WTTC: Sektori global i turizmit do të forcohet nga udhëtarët kinezë
2023-01-12 14:48:10

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Kryezyrtarja ekzekutive e Këshillit Botëror të Udhëtimeve dhe Turizmit (WTTC) është optimiste rreth rimëkëmbjes së sektorit të turizmit nga pandemia e COVID-19 dhe pret një rritje eksponenciale gjatë dekadës së ardhshme, kryesisht falë shtimit të numrit të udhëtarëve kinezë jashtë vendit dhe të vizitorëve të huaj në Kinë.

"Kam qenë atje (Kinë) shumë herë ... dhe është e mrekullueshme që bota do të jetë në gjendje të hapë krahët dhe të mirëpresë përsëri vizitorët kinezë," tha Julia Simpson, presidente dhe kryezyrtare ekzekutive e WTTC-së.

Në fillim të dhjetorit 2022, Kina vendosi të optimizojë reagimin ndaj COVID-19 me masat e reja të parandalimit dhe kontrollit, duke lehtësuar kufizimet ndaj udhëtimeve dhe vizitave në vendet publike. Pastaj, më 8 janar, Administrata e Aviacionit Civil e Kinës rilaksoi disa kufizime COVID-19 në fluturimet ndërkombëtare të udhëtarëve.

"Përpara pandemisë, udhëtimet dhe turizmi përfaqësonin një ndër 10 vendet e punës në shkallë globale dhe një ndër 10 dollarët e bërë globalisht. Është një sektor me të vërtetë i rëndësishëm, që sjell shumë përfitime ekonomike dhe shumë vende pune," vuri në dukje Simpson në një videointervistë për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua”.

Organizata Botërore e Turizmit në nëntor deklaroi se turizmi ndërkombëtar pritej të mëkëmbej në 65 për qind të niveleve parapandemike deri në fund të vitit 2022.

Vizitorët kinezë në pjesën tjetër të botës ishin "ndër më të vlefshmit në kuptimin ekonomik," shtoi Simpson.

Ata shpenzuan 253 miliardë dollarë globalisht në vitin 2019, duke zënë 15 për qind të vëllimit të përgjithshëm, sipas WTTC-së.