Ibrahimaj: 2022-shi, vit i rrethuar me pasiguri të larta, inflacioni sfidë
2023-01-09 17:50:32


Ministrja e Financave dhe Ekonomise Delina Ibrahimaj (financa.gov.al) 

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka bërë një përmbledhje të ecurisë ekonomike të vitit që lamë pas. Sipas saj, 2022-shi nuk ka qenë një vit i lehtë, pasi ka qenë i rrethuar me pasiguri të larta të cilat nuk janë materializuar ashtu siç priteshin, ndërsa ecuria e ekonomisë ka rezultuar më pozitive se pritshmëria.

Efektet e krizës sigurisht janë ndjerë në elementë të ndryshëm, si normat e larta të inflacionit apo ngadalësim në vëllim të importeve dhe eksporteve, ndikuar kryesisht nga produktet që kanë pasur rritjen më të madhe të çmimeve. Instituti i Statistikave njoftoi se në 9-mujorin 2022 rritja ekonomike ishte në 4.23%.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se kjo është një rritje reale e ekonomisë dhe e zhveshur nga ndikimet e çmimeve dhe efektet e tyre në komponentin e rritjes ekonomike.

“Përsa i përket krahasimit me vendet e rajonit, rritja ekonomike e tremujorit të tretë prej 4.02% ka qenë rritja më e lartë në rajon, krahasuar me Kosovën 2.7%, Maqedoninë e Veriut me 2%, Malin e Zi 2.8% dhe Serbinë 1%. Ka pasur një ngadalësim të rritjes në të gjithë vendet e rajonit në krahasim me tremujorin e dytë të vitit”- deklaroi ministrja Ibrahimaj gjatë një komunikimi me mediet.

Në rritjen ekonomike të vitit që lamë pas kontribut kanë dhënë sektorë të ndryshëm.

“Sa i përket analizës sipas sektorëve, përgjithësisht rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. Me rritje ka rezultuar sektori i bujqësisë, ndikuar kryesisht nga bujqësia dhe blegtoria. Ndërtimi ka vijuar të japë kontribut pozitiv në rritje dhe rritja ka qenë 10.66%, ndërkohë që kontributi në rritje ka qenë 0.99%. Tregtia, transporti dhe akomodimi ushqimor është një tjetër sektor që ka rezultuar në rritje dhe kontribut pozitiv në rritje, me një kontribut 1.94%, dhe sigurisht kjo ecuri është ndikuar qoftë nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor, i cili për tremujorin e tretë ka pasur një rritje prej rreth 25% duke ndikuar ecurinë e gjithë këtij sektori. Edhe tregtia me shumicë ka pasur ecuri pozitive. Me rënie është shfaqur industria me 1.38% dhe kontribut negativ në rritje. Në këtë ecuri ka ndikuar kryesisht industria nxjerrëse, e cila gjatë gjithë vitit ka qenë e karakterizuar nga çmimet, të cilat kanë ndikuar prodhimin në këtë sektor. Ndërkohë, industria përpunuese, pra manifaktura e lidhur kryesisht me kërkesën e huaj, fasonët apo prodhimet e drurit, kanë rezultuar me rritje pozitive dhe kontribut pozitiv në rritjen në këtë sektor. Gjithashtu, edhe energjia elektrike ka pasur një ndikim pozitiv në ecurinë e këtij sektori”- theksoi Ibrahimaj.

Ministrja është ndalur edhe te konsumi final i popullatës.

“Përsa i përket metodës së shpenzimeve, konsumi final i popullatës ka vijuar të jetë me rritje pozitive, rreth 8.09%. Siç është analizuar edhe më parë, konsumi final i popullatës përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve të ekonomisë shqiptare, rreth 70% të saj, dhe ka ndikimin më të madh në rritjen ekonomike. Nga ana tjetër, edhe formimi bruto i kapitalit fiks, i cili përafron investimet në vend, ka rezultuar me një rritje prej 7.12%, i ndikuar kryesisht nga sektori i ndërtimit, i cili për tremujorin e tretë është rritur me 10.66%. Gjithashtu, kemi pasur një rritje pozitive të eksporteve dhe të importeve të mallrave dhe shërbimeve”- tha Ibrahimaj.

Sipas Ministrisë së Financave, ecuria ekonomike është ndikuar më së shumti nga qarkullimi i të gjithë sektorëve, i cili për periudhën janar-nëntor 2022 ka rezultuar me një rritje totale prej 21%. Rritja ka qenë e shpërndarë në të gjithë sektorët. 50% e qarkullimit përbëhet nga sektori i shërbimit, i cili gjatë këtij viti është rritur me 11%, ndërkohë që ka pasur rritje pozitive në sektorin e prodhimit me 25%, në sektorin e ndërtimit me 17%, në transport me 28% dhe në sektorin e tregtisë më 24%.

“Nga ana e financimit, ecuria ekonomike është mbështetur nga ecuria e kredisë e cila për tremujorin e tretë për sektorin privat ka vijuar të mbetet me norma dyshifrore, rreth 12%. Për sa i përket financimit të konsumit, kredia konsumatore gjithashtu është rritur në tremujorin e tretë në nivelin 9.6%, ndjeshëm më i lartë krahasuar me vitin 2021 dhe i përafërt me fillimin e vitit 2022. Kjo ecuri e kësaj kredie sigurisht që tregon për prirjen e konsumatorëve për konsum dhe besimin e tyre në ekonomi. Një burim i rëndësishëm i financimit të konsumit, por edhe i financimit të kursimeve të individëve, janë edhe remitancat të cilat gjatë këtij viti kanë shfaqur tendencë rritëse, duke u rritur me 9.8% në krahasim me 9-mujorin e një viti më parë”- theksoi ministrja Ibrahimaj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, ecuri pozitive kanë pasur edhe investimet e huaja.

“Gjithashtu, investimet e huaja direkte kanë shfaqur rritje gjatë këtij viti. Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte për 9-mujorin 2022 janë rritur me 35% në krahasim me vitin e kaluar, ndërkohë që stoku i përgjithshëm i tyre është rritur me 18.5% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte kanë qenë të shpërndara në të gjithë sektorët dhe kanë pasur rritje në krahasim me vitin e kaluar në të gjithë sektorët. Megjithatë, sektori i pasurive të paluajtshme ka shfaqur rritjen më të lartë duke arritur vlerën 225 milionë euro ose 60% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Gjithashtu, industria nxjerrëse; energjia elektrike, gazi dhe furnizimi me ujë; industria përpunuese dhe aktivitetet financiare të sigurimit kanë pasur rritje të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte”-thotë Ibrahimaj.

Një nga sfidat më të mëdha të vitit që lamë pas ishte inflacioni, por që në Shqipëri mbetet më i ulët se normat e rajonit dhe BE-së.

“Doja të ndalesha të inflacioni, i cili ka qenë kryefjala dhe tema që kemi diskutuar më shumë gjatë vitit 2022. Sigurisht që ky vit ka pasur norma inflacioni të cilat prej vitesh nuk ishin shfaqur, të ndikuar më së shumti nga çmimet ndërkombëtare dhe efekti i konfliktit në Ukrainë. Megjithatë, për herë të parë në muajin nëntor patëm një normë mesatare inflacioni mujor më të ulët në krahasim me tetorin. Uroj që kjo të vijojë të jetë një tendencë rënëse, duke qenë se edhe gjatë periudhës së fundit të vitit të kaluar inflacioni filloi të shfaqte tendencë rritëse. Inflacioni në muajin nëntor arriti në nivelin 7.9% nga 8.3% që ishte në tetor, duke u ulur për herë të parë gjatë këtij viti. Ky inflacion vijon të mbetet ndjeshëm më i ulët se normat e rajonit apo BE-së. Në mesataren e 11-mujorit, ne kemi pasur një normë inflacioni prej 6.7%, e cila është sa gjysma e inflacionit të Maqedonisë së Veriut, por ndjeshëm më e ulët dhe sesa në Serbi, Kosovë dhe Malin e Zi, si dhe më e ulët sesa mesatarja e vendeve të BE-së, e cila ka qëndruar në nivelin 9%”,- theksoi ministrja Ibrahimaj.

Në muajin nëntor, inflacioni total në Shqipëri shënoi 7.9%, inflacioni i ushqimeve dhe pijeve shënoi 14.7%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 29.8%; 22.5% në Serbi; 17.9% në Kosovë dhe 30.2% në Malin e Zi.

Inflacioni i ushqimeve dhe pijeve në mesataren e vendeve të BE-së ka shënuar 17.9%.

Ministria e Financave bën të ditur se aktiviteti i biznesit ka ardhur në përmirësim gjatë vitit 2022. Numri i bizneseve të regjistruara aktive në nëntor të vitit 2022 ishte 125.971 biznese ose 8.2% më shumë në krahasim me fundin e vitit 2021. Në rritje ishte edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara, ndërsa numri i bizneseve të çregjistruara shënoi ngadalësim. Pra, totali i aktivitetit të bizneseve përbëhet nga rritja e numrit të bizneseve të regjistruara dhe rënia e numrit të bizneseve të çregjistruara, të cilat në vitin 2022 kanë rënë me 15.2%, ndërsa bizneset e reja të regjistruara janë rritur me 4.7%.

Pritshmëria e qeverisë shqiptare është që viti 2022 të mbyllet me një rritje ekonomike prej 3.7%.