Analiza e Shëndetësisë/ Manastirliu: Prioritet, rritja e pagave
2023-01-11 15:23:52

Manastirliu (Foto RTSH)

Manastirliu (Foto RTSH)

Menaxhimi i situatës së pandemisë dhe kryesisht programi i vaksinimit ishte në fokus të Ministrisë së Shëndetësisë vitin e kaluar. Në analizën vjetore të punës dhe objektivat për vitin në vijim, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, bëri të ditur dy programet e nisura në 2022, të cilat do të vijojnë edhe gjatë 2023-shit: programi për kujdesin ndaj shikimit dhe ai për kujdesin dentar, citon “RTSH”.

“Fokusi ynë ka qenë dhe do jetë në disa drejtime, në funksion të fuqizimit të kapaciteteve të Institutin të Shëndetit Publik, në kuadër të forcimit të survejancës aktive. Fuqizimi i kapaciteteve testuese në ISHP është rritur në 40%. Fushata e vaksinimit është ndjekur në çdo nivel, në sistem, komunitete dhe njësitë e lëvizshme”,- tha Manastirliu.

Më tej, ministrja e Shëndetësisë vuri theksin te fokusi gjatë vitit 2023. Manastirliu u shpreh se do të nisin një sërë investimesh në kuadër të kujdesit shëndetësor. Fokusi i qeverisë gjatë këtij viti do të jetë mbështetja e burimeve të profesionistëve të shëndetit, rritja e pagave etj. Ministrja bëri me dije se gjatë këtij viti do të nisë puna për qendrën e parë publike për riprodhimin e asistuar në maternitetin “Koço Gliozheni”. Ministria e Shëndetësisë do të ofrojë burimet financiare për pajisjet, stafet, për qendrën e parë publike për riprodhimin e asistuar. (Elona)