Kanuni i Lekë Dukagjinit është korpusi më i njohur i ligjeve dhe dokeve shqiptare. Ndonëse rrënjët i ka më të vjetra, ky Kanun merr emrin e Lekë Dukagjinit, në tokat e të cilit u zbatua.
Lekë Dukagjini është një figurë historike mjaft komplekse. Lekë Dukagjini (1410-1481) ishte bashkëkohës i Gjergj Kastriotit. Historia e njeh si princin trashëgimtar, që u lartësua, kur mori në sundim principatën që mban mbiemri i tij, Dukagjini. Deri në kohën kur u vu në krye të principatës, Lekë Dukagjini kishte marrë një kulturë të gjithanshme me frymë humaniste të Rilindjes Evropiane, në qytete të tilla si Venecia, Raguza apo Shkodra.
Familje zakonore shqiptare - foto konica.al
Sot e kësaj dite, ndonëse mbi 500 shekuj na ndajnë në mes, emri i Lekë Dukagjinit vazhdon e përmendet. Përmendja e emrit ka të bëjë pikërisht me Kanunin , që u la trashëgim Lekë Dukagjini shtetasve shqiptarë. Ky fenomen homerik e ka legjendarizuar emrin e Lekë Dukagjinit duke e kthyer atë në një mit të vërtetë.
Ligjet e përpunuara prej tij, u quajtën “kanun”, një fjalë që turqit e kishin huazuar prej arabishtes e që në fakt rrjedh nga greqishtja e lashtë, që do të thotë “kanon”, domethënë matje.
Në thelb Kanuni përmbledh ligje, rregulla, zakone të shqiptarëve të Shqipërisë së Veriut në rrjedhën e disa qindravjeçarëve. Thelbi i “Kanunit të Lekë Dukagjinit” janë fjalët e urta të dala nga goja e tij, që u ruajtën dhe u pasuruan brez pas brezi për gati gjashtë shekuj. Ato janë përçuar gojarisht nga brezi në brez. Ligjet e Kanunit kanë shërbyer me shekuj si mënyra e vetme e sjelljes shoqërore dhe vetëqeverisjes në Shqipërinë e Veriut.
Kanuni përbëhet nga 12 libra, që përfshijën fusha të ndryshme të jetës në kolektivitet, ku hyn besimi, prona, gjaku, ndëshkimi. Mirëpo, të gjitha këto bëhen duke pasur si masë morale vlerën e individit brenda sistemit të ruajtjes së nderit të tij. Kanuni ngre shkallaren morale, ku në kulm qëndrojnë vlerat tradicionale si burrnia dhe nderi, miku, respekti, nderi shoqëror dhe nderi vetjak. Me ligjet e tij të pashkruara, Kanuni arriti të mbijetonte jo vetëm në shekujt e pushtimit turk, por edhe të ushtrohej si e drejtë paralele me ligjet e Perandorisë Turke.
Por si erdhi Kanuni, si libër i shkruar deri tek ne, kur ai në fakt trashëgohej gojë më gojë dhe jo si tekst i shkruar?
Kanuni i Leke Dukagjinit - Foto bookland.al
Nëse kemi sot një libër të tillë me vlerë dokumentare, historike, juridiko shoqërore, kjo vjen si meritë e një prifti të ditur, atdhetar e të kulturuar, At Shtjefën Gjeçovi. Pasi ishte At Gjeçovi, ai që mblodhi dhe kodifikoi Kanunin, gjatë ndërrimit të shekujve XIX e XX.
Konkretisht, në vitin 1880, një grup misionaresh franceskanë venecian, që jetonin e vepronin në malësinë e veriut, e gjejnë Kanunin të pranishëm dhe aktiv në popullatën e malësisë së veriut, çka dokumentohet në relacionet e që i adresoheshin qendrës në Venecia. Pjesë të Kanunit u botuan fillimisht në revista të përkohshme qysh prej viteve 1890, kurse libri i veçantë doli më 1933 në Shkodër, disa vjet pas vdekjes së Gjeçovit.
Në këtë vepër nuk ka trillime e fantazi, Paragrafët e tij ngjajnë me struktura të ngurta, të lehta për t’u mbajtur mend dhe për t’u zbatuar në jetën e përditshme. Shumë formulime nenesh kanë vlerën e fjalëve të urta popullore, të cilat përbëjnë edhe esencën e Kanunit.
Nga ana tjetër, puna e Gjeçovit ka një rëndësi të madhe, pasi ai bëri një punë të kualifikuar shkencore. Kjo vihet re nga shënimet krahasuese që ai iu ka bërë neneve të veçanta me doktrinat juridike, që ishin bazë e qytetërimit evropian.
Kanuni është botuar jo vetëm në shqip, por edhe në disa gjuhë kryesore të botës. Megjithatë, studiuesit e së drejtës kanë bërë shumë analiza për tekstin fragmentar dhe jo të plotë të Kanunit. I mbledhur vonë dhe i kompozuar në mënyrë subjektive sipas mbledhësve, Kanuni nuk na paraqitet plotësisht dhe në mënyrë të pacënuar siç ka qenë para shumë shekujve.
Është për t’u nënvizuar fakti se, pavarësisht se shumë studiues e lidhin Kanunin me emrin e Lekë Dukagjinit si krijues i tij, ekziston edhe një tjetër tezë, se Leka i ka mbledhur këto nene të pashkruara dhe i ka kodifikuar i pari.
Shtjefen Gjecovi - foto Albanian History
Gjithsesi, një e vërtetë është e pakundërshtuar: pavarësisht nëse ishte Lekë Dukagjini që e shkroi, apo ai që e mblodhi dhe e kodifikoi, rrënjët e tij janë shumë më të vjetra, pasi aty gjenden elementë edhe më të vjetër, ka disa nënshtresa, të cilat që çojnë shumë shekuj përpara, madje deri në antikitet. Betimet "për qiell e dhe", "për kët’ gur", "për kët’ peshë", "për kët’ bukë", shprehin besime mitologjike. Vetëm një gjë me të vërtetë shumë e vyer mund të kapërcente shekuj të tërë për të ardhur gjer në ditët tona.
Kështu Kanuni i Lekë Dukagjinit është monumenti më i rëndësishëm i kulturës shqiptare, që mund të ketë lindur në lashtësi dhe krijoi degët gjatë mesjetës, duke luajtur një rol me rëndësi historike në jetën dhe në gjuhën e popullit shqiptar.
Neritana Kraja