Foto: Sokol Ymeraj gjate nje ndeshje futbolli
Sokol Ymeraj jeton prej dy vitesh në New York të SHBA-së, duke vazhduar karrierën e tij sportive në kontinentin e largët. Pasioni i tij për futbollin ka nisur që në moshë të vogël, dhe më pas ka vijuar të luajë me ekipet e futbollit të kategorisë së parë dhe asaj superiore në Shqipëri. Gjithashtu ai është aktivizuar edhe me kombëtaren e futbollit të të rinjve. Në një intervistë për Radio Ejani ai tregon për rrugëtimin e tij futbollistik si dhe integrimin në SHBA.
Sokol Ymeraj ne New York
CMG: Keni luajtur futboll me disa ekipe në Shqipëri, por kur nisi pasoni për sportin?
Sokol Ymeraj: Unë e kam nisur futbollin në moshën 5 vjeçare ku si çdo prind që do të shikojë fëmijën e tij të luajë futboll, dhe kështu fillova të merrem më këtë sport. Kam luajtur me ekipin e moshave në skuadrën e Apolonisë deri në moshën 15 vjeçare, pastaj jam transferuar në Tiranë ku kam luajtur tre vjet për Academy Internacional Tirana. Gjithashtu nga mosha 15 vjeç deri në 20 vjeç jam aktivizuar me kombëtaren e të rinjve. Kur kam mbushur 19 vjeç kam firmosur kontratë profesioniste me ekipin e Flamurtarit me profesor Ilir Dajën ku kam qëndruar një vit te ky ekip. Pas një viti kam luajtur në kategorinë e parë me Apoloninë, në vitin që kjo skuadër u ngjit në kategorinë superiore dhe mbas atij viti që luaja me Apoloninë jam transferuar në SHBA.
CMG: Si i kujtoni momentet me ekipet që keni luajtur futboll në Shqipëri?
Sokol Ymeraj: Normalisht është nostalgji shumë e madhe. Gjithashtu kur kam debutuar në kategorinë superiore në një moshë shumë të re 18 vjeç e pak ka qenë një emocion i papërshkrueshëm dhe shumë i bukur. Dua të falenderoj profesor Ilir Dajën për atë mundësi që më dha. Unë i kujtoj me shumë kënaqësi të gjitha momentet dhe gjithashtu i mbaj kontaktet akoma me shokët që kam atje dhe flasim disa herë.
CMG: Si arritët të transferoheshit në SHBA dhe cili është angazhimi juaj atje me futbollin?
Sokol Ymeraj: Unë u transefrova në SHBA nëpërmjet një agjensie italiane që kontrollohet nga një shqiptar. U kontaktova në vitin kur po luaja me ekipin e Apolonisë dhe më prezantuan me punën që ata bënin. Ata kishin kontakte me të gjitha kolegjet në SHBA, ku pasi më kontaktuan dhe biseduam disa herë e pranova me shumë kënaqësi dhe mendoj se kam bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme deri tani.
Sokol Ymeraj ne fushe
CMG: Kishit njohuri të angishtes kur ishit në Shqipëri apo e keni mësuar atje?
Sokol Ymeraj: Unë e kam mësuar gjuhën angleze në Shqipëri nëpërmjet shkollës, por e kam perfeksionuar më shumë kur kam ardhur në SHBA.
CMG: Si u integruat në muajt e parë me jetën në SHBA?
Sokol Ymeraj: Integrimi ka qenë pak i vështirë sidomos në muajt e parë për t’u ambientuar me klimën, me njerëzit dhe me ushqimin. Muajt e parë kanë qenë pak të vështirë, por tani ndjehem shumë mirë dhe ndjehem si në shtëpinë e dytë.
CMG: Ju merr malli për Shqipërinë tani që jeni larg?
Sokol Ymeraj: Patjetër që më merr malli shumë dhe problem është se nuk jam në Europë dhe mund të marr avionin e të vij për dy orë, por SHBA është larg. Kështu që më mungojnë shumë familjarët e mi dhe miqtë që kam atje. Dua të them që gjëja që më mungon më shumë është dhe ushqimi sepse ushqimi këtej është pak ndryshe.
CMG: Cilat kanë qenë sfidat tuaja këto dy vite në lidhje me futbollin në SHBA?
Sokol Ymeraj: Sfidat e mia më të vështira kanë qenë që të ambientohesha me futbollin në fillim, sepse futbolli në SHBA luhet pak ndryshe. Këtu trajnerët dhe lojtarët fokusohen më shumë në aspektin fizik sesa teknik dhe loja është më shumë fizike dhe më pak në aspektin teknik. Kështu që këto kanë qenë sfidat e mia të para që të ambientohesha pak me futbollin.
CMG: Në Shqipëri i ndiqni kampionatet e futbollit dhe cili është mendimi juaj për futbollin në Shqipëri?
Sokol Ymeraj: Patjetër që i ndjek kampionatet dhe futbolli në Shqipëri ka avancuar shumë sidomos me kushtet dhe cilësinë. Shoh që ka stadiume akoma më të mira, kushte më të mira dhe është shumë kënaqësi kur e shikoj. Mendoj se akoma ka shumë gjëra për t’u rregulluar, jo vetëm në cilësi por sidomos në fushat e tjera që të jenë akoma më të mira.
Futbollisti Sokol Ymeraj
CMG: Përveç futbollit a keni pasione të tjera në jetë?
Sokol Ymeraj: Kam qejf të studio. Në SHBA kam mbaruar bachelorin dhe tani jam duke bërë masterin. Kështu që studimet i kam me qejf, kam dëshirë të mësoj gjëra të reja për çdo gjë në jetë.
CMG: Si e kaloni kohën e lirë kur nuk merreni me sport?
Sokol Ymeraj: Më shumë kohën e lirë e kaloj duke studiuar dhe duke ndenjur me shokët e ekipit. Normalisht në kohën e lirë bëj gjëra normale që çdo njeri bën në jetë, nuk është se është ndonjë gjë e veçantë në SHBA që mund të bësh diçka ndryshe.
CMG: Ju pëlqejnë udhëtimet dhe a keni udhëtuar në shtete të tjera?
Sokol Ymeraj: Unë jetoj në New York dhe kam udhëtuar në disa shtete të SHBA-së dhe në Europë. Udhëtimet me të vërtetë i pëlqej.
CMG: Mendoni të ktheheni në Shqipëri, apo e shikoni jetën tuaj sportive në SHBA?
Sokol Ymeraj: E shikoj më shumë jetën time personale dhe atë sportive në SHBA sepse tani u bënë dy vjet që jetoj këtu dhe jam mësuar. Ky vend më pëlqen sepse po më ofron shumë mundësi.
Sokol Ymeraj ne SHBA
CMG: Ku i kaloni zakonisht pushimet?
Sokol Ymeraj: Për pushimet verore kam ardhur në Shqipëri, ku kam qëndruar gati një muaj me familjen në jug të Shqipërisë. Unë gjithmonë vij në vendin tim për pushimet verore.
CMG: Keni pasur dikë nga familja me sportin apo vetëm ju e ndoqët këtë pasion?
Sokol Ymeraj: Unë jam i vetmi person nga familja që luaj dhe e ndjek futbollin.
CMG: Çfarë pret nga viti 2023 në lidhje me sportin, por dhe në jetën tuaj personale?
Sokol Ymeraj: Pres që viti 2023 të më sjellë akoma mundësi më të mira në lidhje me futbollin që është aseti im kryesor ku fokusohem shumë. Pres akoma edhe më shumë nga vetja sepse unë jam gjithmonë një person që kërkoj shumë nga vetja. Përsa i përket jetës personale nuk di se çfarë të them, por pres që të jem këtu ku jam dhe të jetoj akoma në New York.
Intervistoi: Gazmend Agaj