Fshati Gaoling, nga ndotja e rëndë në shembullin e ndërtimit ekologjik
2023-01-10 12:43:56

foto nga VCG

Soditi lulet në mëngjes, shijoi çaj paradite, pushoi pak nën rrezet e diellit në mesditë dhe shikoi një shfaqje në mbrëmje......gjatë pushimeve të Festës së Vjeshtës (shtatorin e kaluar), vizitori Xia shijoi jetën idilike në fshatin Gaoling të provincës Jiangxi në Kinën Jugore.

“Një vit më parë, kur sapo u hap zona turistike e fshatit Gaoling, erdha këtu dhe u tërhoqa nga panorama e bukur dhe trashëgimia e thellë kulturore. Por këtë vit unë erdha sërish dhe këtë herë së bashku me familjen po shijojmë jetën ekologjike këtu.” tregon Xia.

Fshati Gaoling ndodhet pranë qytetit Jingdezhen, që njihet si “Kryeqendra Botërore e Porcelanit”. Që prej kohëve të lashta, fshati Gaoling ka qenë vendburimi më i rëndësishëm i lëndëve të para të prodhimit të porcelanit të Jingdezhen-it, madje edhe minerali emërtohet pikërisht me emrin e këtij fshati, “kaolin”. Por njëkohësisht, ky fshat ka vuajtur shumë nga ndotja e rëndë e shkaktuar nga industria e porcelanit.  Ndërsa sot, ajri i freskët dhe kopshtet e çajit me sipërfaqje të mëdha në fshatin Gaoling përbëjnë kartëvizitën e bukurisë ekologjike të Jingdezhenit. Nga përballja me momentin më të errët të mbrojtjes së mjedisit deri te kthimi në një shembull të ndërtimit të qytetërimit ekologjik, çfarë ka përjetuar fshati Gaoling?

foto nga VCG

foto nga VCG

Kjo është hera e dytë që pekinasi Han Lin vjen në qytetin Jingdezhen, ndërsa hera e fundit ishte rreth 40 vite më parë, në vitet 80-të të shekullit të kaluar. Ai ende kujton kushtet e atëhershme mjedisore të qytetit: oxhaqe gjithandej, tymi i zi në të katër anët dhe i gjithë qyteti mbuluar me smog. Kur dola jashtë, rrobat e bardha u bënë të zeza brenda gjysmë ore.”

Kujtimet e Hanit vërtetohen nga Wang Yao, presidenti i grupit “Macja e Zezë” të Jingdezhen-it. “Si pasojë e ajrit të keq, atëherë një pjesë e konsiderueshme e banorëve në Jingdezhen vuanin nga problemet me hundët dhe grykët.” Grupi “Macja e Zezë” fillimisht u mor me industrinë e koksifikimit. Ai u themelua në vitin 1983 për të ndryshuar strukturën e porcelanit gjatë djegies dhe për të zgjidhur problemin e ndotjes gjatë prodhimit në fabrikat e porcelanit, duke kontribuuar fillimisht në përmirësimin e mjedisit të Jingdezhenit. 

Por në vitin 2016, gjatë një kontrolli nga një ekip i Inspektoriatit Qendror për Mbrojtjen e Mjedisit, u kuptua se ky grup që lindi për mbrojtjen e mjedisit, ishte kthyer në “fajtorin e ri të ndotjes” për shkarkimin e drejtpërdrejt të gazit të mbetur nga koksifikimi dhe çlirimi i tepërt i dioksidit të squfurit dhe oksidit të azotit. Për sistemimin e ndotjes, grupi “Macja e Zezë” investoi plot 400 milionë juanë (58 milionë dollarë amerikanë), duke zbatuar radhazi 19 projekte për mbrojtjen e mjedisit, përfshirë sistemin e heqjes së elementeve sulfurike dhe nitrike nga tymi, instalimet e trajtimit të ujërave të mbetura nga repartet biokimike etj.

“Pas sistemimit dyvjeçar, në vitin 2018 të gjitha objektet që shkaktonin ndotje u hoqën nga lista e Inspektoriatit Qendror për Mbrojtjen e Mjedisit,” thotë Wang Yao, presidenti i grupit “Macja e Zezë”. “Mbrojtja e mjedisit është një luftë afatgjatë. Megjithëse nuk përfshihemi më në listën e zezë, tani përpjekjet tona nuk do të ndërpriten për shndërrimin e oborrit të fabrikës në një kopsht lulesh dhe për zgjerimin e shërbimeve tona në turizëm.” - shton Wang.

foto nga VCG

foto nga VCG

Fshati Gaoling është pikërisht shembulli i suksesshëm i grupit “Macja e Zezë” në tranzicionin drejt zhvillimit të gjelbër. “Pas fitores së organizuar për korrigjimin e mbrojtjes së mjedisit, grupi ynë investoi 5 miliardë juanë (731 milionë dollarë amerikanë) në ndërtimin e kompleksit idilik në fshatin Gaoling,” - thotë Liu Dingjia, drejtori i kompanisë së industrisë kulturore e turistike “Kaimenzi” pranë grupit “Macja e Zezë”. “Të mbështetur në epërsitë e veçanta të fshatit Gaoling, si burimi i porcelanit, vendlindja e çajit dhe pylli i pamatë, ndërtuam kompleksin e turizmit idilik në këtë fshat, të karakterizuar nga bujqësia ekologjike, kultura e çajit dhe ajo e porcelanit.” shton Liu. Për këtë shërbim të ri të grupit të tij, presidenti Wang Yao shprehet me shumë besim: “Kompleksi idilik ka një hapësirë të madhe zhvillimi. Jam shumë optimist për të.”

Fshati Gaoling shërben jo vetëm si simboli i tranzicionit të grupit “Macja e Zezë” nga një “ekonomi e bronztë” në “ekonomi të gjelbër”, por gjithashtu edhe një model i suksesshëm për qytetin Jingdezhen në zhvillimin e gjelbër. Sot, në bazë të një sërë ndërhyrjesh të forta ekologjike, “Kryeqendra Botërore e Porcelanit” është shndërruar në “Kryeqendrën Ekologjike të Porcelanit”. Gjatë pesë viteve të fundit, përqindja e ditëve me cilësi të mirë ajri në këtë qytet arriti 99.7 për qind, ndërkohë që 100 për qind e burimeve të ujit të pijshëm arritën në standardin kombëtar. (Wang Lei/ Laçi)