Sa më shumë bën zhurmë pala amerikane për "shkëputje", aq më shumë investime të huaja hyjnë në Kinë.
2023-01-10 09:57:53

“Investitorët globalë janë të etur të kthehen në Kinë për të bërë biznes.” Kështu komentoi ditët e fundit media britanike “Financial Times” duke iu referuar fjalëve të ekspertëve të investimeve. Që nga data 8 janar, parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Kinë kanë hyrë në një fazë të re, duke sjellë besim të fortë tek investitorët globalë. Shumë dhoma të huaja të tregtisë në Kinë dhe institucione të tjera besojnë se rifillimi i shkëmbimeve të personelit kinez e të huaj dhe të udhëtimeve të biznesit do të përshpejtohet. Shumë ndërmarrje me financim të huaj thanë se kanë filluar të hartojnë programe për vizita të nivelit të lartë në Kinë, të promovojnë në mënyrë aktive rifillimin e projekteve të lidhura me to dhe të kërkojnë mundësi të reja investimesh. Uebsajti i “Wall Street Journal” raportoi të hënën se njerëzit e biznesit do të shkojnë përsëri për hetim në tregun në rritje të shpejtë të Kinës.

Foto:CMG

Foto:CMG

Aktualisht, në Kinë, fluksi i njerëzve nga qarqet e biznesit është rritur, tregu kulturor dhe i turizmit është zgjeruar dhe projektet madhore në shumë fusha kanë nisur intensivisht... "Kina në lëvizje" është rikthyer. Sipas ekonomistëve të cituar nga “Reuters”: "Një rimëkëmbje e fortë ekonomike është përpara."

Në tre vjetët e fundit, një grup njerëzish në Shtetet e Bashkuara janë përpjekur të gjejnë gabime, duke folur keq për ekonominë kineze dhe duke bërtitur për "shkëputje" nga Kina. Kur gjendja epidemike ishte serioze, Kina ndoqi një politikë të rreptë antiepidemike. Ata pretenduan se besimi i investitorëve të huaj te Kina kishte rënë dhe se ishte e vështirë të bëhej biznes, dhe i kërkuan Kinës "të hapej". Nga ana tjetër, kur Kina përmirësoi masat e parandalimit të epidemisë sipas gjendjes konkrete, ata prapë pretenduan se epidemia do të sjellë rreziqe për ndërmarrjet e huaja në Kinë. Me pak fjalë, çfarëdo që të bëjë Kina, ata nuk ndryshojnë qëndrim, dhe bëjnë gjithçka që është e mundur për të “transferuar” zinxhirin industrial jashtë Kinës. Kjo sjellje tipike me standarde të dyfishta pasqyron paragjykimin e tyre të rrënjosur thellë kundër Kinës.

Megjithëse ata kanë tre vjet që po bërtasin, nuk ia kanë arritur qëllimit të tyre. Të dhënat tregojnë se në vitin 2020, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina u rrit me 6.2% krahasuar me vitin 2019. Në vitin 2021, kjo normë rritjeje parashikohet të shkojë në 14.9 %, duke e kaluar për herë të parë pragun prej 1 trilion juanësh dhe duke vendosur një rekord të ri historik. Në 11 muajt e parë të vitit 2022, përdorimi real i investimeve të huaja nga Kina e ka tejkaluar nivelin e të gjithë vitit 2021, me një rritje prej 9.9 % krahasuar me të njëjtën periudhë të atij viti. Kjo tregon se tregu kinez ka pasur gjithmonë një “forcë tërheqëse magnetike” për kapitalin e huaj.

Foto:CMG

Foto:CMG

Ajo që tërheq investimet e huaja janë epërsitë e pazëvendësueshme të zinxhirit industrial të Kinës. Sipas listës së furnizuesve të “Apple” për vitin financiar 2021 të publikuar në tetor 2022, 150 nga rreth 190 prej këtyre kompanive furnizuese kanë fabrika në Kinën kontinentale. Jo shumë kohë më parë, “Zeiss”, një lider global në industrinë optike dhe optoelektronike, hodhi gurin e themelit për projektin e vet të ri të kërkim-zhvillimit dhe bazës së prodhimit në Parkun Industrial të Suzhou-t. Xie Lei, kryezyrtari operacional i degës së kësaj kompanie në Kinë, tha: "Në thelb, brenda 200 kilometrave, 80 % e furnizuesve mund të bëhen partnerë të mirë." Përparësitë mbështetëse të zinxhirit industrial të pjekur të Kinës janë një nga arsyet e rëndësishme për investimin e “Zeiss”.

Fabrika e parë e projektit bazë të integruar të BASF-it në provincën Guangdong u vu zyrtarisht në punë, projekti i përmirësimit në shkallë të gjerë të bazës së prodhimit të kompanisë së automjeteve “BMW Brilliance” u hap zyrtarisht në Shenyang dhe Grupi “Panasonic” transferoi më shumë segmente biznesi, si prodhimi dhe shitja e pajisjeve të zinxhirit frigoriferik, në Kinë... Investimet e huaja në Kinë janë përshpejtuar kohët e fundit duke u bazuar në supertregun e Kinës me më shumë se 1.4 miliardë banorë, në faktin që në Kinë janë të gjitha kategoritë industriale të klasifikimit industrial të Kombeve të Bashkuara, në risitë që janë forca kryesore që udhëheq zhvillimin e Kinës, në hapjen e nivelit të lartë të Kinës dhe në perspektivën e zhvillimit të Kinës.

Foto:CMG

Foto:CMG

Më 1 janar hyri zyrtarisht në fuqi në Kinë “Lista e industrive ku inkurajohen investimet e huaja (Edicioni 2022)”. Versioni i ri i listës ka gjithsej 1 474 pika, 239 më shumë krahasuar me edicionin e vitit 2020, si edhe 167 rishikime, numri më i madh i shtesave në vitet e fundit. Kjo do të sigurojë më shumë hapësirë për zhvillimin e investimeve të huaja në Kinë dhe do të sjellë më shumë përfitime. Këto janë fakte që nuk mund të fshihen nga një grup njerëzish në Shtetet e Bashkuara.

Së fundmi, “Goldman Sachs”, “Morgan Stanley” etj., kanë rritur parashikimet e tyre për rritjen ekonomike të Kinës në vitin 2023. Një numër institucionesh ekonomike ndërkombëtare parashikojnë që, ndërsa parandalimi dhe kontrolli i epidemisë në Kinë hyn në një fazë të re dhe efektet e politikave të ndryshme vazhdojnë të shfaqen, funksionimi i përgjithshëm i ekonomisë kineze do të rimëkëmbet këtë vit. Disa analistë kanë theksuar se ekonomia e Kinës ka elasticitet të fortë dhe potencial e gjallëri të madhe dhe roli i saj si një "përshpejtues" për ekonominë botërore është i pazëvendësueshëm.