Banka Botërore ul parashikimin e rritjes globale për vitin 2023 në 1.7 për qind
2023-01-12 19:00:30

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Rritja ekonomike globale parashikohet të ngadalësohet në 1.7 për qind në vitin 2023, 1.3 pikë përqindjeje nën parashikimin e bërë në qershor të vitit të kaluar, duke shënuar ritmin e tretë më të dobët në gati tri dekada, përcjell “Xinhua”. 

Në raportin e fundit të Bankës Botërore mbi Perspektivat Ekonomike Globale thuhet se rritja globale është ngadalësuar si pasojë e goditjeve të tilla negative si inflacioni i lartë, rritja e normave të interesit, investimet e ngadalta dhe kriza e Ukrainës, dhe ekonomia globale është rrezikshëm afër rënies në recesion. Ulja reflektoi shtrëngim sinkron të politikës që synon frenimin e inflacionit shumë të lartë, si dhe përkeqësimin e kushteve financiare, rënien e besimit dhe ndërprerjet e furnizimit me energji.

Raporti shton se në vitin 2024, ekonomia globale është në rrugën e duhur për t'u rritur me 2.7 për qind.

Më konkretisht, raporti thotë se rritja për ekonomitë e zhvilluara parashikohet të ngadalësohet në 0.5 për qind në vitin 2023, 1.7 pikë përqindje nën parashikimin e qershorit. Parashikimi i rritjes ekonomike të SHBA-së për këtë vit është ulur me 1.9 pikë përqindjeje në 0.5 për qind, performanca më e dobët jashtë recesioneve që nga viti 1970.

Ndërkohë, sipas raportit, rritja për ekonomitë në zhvillim parashikohet të ngadalësohet në 3.4 për qind në vitin 2023, 0.8 pikë përqindje nën parashikimin e qershorit. (Elona)