Mateo Hoxhalli ka mbaruar Liceun Artisik të Korçës në degën e pikturës dhe aktualisht studion në vitin e parë për pikturë në Universitetin e Arteve në Tiranë. Ai që në moshë të vogël ka pasur pasion pikturën, ku për gjashtë vite ka kryer dhe një kurs privat për pikturë në Korçë. Mateo gjithashtu është i talentuar dhe në fushën e komedisë ku ka realizuar disa shfaqje në teatër dhe shpreson që ta vijojë këtë rrugëtim sepse i pëlqen bota e kinemasë dhe e televizionit. Ai është i përkushtuar për artin ku punon shumë për të arritur atë që do dhe arma e tij e fortë është vetëbesimi dhe iniciativa. Gjatë ditëve të festave të fundvitit Mateo ka realizuar me qindra karikatura për qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për pasionin për pikturën dhe komedinë si dhe synimet për të ardhmen në këto dy fusha të artit.
Dy turiste me karikaturat e realizuara nga Mateo Hoxhalli (Foto personale)
CMG: Si ju lindi pasioni për pikturën?
Mateo Hoxhalli: Pasioni për pikturën ka lindur fare rastësisht kur unë isha shumë i vogël dhe prindërit lyenin shtëpinë, unë shkoja dhe fusja gishtat nëpër bojra. Gjithmonë kam pasur fiksim të zhgarravisja me laps, pra kam qenë në botën time të pikturës që i vogël. Më vonë fillova të blija fletë, telajo, bojra dhe lapsa dhe kështu nisi, duke bërë një pikturë dhe duke parë që kisha talent, bëra dy, tre, katër dhe pesë piktura derisa u fokusova 100 për qind tek piktura.
CMG: Ju keni mbaruar Liceun Artistik në Korçë për pikturë?
Mateo Hoxhalli: Unë kam bërë shtatë vite kurs privat pikture si dhe kam studiuar tre vite në Liceun e Korçës në degën e pikturës. Aktualisht studioj te Universiteti e Arteve në vitin e parë për pikturë.
Mateo duke pikturuar (Foto personale)
Mateo Hoxhalli (Foto personale)
CMG: Sa ju ka ndihmuar shkolla që të profesionalizohesh në këtë fushë?
Mateo Hoxhalli: Shkolla më ka ndihmuar shumë sepse një artist sado të dijë të pikturojë dhe ta ketë të lindur këtë pasion, por i duhet pjesa e shkollimit, mënyra sesi të pikturosh. Pra duhen të gjitha edhe leximi sepse duhet të lexosh libra si dhe historinë e artit.
CMG: Çfarë zhanri të pëlqen më tepër të pikturosh?
Mateo Hoxhalli: Mua më pëlqen të punoj kryesisht vaj në telajo. Punoj me shumë modele nga natyra, peisazhe, portrete, portrete kafshësh, xhami dhe kisha.
CMG: Mateo keni hapur ekspozita personale apo keni marrë pjesë në ekspozita kolektive?
Mateo Hoxhalli: Gjatë kohës që kam qenë në kurs për pikturë kam bërë ekspozita në kolektiv me shokët dhe shoqet e kursit, por edhe vetë kam bërë një ekspozitë personale kur kam qenë në vitin e parë për pikturë në Liceun Artistik të Korçës. Së shpejti kam dëshirë të hap një ekspozitë këtu në Tiranë.
CMG: Gjatë ditëve të festave të fundvitit keni punuar në sheshin Skënderbej, duke realizuar piktura dhe karikatura për qytetarët shqiptarë dhe turistët e huaj. Si ju lindi kjo ide?
Mateo Hoxhalli: Në dhjetor unë mendova se çfarë mund të bëja diçka për festat e fundvitit që të fitoja dhe disa të ardhura. Mendova që të realizoja karikatura sepse ky zhanër më buron nga shpirti, sepse unë jam edhe pak komedian dhe bëj humor. Kështu që i bashkangjita këto të dyja për të bërë diçka që të qeshim edhe me vizatimin dhe mendova të bëja karikaturë. Dola tek sheshi ku bëra një karikaturë, dy, tre dhe katër dhe e pashë që po ecte si punë dhe vazhdova me ditë këtë punë.
Mateo Hoxhalli duke bere nje portret (Foto personale)
Mateo Hoxhalli duke luajtur ne skene gjate nje komedie (Foto personale)
CMG: Sa karikatura keni realizuar në ditët e festave të fundvitit?
Mateo Hoxhalli: Të them të drejtën nuk i kam numëruar se janë shumë, por ka pasur kërkesë jashtëzakonisht të madhe.
CMG: Turistët e huaj nga cilat vende kanë qenë që kanë realizuar karikaturë këtu te ju?
Mateo Hoxhalli: Unë kam realizuar karikatura për turistë nga Kina, Franca, Roma dhe shumë vende të tjera të botës.
CMG: Sa kohë të duhet që ta mbarosh një karikaturë?
Mateo Hoxhalli: Kjo varet sa persona janë se nëse janë dy persona që i bëjmë në një fletë do të vonohemi pesë minuta, nëse është vetëm një person vonohem dy-tre minuta.
CMG: Më e lehtë është piktura apo karikatura?
Mateo Hoxhalli: Për mua janë të lehta të gjitha dhe duhet të punosh vazhdimisht se kjo është një punë që po e le të la. Duhet të ushtrohesh çdo ditë, dhe unë kam punuar çdo ditë që ta bëj një karikaturë për dy minuta.
Mateo Hoxhalli duke pikturuar (Foto personale)
Mateo Hoxhalli gjate punes (Foto personale)
CMG: Sa orë në ditë keni punuar gjatë ditëve të festave?
Mateo Hoxhalli: Kam sakrifikuar pak me thënë të drejtën sepse kam punuar 12 orë në ditë, duke filluar nga ora 12 e drekës dhe deri në orën 12 të natës. Në natën e ndërrimit të viteve kam punuar deri në orën 2 të natës. Vitin e Ri fatëkeqësisht por edhe fatmirësisht e kam kaluar duke punuar tek sheshi Skënderbej.
CMG: A është e vështirë të mbijetosh me artin në Shqipëri?
Mateo Hoxhalli: Unë them se është diçka e mirë dhe mendoj se Shqipëria mund të ecë përpara me frymë të re. Artisti duhet të ketë parasysh diçka, që nëse nuk prodhon nuk mund ta quajmë artist. Artisti duhet të mendojë vazhdimisht se çfarë mund të bëjë që të ecë vendi përpara dhe këto risi që po sjell unë dhe pse jo të sjellin dhe kolegë të tjerë do jetë diçka shumë e mirë për vendin tonë.
CMG: Ke menduar që në sezonin veror të shkosh në vendet bregdetare dhe të realizosh karikatura për qytetarë shqiptarë dhe turistë të huaj?
Mateo Hoxhalli: Duhet të mbyllim njëherë këtë sezon pastaj të shohim për sezonin veror.
CMG: Si erdhi momenti për t’u marrë me karikaturën?
Mateo Hoxhalli: Siç e përmenda dhe më lart që ka të bëjë dhe komedia, pjesa e aktrimit. Piktorët e tjerë janë piktorë, por nuk mund të bëjnë të gjithë karikatura sepse duhet të kesh pak shpirtin e humorit, që t’i bësh edhe njerëzit të qeshin.
Mateo Hoxhalli ne interviste per CMG
Mateo Hoxhalli ne momente pune (Foto personale)
CMG: Si ju lindi pasioni për aktrimin dhe pse nuk vazhduat shkollën për aktor?
Mateo Hoxhalli: Unë aktrimin e kam nisur që në moshë të vogël, ku në klasën e pestë imitoja personazhet e spektakleve të humorit Portokallisë dhe Al Pazarit. Kjo gjë më hyri në qejf, ku pak nga pak vazhdova të krijoj personazhet e mi. Unë kam dëshirë që të marr pjesë dhe në ndonjë spektakël humori, por nuk e di sa do të jetë e mundur.
CMG: Nëse do të merreni me komedinë a do ta lini pikturën?
Mateo Hoxhalli: Unë i dashuroj që të dyja, nuk e le dot as aktrimin dhe as pikturën sepse zemra është e ndarë në gjysmë, ku gjysma është aktrim dhe gjysma tjetër pikturë.
CMG: Mendoni që në të ardhmen të hapni ekspozita dhe në vende të tjera?
Mateo Hoxhalli: Patjetër, por si fillim mendoj se duhet të mbaroj shkollën dhe më pas nuk i dihet se çfarë do të na sjellë jeta. Kush është ai artist që nuk ka dëshirë të promovojë veten jashtë shtetit?
CMG: E shikoni veten në Shqipëri apo mendoni që në një të ardhme të largoheni?
Mateo Hoxhalli: Nuk e di, varet sesi vijnë rrethanat, por kam dëshirë të qëndroj në Shqipëri dhe të më njohin njerëzit për artin që unë bëj.
CMG: Si kanë reaguar turistët kinezë kur kanë parë karikaturën që ju keni realizuar?
Nje zonje me karikaturen e realizuar nga Mateo Hoxhalli (Foto personale)
Mateo Hoxhalli: Qëllimi i karikaturës është që nëse ja tregon personit që bën ai duhet të qeshë, sepse nëse nuk qesh është një punë e dështuar. Turistët kinezë që kanë ardhur kanë qeshur dhe nuk ka njeri që nuk i ka pëlqyer karikaturat. Unë kam stilin tim dhe duket dora ime në çdo karikaturë.
CMG: Tani veprat tuaja mbahen në çdo familje në korniza. Si ndjeheni për këtë?
Mateo Hoxhalli: Kjo është gjë e mirë që vepra jote të ekspozohet në një shtëpi sepse duke bërë 100 karikatura, krijimi yt ekspozohet në 100 shtëpi, dhe ky është një privilegj shumë i madh.
CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit tanë dhe miqtë tuaj.
Mateo Hoxhalli: Ju përshëndes të gjithëve dhe kënaqësi që na ndoqët.
Intervistoi: Gazmend Agaj