Kumbaro: Nis edukimi mjedisor nëpër shkolla
2023-01-10 15:59:01

Foto: VCG

Foto: VCG

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njoftoi se ka nisur procesi i edukimit mjedisor nëpër shkolla.

Përmes një postimi në rrjetet e saj zyrtare në mediet sociale, ministrja Kumbaro tha se ekspertë të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura do të informojnë dhe kultivojnë dashurinë për ekosistemet, biodiversitetin, lagunat, parqet dhe përkujdesjen ndaj tyre.

“Të edukojmë fëmijët që të na edukojnë ata ne! Ndërgjegjësimi për mjedisin s’bëhet me trokitje gishtash, por me edukim, pastaj me edukim dhe në fund me edukim. Kemi nisur të rrënjosim te fëmijët koncepte si riciklimi, ripërdorimi, kompostimi, bashkëjetesa e shëndetshme me florën e faunën”,- shkroi ministrja Kumbaro.

Ministrja theksoi se gjatë vitit 2022, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka realizuar 371 orë mësimore dhe theksoi se gjatë këtij viti pritet të ketë më shumë aktivitete. (Irma)