Kina e ka përcaktuar zyrtarisht COVID-19 nga sëmundje infektive e kategorisë A në të kategorisë B që nga 8 janari, gjë që sinjalizon se reagimi i Kinës ndaj COVID-19 ka hyrë në një fazë të re.
Kjo ka ngritur pikëpyetje rreth gjendjes së tanishme dhe të ardhshme të kontrollit të COVID-19. Ekspertët shpjeguan për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) hapat e ardhshëm të menaxhimit të sëmundjes.
Më e keqja është duke kaluar ose ka kaluar tashmë për qytetet e mëdha kineze, shprehet Jiao Yahui, kreu i Zyrës së Administratës Mjekësore në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë.
"Në qytetet e mëdha trysnia mbi urgjencat e spitaleve po lehtësohet. Por ka një numër të madh rastesh të rënda që po trajtohen," tha ajo.
Qytetet e vogla e të mesme dhe zonat rurale ka gjasa të përjetojnë një kulm rastesh urgjente e të rënda gjatë kulmit të udhëtimeve për Festën e Pranverës, shtoi Jiao.
Ajo i tha CMG-së se nuk pret një kulm tjetër infeksionesh pas festës, por strukturat mjekësore duhet të përgatiten për një kulm të mundshëm rastesh të rënda.
Rreth 8 % e të gjitha rasteve të “Omicron”-it vjet u klasifikuan si raste të moderuara me simptoma të pneumonisë, bëri të ditur Jiao.
"Përqindja duket e vogël. Por megjithatë është një grup i madh njerëzish, meqë Kina ka një popullsi të madhe," shtoi ajo.
Foto nga VCG
Përveç trajtimit të të sëmurëve nga COVID-19, qeveria kineze publikoi gjithashtu një plan të ri të mbikëqyrjes epidemike, duke përdorur të dhënat nga spitalet, pikat e testimit dhe vendet e mbikqyrjes, për të ndjekur dhe vlerësuar ecurinë e epidemisë.
"Ne mund të studiojmë nivelin e prekshmërisë, intensitetin, prirjen dhe kohën e epidemisë dhe të vlerësojmë efektshmërinë e masave tona të kontrollit," tha Wu Zunyou, kryeepidemiolog në Qendrën e Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve (CDC).
Deri tani, Kina ka ngritur më shumë se 500 vende mbikqyrjeje në mbarë vendin.
Wu u shpreh se CDC-ja po monitoron gjithashtu institucionet kyçe, si shtëpitë e kujdesit për të moshuarit, si dhe simptomat lidhur me rrugët e frymëmarrjes te nxënësit e shkollave.
Me uljen e nivelit të menaxhimit të sëmundjes, qeveria tani kërkon më pak masa parandaluese dhe kontrolli sipas ligjit.
Po kjo nuk do të thotë që "virusi është lënë i lërë," i tha CMG-së Liang Wannian, kreu i panelit të ekspertëve të reagimit ndaj COVID-19 pranë Komisionir Kombëtar të Shëndetësisë.
Ligji kërkon përsëri marrjen e masave të parandalimit dhe kontrollit, duke përfshirë raportimin e rasteve, menaxhimin dhe trajtimin e të sëmurëve dhe ndërhyrjet e mbikëqyrjen e nevojshme shoqërore dhe të shëndetit publik, tha Liang.
Ai shtoi që një sëmundje të tillë të madhe infektive nuk mund ta trajtojë vetëm qeveria, duke kërkuar përpjekje të përbashkëta nga të gjitha palët.
"Sigurisht, ndërsa qeveria po merr rolin drejtues, të gjithë duhet të bëjnë punën e tyre," tha ai.