Dollapi i ilaçeve në klinikën e Lijun-it, fshat Xisunzhuang, qyteze Beizhangzhuang, distrikt Hanshan, Handan, provincë Hebei. 04 janar, 2023/foto nga Lijun
Për mjekun e fshatit Li Jun, vala e parë e prekjes nga COVID-19 në fshatin e tij ka kaluar, dhe ai po përgatitet për valën e dytë gjatë Festës së Pranverës.
Festa e Pranverës, një kohë për bashkimin e familjes në Kinë, shënon lëvizjen e përvitshme më të madhe të njerëzve në botë. Qindra milionë veta udhëtojnë për në shtëpitë e tyre, shumë ndër të cilët kthehen nga qytetet e mëdha në fshatra ose qyteza. Ekspertët parashikojnë se kjo prirje e lëvizjes në javët e ardhme mund të shkaktojë më shumë të prekur nga COVID-19, duke përbërë një sfidë ndaj burimeve mjekësore në zonat rurale të Kinës.
"Mbi 60 % e fshatarëve tanë janë prekur nga ky virus në dhjetor," thotë 53-vjeçari Li Jun, i cili ka punuar si mjek fshati për afro 30 vjet.
Fshati i tij është afro 15 kilometra larg nga qendra e qytetit Handan, në provincën Hebei të Kinës Veriore. Kur Kina lehtësoi kufizimet mbi virusin, varianti ngjitës “Omicron” u përhap shpejt në Handan dhe rrethinat e tij, meqenëse shumë fshatarë punojnë përkohësisht në qytet.
"Ne patëm mungesë të ilaçeve për ethet dhe kollën, kur rastet e infektimit arritën kulmin në mes të dhjetorit, prandaj kam rezervuar më shumë ilaçe për Festën e Pranverës. Tani shumë fshatarë kanë përgatitur ilaçe, maska dhe dezinfektues në shtëpi," thotë Li
Lijun trajtoi një pacient në shtëpinë e pacientit, fshat Xisunzhuang, 4 janar, 2023/foto nga Lijun
Ekipi mjekësor i Li-së prej tre vetash në klinikën e fshatit mbulon 1 800 banorë, më shumë se 300 prej të cilëve janë mbi 65 vjeç. Mjekët i njohën shumë mirë pacientët, meqë jetojnë pranë tyre.
Në fshatin e Li-së banorët respektojnë traditën e urimit të të gjithë afërmve të moshuar në ditën e parë të vitit të ri, duke u shkuar për vizitë në shtëpi. Së bashku me grumbullimet e tjera familjare, këto aktivitete festive mund t'i vendosin të moshuarit përballë një rreziku më të lartë infektimi.
Li tha se ai do t'u kushtojë vëmendje të madhe të moshuarve me probleme shëndetësore kronike. Ai mund t’i transferojë pacientët në tre spitale të përgjithme për trajtim nëse ata shfaqin simptoma serioze.
Planet për grupet e ndryshme
Shumë të prekur nga COVID-19 po planifikojnë të kthehen në vendlindjet e tyre për të kremtuar Festën e Pranverës gjatë pushimeve njëjavore, megjithëse disa shqetësohen se mos infektohen përsëri nga variantet e reja.
Por për hir të të moshuarve, shumë banorë të fshatit preferojnë të jenë më të matur. Prindërit e Wang Hui-t janë mbi 90 vjeç, dhe të dy kanë probleme shëndetësore.
Përballë rrezikut të COVID-19, Wang po merr parasysh anulimin e festimeve vjetore. Ajo i kërkoi së bijës, që punon në Pekin, të mos kthehet në fshat gjatë festës, meqenëse të gjithë ata u kanë shpëtuar sulmeve të mëparshme të virusit.
"Le të mbajmë një qëndrim të kujdeshëm sa të mundemi dhe të shohim si zhvillohet kjo situatë. Ndoshta është një zgjedhje më e mirë për ne të takohemi në pranverë," thotë 58- vjeçarja.
Përgatitjet e parakohshme
Duke parashikuar presionin e mundshëm mbi sistemin shëndetësor rural, qeveria kineze shpalli tre udhëzime kombëtare në dhjetor për të përgatitur zonat rurale përballë valëve të mundshme të infektimit.
Në këto udhëzime, Mekanizmi i Përbashkët i Kontrollit dhe Parandalimit i Këshillit të Shtetit i nxit organet e pushtetit vendor që të shtojnë punonjësit mjekësorë në klinikat e spitalet rurale, të lehtësojnë vaksinimin dhe të shtojnë furnizimin me ilaçe për ethet, kollën dhe sëmundjet e zakonshme bazë.
Një mjek fshati i tregon një gruaje të moshuar se si ta përdorë ilaçen nga një paketë anti-COVID-19, fshat Pengcun, provincë Sichuan të Kinës jugperëndimor. 29 dhjetor, 2022/CFP
Të gjitha spitalet në konte dhe qyteza duhet të ngrenë klinika për ethet, që duhet të jenë të hapura 24 orë në ditë. Ato duhet të përgatitin mjekët e fshatit për të përmirësuar teknikat e tyre në trajtimin e simptomave lidhur me COVID-19, që përfshijnë përdorimin e mjeteve të testimit të shpejtë të antigjenit për të identifikuar rastet serioze.
Jiao Yahui, drejtore e Zyrës së Administrimit Mjekësor në Komisionin Kombëtar të Shëndetësisë, u shpreh në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës javën e kaluar se ka dy aspekte kyçe për të ndihmuar sistemin mjekësor rural të përballojë trysninë në rritje: furnizimi me ilaçe dhe transferimi në kohë i rasteve serioze në spitalet më të mira.
Në bazë të modelit të diagnostikimit dhe trajtimit të shkallëzuar, mekanizmi i hapjes së të ashtuquajturave “kanale të gjelbra” për transferimin e pacientëve në gjendje serioze nga klinikat bazë për në spitalet më të mëdha është promovuar qysh nga viti 2015.
Ekspertët thonë se edhe konsultat mjekësore në internet mund të përdoren për ta kërkuar ndihmë mjekësore.
Si një fushë e rëndësishme e lehtësimit të varfërisë, Kina ka bërë përpjekje për të formuar një sistem të kujdesit mjekësor rural më të fortë.
Nga viti 2012 deri më 2020, qeveria qendrore dha gjithsej 1.4 trilionë juanë (afro 202 miliardë dollarë amerikane) për të mbështetur zhvillimin e programeve shëndetësore në 25 provinca, sipas të dhënave të Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë. Mbi 170 miliardë juanë (24.7 miliardë dollarë amerikanë) janë shpenzuar për të mbështetur ndërtimin e 150 000 institucioneve shëndetësore në rajonet e pazhvilluara.
Deri në fund të vitit 2021, Kina kishte 23 000 institucione mjekësore dhe shëndetësore në nivel konteje, 35 000 qendra shëndetësore në nivel lokaliteti dhe 599 000 miliona klinika fshati, sipas Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë. Mbi 6.3 milionë veta punojnë në këto institucione dhe klinika, dhe ata mbeten të përkushtuar në luftën e Kinës kundër COVID-19. (Xu Guang)