Kumbaro: 7.5 milionë turistë vizituan Shqipërinë në 2022-shin
2023-01-09 12:55:51

Foto: ATSH

7.5 milionë turistë të huaj vizituan Shqipërinë gjatë vitit 2022.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjetet sociale statistikat lidhur me numrin e turistëve të huaj, duke u shprehur se viti 2022 pati fluks turistësh edhe në muajt e dimrit, një shenjë e mirë sipas saj për turizmin gjithëvjetor.

Sipas Kumbaros, Shqipërinë e vizituan vjet 1.9 milionë turistë më shumë se në vitin 2021 dhe 18% më shumë se në vitin 2019, që deri tani mbante rekordin.

Ministrja vuri në dukje se krahas fluksit në rritje të vizitorëve, interesante ishin të dhëna edhe për sa i takon gjeografisë apo shteteve nga erdhën turistët.

“85% më shumë vizitorë nga Anglia; 3.7 herë më shumë vizitorë nga Spanja; 2 herë më shumë vizitorë nga Sllovenia; 3 herë më shumë vizitorë nga Holanda; 84% më shumë vizitorë nga Turqia; 2 herë më shumë nga vendet nordike; e sigurisht mysafirët nga Kosova që janë shtylla më e fortë e kemi detyrimin më të madh për t’u ofruar cilësinë maksimale në shërbim”, - u shpreh Kumbaro.

Ministrja theksoi se, të njëjtën tendencë treguan edhe hyrjet nga Ballkani, që nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, por edhe mbi 50% rritje kanë pasur flukset nga Rumania, Kroacia apo Bullgaria. (Elona)