Në stendat e librarive ditët e fundit gjendet edhe romani me titull “Banorët e Mjegullës” me autor gazetarin Saimir Lleshi, si sprovë e parë e tij në fushën e letërsisë. Sipas autorit “mjegulla” në këtë rast nuk është një turbullirë që ndodh zakonisht nëpër lugina, por një proces i gjatë dhe pa kohë në mendjen e banorëve, pjesë e së cilës është edhe një nga dy personazhet kryesorë. Në një pikëpamje, libri është një histori dashurie, në një tjetër këndvështrim është dëshmi kronikale për jetën e banorëve të “humbur” të një shteti, por pa qenë një kronikë. Atëherë, çfarë është ky roman? Pas leximit të librit, secili lexues do të ketë një këndvështrim të vetin, duke bërë edhe krahasimet përkatëse me autorë me rëndësi në letërsinë botërore, ndërsa vetë autori jep pikëpamjen e tij nëpërmjet kësaj interviste të shkurtër.
Saimir Lleshi (burimi foto personale)
Saimir ka dashur t’i afrohet botës përmes fjalës dhe këtë gjë e ka arritur.
“Mundimi i netëve pafund për të shkruar një roman me një lloj niveli kurorëzohet me botimin e tij. Deri në këtë çast është diçka thuajse e magjishme. Ndoshta e teproj kur them se është gati njësoj si emocioni i një nëne kur pret krijesën e saj të vijë në botë. Ndryshe nga ajo, me shkrimtarët, veçanërisht me të rinjtë, më pas fillon një periudhë “kotësie”, një dëshirë e ankthshme për t’u zhdukur sa më larg e për të shpëtuar nga zbrazëtia e botës së rreme të rrjeteve sociale, thotë Saimir Lleshi.
Për Radio Ejani Saimiri ka zgjedhur të rrëfejë për jetën e tij dhe këtë hap të rëndësishëm në letërsinë shqipe.
CMG: Nisja e një jetë të bukur fillon më një fëmijëri të pasur, si ka qenë ajo për ju?
Saimir Lleshi: E përfshij veten tek ata me një fëmijëri “normale” ku asgjë nuk ishte e jashtëzakonshme, përveç ëndrrave mes asaj mjegulle në të cilën kishe përfunduar në këtë botë. Nëse do të më pyesnin nëse do të doja të kisha ardhur në jetë në shekullin XXI e për pasojë, jeta ime të ripërtërihej, do ta refuzoja me përçmim. Në fund të fundit, atëherë (këtu përfshij gjithçka përtej viteve 2000), kishte një lloj fëmijërie sado njerëzit mund të ishin të varfër, ose të “mjerë” nga pikëpamja intelektuale. Druaj se fëmijët e së tashmes dhe ato së të ardhmes mes makinerive të shumta, nuk do të ketë fatin ta kenë këtë fëmijëri të ëndërruar, të mahnitshme nga pikëpamja e mbresave që lë. Për mua ka qenë ajo fëmijëri modeste në shumë pikëpamje që më ka lënë gjurmë të pashlyera dhe imazhin e gjithë asaj përpjekje mbi të cilën është bazuar jeta ime më vonë. Edhe letërsia, nëse do të kem fatin të jem pjesë e saj, bazohet pikërisht tek ajo fëmijëri deri diku e largët, por vendimtare për gjithçka fantazoj për ta sjellë në letra në forma të tjera.
CMG: Cilat kanë qenë momentet në të cilat keni mësuar më tepër në jetë?
Saimir Lleshi: Nuk preferoj ta ndaj jetën me momente. Për pasojë, dua të shpëtoj nga tmerri i orëve që ikin. Por, jam i ndërgjegjshëm që nuk mund t’i shpëtoj matematikës edhe në letërsi dhe këto janë momentet. Momente mund të konsideroj si tronditës çastet kur kam zbuluar libra të rrallë. Në këtë këndvështrim kanë qenë disa momente të tilla. Një prej tyre, kur kam zbuluar librin “Ujku i Stepës” të shkrimtarit nobelist gjerman, Herman Hese. Ai ka qenë thuajse vendimtar në strugimin e botëkuptimit tim për letërsinë. Nuk mund të rri pa veçuar këtu edhe zbulimin e librit “Në Parantezë” të Roberto Bolaño, me të cilin jam përballur më vonë. Momente të tjera po kaq drithëruese kanë qenë pjesë nga njohja e thelbit të filozofisë së feve hyjnore. Nuk mund të mos kujtoj edhe mbresat e pazakonta që më kanë lënë pak, shumë pak njerëz në jetë. Midis tyre, është poetja e mirënjohur Luljeta Lleshanaku. Kur vjen puna tek letërsia shqipe, kam një lloj ndrojtje për të veçuar emra. Por, ky margaritar i penës shqipe më ka lënë mbresa, duke më hapur një portëz të re mbi njohjen e letërsisë.
CMG: Jeta juaj është produkt i fatit apo punës?
Kopertina e mjegullës (Foto personale)
Saimir Lleshi: Fati është rruga, rruga e panjohur ku ne ecim dhe ku kemi kaq shumë pikëpyetje dhe përballemi me kaq shumë të panjohura. Unë besoj tek fati dhe puna nuk është tjetër vetëm se mbështetëse e tij. Ky fat ka një përcaktues superior, të mbinatyrshëm. Nuk mund të kem shpjegim tjetër përtej tij, ndryshe do të përfundoj në fatalizëm dhe puna nuk është tjetër vetëm se një përpjekje e rëndomtë për të ilustruar të pamundurën. Njoh kaq shumë njerëz që bëjnë përpjekje të vogla dhe arrijnë suksese të mëdha e tjerë që bëjnë përpjekje gati vetëmohuese dhe kanë suksese të vogla. Midis këtyre dy dilemave të mëdha, unë shoh atë që ju e quan fat, unë do ta quaja përcaktim.
CMG: Cili është motivi më i madh që ke në jete?
Saimir Lleshi: Unë trembem nga motivet e mëdha, për sa kohë besoj tek përcaktimi. Këtu më vjen në ndihmë një tjetër libër që ka lënë gjurmë të pashlyera, siç është romani “Udhëtim i mbyllur” i Samuel Beckett. Gjithsesi, si të gjithë frymorët e kësaj bote, edhe unë përfshihem tek formula e ekzistencës mbi përpjekjen për të arritur diçka në jetë, por i ndërgjegjshëm se gjithsesi jeta është vetëm se një “lojë”.
CMG: Sa i rëndësishëm është për ju profesioni?
Saimir Lleshi: Është ai mbi të cilin kam vendosur udhëtimin e jetës sime. Shpesh e mendoj jetën edhe pa të, por gjithsesi jam gjithnjë brenda tij. Nëse do të mendonim si shumë shkrimtarë që jeta është e mbushur me kotësi, atëherë ky profesion është “kotësia” që di të bëj më së miri. Gazetaria është një mundësi e artë për të njohur realitetin e botës në shumë pikëpamje dhe për këtë, mendoj se ia ka vlejtur. Për më tepër, ka qenë një ‘mineral’ i çmuar mbi rrënjët e letërsisë.
CMG: Çfarë mendoni kur shkruani?
Saimir Lleshi: Kur shkruaj dua të njoh veten dhe të kuptoj në mund të arrij që përmes të të menduarit të njoh format më të panjohura të ekzistencës. Siç e kam thënë edhe në një intervistë të mëparshme, në aspektin personal shkruaj për të përballuar në forma të tjera vetminë e ftohtësisë së botës. Nuk shkruaj për të tjerët, megjithëse fatalisht atje përfundojmë dhe jemi të detyruar të shkojmë.
CMG: Cilat janë impresionet tuaja pasi e botuat librin?
Saimir Lleshi: Do të kisha dashur të shkruaja, të botoja dhe librat e mi të përfundonin në ‘eter’. Unë ndërkohë të shkruaja ende në një shtëpi pranë një pylli të dendur dhe një përroi të kristaltë. Nuk e di nëse ndonjë shkrimtar e ka pasur një fat të tillë, por besoj se periudha më e magjishme e letërsisë së botës ka qenë fundi i shekullit të shkuar dhe veçanërisht ajo e klasicizmit.
CMG: Lexuesi shqiptar, si e ka pritur librin?
Saimir Lleshi ( foto personale)
Saimir Lleshi : Të jemi të sinqertë, jetojmë në një epokë ku shkrimtarët e kanë të vështirë të dalin përtej radhëve të të njohurve të tyre. Kur flasim për lexues shqiptar e kam të vështirë të flas në emër të tyre. Në realitet ndodh e kundërta dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë. Shihni në televizione se me sa shumë “pathos” flitet për shkrimtarë të caktuar nga miq të tyre që njëkohësisht flasin edhe në emër të lexuesve. Jetojmë në epokën ku nuk ka rëndësi më se çfarë shkruan, por se çfarë tregohet në media për ty. Nuk do ta doja këtë për të mos i shtuar më doza ironie gënjeshtrës së jetës.
CMG: A i mirëprisni kritikat?
Saimir Lleshi: Disa prej atyre që më kanë lexuar më kanë dhënë edhe kritikat për librin. Asnjërit prej tyre nuk i kam bërë “bllok” në Facebook. Përkundrazi, më kanë shërbyer si një pasqyrë e qartë e asaj që kam shkruar dhe në këtë mënyrë kam kuptuar mesazhin e asaj që kam dashur të jap përmes romanit tim “Banorët e mjegullës”. Për këtë roman, jam interesuar shumë pak për pjesën e fabulës, pika përbashkuese e atyre që më kanë thënë një lloj ‘kritike’ dashamirëse. Unë u jam mirënjohës për sa kohë besoj se të gjithë ata janë lexues të mirë dhe për pasojë nuk mund të jepnin ‘verdikte’ të këqija.
CMG: Çfarë ndodh me autorin pasi boton një libër, punon për ribotim apo pushon për një periudhë? Në çfarë faze jeni ju?
Saimir Lleshi: Në kokën time po qarkullon si një lloj vorbulle cikloni një roman tjetër. Tani, e gjithë çështja është për ta nxjerrë prej andej dhe për ta shtruar në atë kopshtin e bekuar.
CMG: A ka ndihmuar gazetaria, profesioni juaj, që natyrshëm i mpreh edhe më tepër shqisat, për ta bërë edhe më të vërtetë këtë rrëfim të jetës së banorëve të mjegullës?
Saimir Lleshi: Gazetaria është një kuvertë e madhe nga ku shpalosen të gjitha paradokset e mundshme të një shoqërie. I gjithë problemi është “mbledhja” e tyre për t’i kthyer në mjete të nevojshme në funksion të letërsisë. Kanë qenë pikërisht këto paradokse, ato që më kanë dhënë shtysë për të nisur këtë roman. Grumbullimi i këtyre elementëve është bërë për një kohë të gjatë dhe më pas janë renditur që për nga përmasa e librit, sigurisht nuk e plotëson të gjithë kuadrin. Pavarësisht se profesioni më ka dhënë mundësinë e pafundme të njohjes së realitetit, qëllimi ishte që ky realitet të pasqyrohej përmes një të “huaji”, në këtë rast një emigrant.
CMG: Kujt do t'ia dedikonit suksesin në jetë?
Saimir Lleshi: Nuk e konsideroj veten të suksesshëm
Intervistoi: Megi Latifi