Ndahen Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021
2023-01-09 17:48:29

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, në një ceremoni që bëri bashkë njerëz të letrave, në praninë e Ministres së Kulturës Elva Margariti, ka ndarë  në hollin e Akademisë së Arteve Çmimet Kombëtare të Letërsisë për vitin 2021, duke finalizuar kështu punën seleksionuese të nisur që në krye të këtij viti.

Po cilat ishin dukuritë tipe që shoqëruan çdo kategori? Në gjininë e romanit  gjatë vitit 2021 u shfaqën botime të autorëve që tashmë e kanë krijuar autoritetin e tyre artistik, duke shënuar rritje në planin personal, por pa bërë kapërcime thelbësore në nivelin e përgjithshëm të letërsisë sonë. Edhe në zhanrin e tregimit rishfaqen autorë të rinj por edhe tregimtarë të brezit më të vjetër.

Në zhanrin e poezisë ra në sy se në vitin 2021 pati prurje jo shumë të bollshme, megjithëse edhe në këtë zhanër u shaqën kontribute të spikatura të poetëve më të vjetër, të cilët rikonfirmuan vlerat dhe individualitetet e tyre. Dukuri pozitive në fushën e poezisë ishin  purjet nga talentet e reja. Në botimet e letërsisë për fëmijë, mbizotëruan kryesisht përkthimet nga letërsia e huaj, por kjo ka zvogëluar, në një farë mase, numurin e veprave të autorëve tanë. Më specifike gjatë vitit 2021 ka qenë përzgjedhja e një numri relativisht të gjerë veprash të përkthyera nga autorë të huaj, nga disa gjuhë të rëndësishme të origjinës.

Përsa i përket studimit letrar, botimet e vitit 2021 nuk janë të shumta, sepse është e kuptueshme që veprat studimore nuk mund të realizohen brenda një viti; por e rëndësishme është që veprat e nominuara u shquan për nivel shkencor. Tani do ju njohim konkretisht me nominimet dhe çmimet sipas kategorive:

1. Romani më i mirë i vitit, u shpall Agron Tufa me librin "Ngjizja e papërlyeme”. Në garë për këtë ccmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Bashkim Hoxha  me “Një shaka e vogël me vdekjen”;  Mira Meksi  me “Kutia e Agatha Christie-t” ; Ridvan Dibra  me “Gruaja që deshe” dhe  Stefan Çapaliku  me “Mbyllur për pushime”.

2. Vëllimi më i mirë me tregime i vitit, iu dha shkrimtarit Durim Taçi me librin “Nga një derë në tjetrën”. Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Arb Elo  me “Fugu”; Edmond Tupja me “Jehona ngacmimesh të çuditshme”;  Nasi Lera  me “Vetmia e syve të qenit” dhe Ndue Ukaj “Mbretëria e ëndrrave”.

3. Vepra më e mirë e vitit studimore letrare, shkoi për studiueset Persida Asllani dhe  Dhurata Shehri për librin “Për një histori të krahasuar të letërsisë shqipe”. Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Bardhosh Gaçe me  “Universi poetik i Fatos Arapit”;  Gazmend Krasniqi, Vjollca Osja  me “Arti i poezisë”; Shaban Sinani me “Shekulli letrar i Ismail Kadaresë” dhe Xhevat Lloshi  me “Vështrime stilistike”.

4. Vëllimi më i mirë poetik i vitit, shkoi për Visar Zhitin me librin  “Dorëshkrimet e burgut”. Në garë për këtë çmim ishin edhe 3 finalistët e tjerë: Adelina Mamaqi me “Qielli shkundte yjet”;  Nurie Emrullai me  “Në orën moderne të perëndive” dhe Preç Zogaj  me “Një e tretë, dashuria”

5. Përkthimi më i mirë i vitit, iu dha përkthyeses Saverina Pasho për librin  "Njeriu i parë" nga Albert Camus. Në garë për këtë çmim ishin edhe 4 finalistët e tjerë: Anna Kove me "Teposhtë" të Herta Muller  ; Erion Karabolli me "Shtatë të çmendurit" e Roberto Arlt;  Korab Hoxha me “Pasqyra dhe drita” të Hilary Mantel  dhe Sokol Çunga me përkthimin e “Antologji e poezisë bashkëkohore greke”, nga një grup autorësh.

6.  Libri më i mirë për fëmijë i vitit, shkoi për shkrimtaren Anila Kadija  me librin “Ninulla e zemrës”. Në garë për këtë çmim ishin dhe Natasha Poroçani  me “Bëmat e Estes dhe Kokosë - Ditari i Estes”;  Rudina Çupi  me “Piratë dhe paratë”;  Sazan Goliku  me “Kërkimi” dhe Xhahid Bushati me “O trumcak, bredharak”.

Ministrja e Kultures Elva Margariti - foto ATSH

Përzgjedhja është bërë nga juria, e udhëhequr nga akademikja Floresha Dado e anëtarët: shkrimtari Virion Graçi, akademiku Kujtim Shala, zv.dekanja e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë, UT, Elsa Skënderi Rakipllari dhe dekanen e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT, Esmeralda Kromidha.

Në fjalën e saj, kryetarja e jurisë Floresha Dado, shprehu konsieratëne  saj për të nominuarit. “Si juri kemi shprehur bindjen se të pestë të nominuarit e çdo kategorie, kanë vlera që meritojnë përgëzim. Secili prej tyre, me pak ose me shumë, mund të ishte fitues. Për ne ka qenë e vështirë që të shkëpusim njërin. Një kriter testimi për ne ka qernë edhe pritja që i ka bërë lexuesi gjatë vitit të kaluar këtyre botimeve çka na ka ndihmuar t’i qëndrojmë besnik misionit të krijimtarisë letrare”, u shpreh kryetarja e jurisë, studiuesja Floresha Dado.

Ndërkohë ministrja e Kulturës, prezente në ceremoninë e ndarjes së çmimeve shprehu entuziazmin e saj në lidhje me librin dhe leximin në shqip të tij.

“Këto çmime të krijuara nga ministria e Kulturës, nderojnë punëtorët e fjalës shqipe dhe kthejnë vëmendjen te libri shqip dhe te shkrimtarët si pjesa më e ndjeshme dhe më e rëndësishme  e cila çon përpara progresin e një shoqërie”, u shreh ajo.

Vetëm përmes librit dhe leximit mund të ruajmë dhe përsosim gjuhën shqipe, e cila si asnjëherë më parë, duket na qorton", u shpreh drejtorja e Qendrës së Librit, Alda Bardhyli gjatë fjalës së saj duke shprehur falenderimin për jurinë, që siç tha ajo, shpesh gjendet edhe para keqkuptimeve apo paragjykimeve për zgjedhjet.

Neritana Kraja