Xhaçka: Këtë vit forcojmë rolin proaktiv në rajon
2023-01-09 16:16:33

Foto: VCG

Në një dalje për mediat, ku bëri një panoramë të arritjeve të Shqipërisë gjatë vitit 2022 në lidhje me marrëdhëniet me jashtë dhe në rrugën drejt integrimit evropian, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, renditi dhe objektivat për vitin që sapo ka nisur.

Në një konferencë për mediat bashkë me kryenegociatoren me Bashkimin Evropian Majlinda Dhuka, Xhaçka theksoi se gjatë vitit 2023 do të forcohet edhe më tej roli proaktiv i Shqipërisë në rajon, citon “RTSH”. Ajo theksoi se Shqipëria do të marrë kryesinë e fondit për Ballkanin Perëndimor për periudhën janar-dhjetor 2023.

Ministrja shtoi se po ashtu, Shqipëria do të ndjekë procedurat për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Procesit të Berlinit, si dhe zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të Ballkanit të Hapur.

Po ashtu, Xhaçka tha se Shqipëria pritet të ketë një ambasadë përfaqësimi në Ukrainë. Për rolin e Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në vitin e fundit të mandatit si anëtare jo e përhershme, Xhaçka tha se Shqipëria do të vijojë të ndjekë dosjen e Ukrainës dhe do të vazhdojë me angazhimin me SHBA-në.

Xhaçka u ndal edhe te çështja e detit, ku tha se gjatë këtij viti do të vijojë puna teknike me Greqinë për arritjen e një kompromisi në lidhje me pyetjet që do t’i dërgohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. (Elona)