi i një programi të vetëm. Një Evropë ka 8 vite që zhvillohet”, theksoi ajo.

Women Startup Competition lindi në vitin 2012, në Budapest, Hungari. Që atëherë, lëvizja ka lulëzuar dhe është rritur vazhdimisht, duke tërhequr gratë sipërmarrëse krijuese, të cilat  përmes programit janë përshpejtuar në autostradën e biznesit.