Xi Jinping-u kërkon modernizimin e punës politike dhe ligjore
2023-01-09 11:16:30

Foto: VCG

Presidenti kinez Xi Jinping theksoi rëndësinë e vijimit të angazhimit për përparimin e reformës, eksplorimin e terreneve të reja dhe çuarjen përpara të shpirtit luftarak për modernizimin e punës së organeve të gjyqësorit, prokurorisë dhe sigurisë publike.

Në udhëzimin e tij të fundit, Xi, gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) dhe kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, vuri në dukje se puna politike dhe ligjore është një pjesë jetike e punës së PKK-së dhe shtetit.

Ai theksoi mbështetjen e udhëheqjes absolute të PKK-së lidhur me punën e gjyqësorit, prokurorisë e sigurisë publike, si edhe forcimin e ndërgjegjësimit politik e të aftësive për gjykimin politik, mendimin dhe zbatimin.

Xi bëri thirrje gjithashtu për zbatimin e filozofisë së vendosjes së popullit në qendër dhe për ndjekjen e një rruge të shtetit ligjor socialist me karakteristika kineze.

Organet e gjyqësorit, prokurorisë dhe sigurisë publike duhet të përmbushin detyrat e tyre për të garantuar sigurinë politike të vendit, qëndrueshmërinë shoqërore, barazinë e drejtësinë sociale dhe një jetë të lumtur për popullin. Ato gjithashtu duhet të japin kontribut për ndërtimin e një vendi socialist modern në të gjitha aspektet dhe përparimin e rilindjes kombëtar në të gjitha frontet, vuri në dukje ai.

Xi u kërkoi gjithashtu komiteteve të Partisë në të gjitha nivelet të forcojnë udhëheqjen e tyre lidhur me punën e gjyqësorit, të prokurorisë e të sigurisë publike, për të dhënë garanci të fortë për nxitjen e modernizimit të kësaj pune.

Udhëzimi i presidentit kinez u përcoll nga Chen Wenqing, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së dhe kreu i Komisionit për Çështjet Politike dhe Ligjore të Komitetit Qendror të PKK-së, në një konferencë qendrore mbi punën e gjyqësorit, prokurorisë dhe sigurisë publike të mbajtur në Pekin nga e shtuna deri të dielën.

Kjo mbledhje u përqendrua në nxitjen e punës së mbrojtjes së sigurisë politike kombëtare, garantimin e qëndrueshmërisë shoqërore, nxitjen e barazisë e të drejtësisë sociale dhe modernizimin e punës së organeve të gjyqësorit, prokurorisë dhe të sigurisë publike.

Në emër të Komitetit Qendror të PKK-së, Xi u shprehu gjithashtu përshëndetje e mirënjohje të gjithë punonjësve të policisë në prag të Ditës së Policisë Popullore të Kinës më 10 janar, duke i inkurajuar ata të kenë arritje të reja në ruajtjen e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë shoqërore.

10 janari u zgjodh si datë për lidhjen me linjën 110 të policisë. Në 10 janar 1986, Zyra e Sigurisë Publike e Bashkisë së Guangzhou-t vuri në funksionim linjën e parë telefonike të thirrjeve emergjente të policisë në Kinë me numrin 110. Në vitin 1996, Ministria e Sigurisë Publike e Kinës zhvilloi një mbledhje, për ta bërë këtë linjë mbarëkombëtare.

Sivjet është Dita e 3-të e Policisë Popullore të Kinës.(Artan)