Ligji për start up-et. Si ndahet buxheti prej 10 milion eurosh
2023-01-11 18:32:36

Shqipëria tashmë ka një ligj për start up-et. Qëllimi i këtij ligji është krijimi i një kuadri rregullator dhe institucional të favorshëm për krijimin dhe zhvillimin e startup-eve dhe mbështetjen e ekosistemit, për nxitjen e kërkimit, realizimit dhe përdorimit të ideve, modeleve, produkteve dhe proceseve të reja, të cilat sjellin risi në çdo fushë për zhvillimin ekonomik. Në total fondi i vënë në dispozicion është 10 milionë euro për 4 vite.

Ana Petani (Foto Tv Klan)

Ana Petani (Foto Tv Klan)

Ana Petani, këshilltare pranë Ministrit të Shtetit dhe Sipërmarrjes tregon detajet e mbështetjes për start upet në një intervistë për mediet shqiptare.

“Prej 10 marsit të vitit 2022 Shqipëria ka një ligj për regullimin e ekosistemit të startup-eve që quhet Ligji pë rmbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve. Në ligj parashikohet një fond prej 10 milionë eurosh për 4 vitet e ardhshme i ndarë në 2.5 milione euro çdo vit. Mbështetja për startup-et nuk do të kufizohet vetëm në dhënien e granteve kundrejt startup-eve po gjithshtu dhe lehtësues së tyre. Me lehtësues nënkuptojmë trajnime, programe inkubimi ose ekselerimi, të cilat kanë mundësi të trajnojnë dhe mentorojnë sa më shumë start up-e, më shumë sesa vetëm 1 ose në mënyrë të drejpërdrejtë. Këtë vit ne kemi pasur në dispozicion 2.5 milionë euro nga të cilat është përthithur 86% e kësaj shume dhe është lëvruar për startupet dhe lehtësuesit e ekosistemit”- thotë Petani

Gjatë vitit 2022 kanë përfituar mbështetje një sërë biznesesh të  vogla start up.

“Në thirrjen e parë të hapur për start up-et dhe lehtësuesit e ekosistemit të start up-et janë mbështetur 58 përfitues ndaj të cilëve 29 kanë qenë start up-e dhe 29 lehtësues të ekosistemit të start up -eve. Prej 29 start up-e të mbështetura, 31% prej tyre kanë qenë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, 10% e tyre në fushën e edukimit dhe gjithashtu kemi pasur dhe një përqindje 6% në fushën e robotikës”, u shpreh ajo

Thirrja  ka pasur në fokus inovacionin, zhvillimin dhe nxitjen e tij.

“Normalisht që gjatë këtij viti thirrja është mbyllur. Ne jemi në përfundim të thirrjes së parë, jemi në procesin e mbylljes së të gjitha projekteve, ndërkohë që thirrja tjetër pritet që të hapet në pranverën e vitit të ardhshëm dhe për thirrjen e ardhshme ne jemi duke punuar për të vendosur kriteret, të cilat do të jenë fushat prioritare të thirrjes, të cilat në momentin e lancimit të thirrjes do të kemi gjithashtu pjesën e kritereve të aplikimit”, vë në dukje Petani

Aplikimi për të rinjtë është i thjeshtë sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Shtetit dhe Sipërmarrjes.

“Mund të them që është një nga thirrjet më të thjeshta për të aplikuar, ndiqet parimi paperless, që do të thotë çdo gjë bëhet në mënyrë elektronike. Në momentin që një start up ose një i ri ka një ide biznesi dhe dëshiron që të aplikojë, shkon në e-albania, futet në faqen e Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes dhe aty aplikon për pasaportën e start up-it ose pasaportën e lehtësuesit. Kjo ka qenë një risi të cilën ne e sollëm. Pra, çdo i ri i cili mendon se mund të vetëdeklarohet si start up ose të quhet i tillë, shkon, bën regjistrimin online dhe nuk është një proces i cili kërkon një autorizim, por në momentin që ti bën këtë aplikim vetëdeklarohesh si start up brenda 48 orëve. Së shpejti ky proces do të jetë në mënyrë automatike. Pra, në momentin që ti aplikon gjenerohet automatikisht pasaporta jote e start up-it dhe e lehtësuesit. Në momentin që ti pajisesh me pasaportën e start up-it ose lehtësuesit ti je automatikisht eligible për të aplikuar për grant në thirrjen që do të hapet nga Ministria. Në këtë moment shkarkon dokumentat e aplikimit, bën plotësimin e dokumentave të tyre dhe gjatë gjithë kohës, skuadra e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes ka në dispozicion të të gjithë aplikantëve One Stop Shopping, i cili gjendet pranë ministrisë dhe në 24 orë është i hapur për t’u përgjigjur ndaj çdo kërkese dhe  konsulence që duhet për aplikimin e thirrjes ose dhe konsulencë për vetë planin e tyre të biznesit”, theksoi ajo.

Gjatë  aplikimeve nuk ka patur një limit moshe, por në fokus kanë qenë të rinjtë dhe gratë sipërmarrëse.

project (liquidplanner.com)

project (liquidplanner.com)

“Maksimumi që ti mund të aplikosh për grant si i ri që je në fazën e zerimit të biznesit tënd ose e ke një biznes dhe do ta zgjerosh atë ka qenë 5 milionë lekë të reja dhe gjithashtu është grant 100%,  por personi i cili aplikon e ka të nevojshme që të japë 20% bashkëfinancim. Pra, ti merr 80% është grant i pastër nga fondi i cili është i alokuar për start up-et dhe lehtësuesit dhe 20% që është pjesa tjetër duhet të vendoset si bashkëfinancim. Kjo bëhet për të minimizuar riskun e mospërmbushjes së kërkesave ose format e aplikimt dhe të gjitha me rradhë”,tha Petani.

Fondi lëvrohet me faza; 50% në pjesën e parë, më pas 50% në pjesën e përfundimit të procesit. Edhe pse emigrimi është problem, sipas Petanit kjo nuk ka penguar në pjesmarrjen e lartë të të rinjve në këto aplikime.

“Të them të drejtën është një fenomen me të cilin ne të gjithë hasim ditët e sotme, por mund të themi që ne kemi pasur nje moshë mesatare të aplikantëve dhe përfituesve prej 34 vjeç. Vetë kjo thirrje apo vetë kjo nismë ka patur në fokus të rinjtë dhe gjithashtu përthithjen e talenteve dhe burimeve njerëzore, por gjithashtu dhe mbajtjen e tyre këtu në Shqipëri, duke ju ofruar mënyra të reja sesi ata të hapin biznesin e tyre, të kenë iniciativë dhe të zhvillojnë idetë e tyre këtu në Shqipëri.”

Ligji i start up-eve përmban edhe këshillimin ku një grup   pranë ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes  jep kontribut në nxitjen e zhvillimit të start up-eve si organ kolegjial që vepron në përputhje me këtë ligj dhe legjislacionin në fuqi për funksionimin e organeve kolegjiale të administratës shtetërore dhe të enteve publike.