< img height="1" width="1" style="display:none"src="https://www.facebook.com/tr?id=514174860241230&ev=PageView&noscript=1"/>
Muralja e Tiranës përzgjidhet në listën e 100 më të mirave në botë për 2022
2023-01-10 18:04:05

Një prej muraleve të Tiranës është përzgjedhur ndër 100 më të mirat e botës. Muralja me titull “Perceptimi 2,0” realizuar nga artisti zviceran Fabian Florin  Bane, ndodhet në rrugën “Irfan Tomini” në Tiranë dhe tashmë është në garë për vendin e parë, si muralja më e mirë në të gjithë botën. Ky festival, i cili ka nisur prej datës 6 shtator, sipas kuratorit Helidon Haliti këtë vit përveç se solli murale fantastike solli dhe një fitore për vendin tonë.

Helidon Haliti (FOTO TiranaEYEC2022)

Helidon Haliti (FOTO TiranaEYEC2022)

“Mural festi është një nga aktivitetet më atraktive të artit pikturik të eksterierit që zhvillohet gjatë vite të fundit, të organizuar nga Dekor Tirana me shumë sukses. Ka sjellë artistë shumë të mirë të këtij lloj arti dhe për hir të së vërtetës janë shumë të rrallë. Nuk janë si artistë të artit pikturit të interierit që kapin dhe shifra të frikshme 1-2 milionë në të gjithë botën. Janë këta artistë që nuk e kapin numrat në asnjë mënyrë të tillë”, shprehet kuratori Haliti.

“Street Art Cities” është një platformë globale me një mision për të promovuar dhe dokumentuar artin urban në botë. Pjesë e kësaj platforme janë 1100 qytete nga 93 shtete me mbi 40 mijë vepra arti. Kjo platformë  ka përzgjedhur 100 muralet më të mira dhe ka hapur votimin për fituesin.

Muralja e përzgjdhur (Foto Tiranapost)

Muralja e përzgjdhur (Foto Tiranapost)

“Fakti që Tirana është një qytet tejet atraktiv dhe ishte kryeqyteti i rinisë europiane,  artistët e panë me shumë interes ftesën time. Ata janë të përzgjedhur me shumë kujdes nga unë mes qindra të tjerëve. Unë përzgjodha njëzet artistë që bëjnë 10 mure, sepse ata punojnë si skuadër fiks. Ishte një negociatë prej gjashtë muajsh bashkë me menaxheren e Fabian Bane, i cili është më i shtrenjti në treg. Është nga Zvicra me një histori shumë të çuditshme mbas tij, sepse e pranoi ftesën dhe më tregoi historinë e cila kishte qenë me dilema të mëdha në rininë e tij. Por tani është përqendruar te arti dhe është bërë një nga artistët më të mëdhenj të këtij arti dhe një figurë qendrore që do ta mernin shembull shumë të rinj. Ka një procedurë të kryerjes së një vepre arti dhe këtë e kryem me sukses. Padyshim ai ka qenë superstari i kësaj skuadre, ka pasur dhe emra të tjerë si surpriza e danezit Bodan Scooter, apo Esabus nga Franca, një artist tjetër italian Jacometi dhe gjermanit Kartel, të cilët lanë vepra shumë të mira në qytet”, tregon kuratori.

Muralja perceptimi 2.0 (Foto atash.al)

Muralja perceptimi 2.0 (Foto atash.al)

Mural Fest Tirana” është një nga aktivitetet më të veçantë që zhvillohet në kryeqytet për të pestin vit radhazi, si nismë e Agjencisë së Dekorit nga Bashkia e Tiranës, këtë herë edhe në kuadër të titullit “Tirana, Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022”.

“Kjo i shërben Shqipërisë shumë pasi është një investim embrional, që duke hedhur më pak para por shumë energji bën një reklamë shumë të mirë. Ky festival kaq prestigjoz tashmë ndodhet në Shqipëri, kështu që të gjitha websitet i kanë marrë punimet dhe ai që ka ecur më shumë ka qenë Fabian Bane. Tani është më i miri jo vetëm i muajit tetor, por i vitit 2022. Ndërmjet 100 veprave të mira është përzgjedhur ndër mijëra të tilla në të gjithë botën. Kështu kemi pasur dhe vitet e kaluara dhe këto emra i bëjnë mirë Shqipërisë.”, vlerëson Haliti

Muralja perceptimi (Burimi atsh.al)

Muralja perceptimi (Burimi atsh.al)

Çdo vit, në kryeqytetin shqiptar organizohet “Mural Fest Tirana”, një prej festivaleve më të veçanta të artit. Kjo traditë është nismë e drejtorit të Agjencisë së Dekorit, Henri Çule, kuruar nga piktori dhe artisti i mirënjohur shqiptar Helidon Haliti.

Lajmet Kryesore

Our Privacy Statement & Cookie Policy

By continuing to browse our site you agree to our use of cookies, revised Privacy Policy. You can change your cookie settings through your browser.
I agree