Ekspertët, ekonomia shqiptare ngadalëson rritjen në 2023
2023-01-10 18:05:55

Ekonomia shqiptare do të ngadalësohet ndjeshëm në vitin 2023. Parashikimin më konservator e bën Fondi Monetar Ndërkombëtar sipas të cilit ekonomia shqiptare do të rritet me vetëm 2% në vitin 2023, më e ulëta në rajon. Kriza globale e çmimeve dhe presionet inflacioniste mbeten rreziqet kryesore, duke bërë që si qeveria ashtu edhe organizmat ndërkombëtare të kenë projeksione më pesimiste për ecurinë e ekonomisë. Eksperti ekonomisë  Igli Tola shprehet se ky vit nuk do të jetë i lehtë për ekonominë shqiptare dhe atë globale.

Igli Tola (Burimi Foto Facebook)

Igli Tola (Burimi Foto Facebook)

“Janë dy shqetësime që ndjejnë qytetarët, çmimi i naftës, të cilin nuk e përdorin thjesht si konsumator i përditshëm, por edhe si fermerë. Nafta është produkt që taksohet më së shumti në Shqipëri përveç akcizës, taksës së qarkullimit, taksohet me gjashtë taksa dhe përjetojmë një krizë e cila niset dhe ka spunto nga konflikti në Ukrainë. Pra direkt pas pandemisë ne po përballemi me një krizë të rritjes së çmimeve. Parimisht duke nisur me inflacion që është elementi më shqetësues në ekonominë shqiptare, ku u arritën nivele rekord të inflacionit mbi 8%. Ndërkohë dhe produktet e shportës pësuan një rritje akoma dhe më të rëndë, rritje që shkoi mbi masën 32% për periudha të caktuara kohore. Nga ana tjetër kjo krizë çmimesh u shoqërua me pasoja të tjera në treg, ku normalisht u reflektua në çmimet e energjisë dhe pse qytetarët në radhë të parë nuk u prekën”, thekson eksperti.

Në vlerësimet e saj të fundit, Shqipëria pritet të ketë rritjen e prodhimit të brendshëm bruto 2.3% për vitin 2023, nga 3.2% të pritshëm në 2022, ndikuar nga ecuria mjaft pozitive e turizmit.  Thuajse në të njëjtat nivele e parashikon edhe Banka e Shqipërisë rritjen ekonomike për 2023, në 2.4% ndërsa evidenton inflacionin e lartë si rrezikun kryesor të ekonomisë.

Ekonomia shqiptare (Foto monitor.al)

Ekonomia shqiptare (Foto monitor.al)

Më optimiste ndërkohë është qeveria që në skenarët e  saj më negativë pret që në vitin 2023 ekonomia të zgjerohet me vetëm  2.6%, dukshëm me rënie krahasuar me pritshmëritë e vitit 2022 në 3.7%.

Shumë drejtues ekzekutivë, investitorë dhe konsumatorë janë të shqetësuar për mundësinë e një recesioni në vitin 2023. Por, Moody’s Analytics thotë se skenari më i mundshëm është “ngadalësimi ekonomik” (slowcession), një fazë ku rritja ekonomike është pothuajse zero, por arrihet që të shmanget rënia e plotë ekonomike.

“Bizneset në vend janë detyruar të paguajnë çmime shumë të larta dhe kjo është reflektuar edhe në kostot e tyre, duke rënduar kështu edhe pozitën e tyre. Kanë filluar pasojat që në këtë periudhë, sepse mjafton të shohim që edhe me sezonin veror shumë biznese ankoheshin dhe për mungesë stafi. Nga ana tjetër edhe tentativa për të marrë punonjës nga vende të huaja nuk rezultoi e suksesshme, sepse këta qytetarë vijnë me synimin për të kaluar drejt vendeve të eurozonës”,tha Tola

Në mbyllje të vitit 2022 ministrja e ekonomisë dhe financave Delina Ibrahimaj teksa analizoi të ardhurat për tremujorin e tretë të vitit, tha se Shqipëria ka rritjen më të lartë në rajon. Sektori i ndërtimit dhe i bujqësisë kanë pasur ndikim kryesor në rritje.

Ekonomia gjatë 2023 (Burimi monitor.al)

Ekonomia gjatë 2023 (Burimi monitor.al)

‘Pritshmëria jonë për mbylljen e vitit 2022 vijon të mbetet në 3.7% dhe ecuria e tremujorit të 4-të e mbështet këtë rritje ekonomike. Në Shqipëri është shfaqur me një rritje 4%, e cila është dhe rritja më e lartë në rajon, Kosova është rritur me 2.7%, Maqedonia e Veriut me 2%, Mali i Zi me 2.8% dhe Serbia me 1%.”, theksoi ministrja

Norma e inflacionit për dhjetorin ishte 7.9 % nga 8.3 në tetor dhe nëntor, duke u ulur për herë të parë. Ndikimin kryesor në inflacion e ka ushqimet dhe pijet që ka pasur norma rritje të çmimeve më të larta se norma e përgjithshme e inflacionit.

Konflikti Rusi-Ukrainë, rritja e çmimit të energjisë dhe ngadalësimi i rritjes ekonomike botërore shihen si faktorët kryesorë edhe nga Banka Botërore që pritet të ngadalësojnë ritmet e rritjes ekonomike të Shqipërisë.