Foto: VCG
Një ekspozitë retrospektive e një artisti vizual kuban me origjinë kineze u hap të shtunën në Havanë përpara festimeve të Vitit të Ri Hënor Kinez në kombin e Karaibeve.
Nën titullin “Rrugëtimi i birit të një emigranti”, ekspozita e Alfredo Chong, 74 vjeç, përmban 20 skulptura letre dhe gati një duzinë pikturash që i bëjnë nder kontributit të emigrantëve kinezë në Kubë, bën të ditur “Xinhua”.
Gjatë pandemisë Covid-19, Chong shfaqi shumicën e veprave të tij të artit në tarracën e shtëpisë së tij, i rrethuar nga orkide, bimë zbukuruese dhe pemë frutore.
“Ne trashëguam forcën dhe vendosmërinë nga emigrantët kinezë. Miqësia mes popullit kinez dhe atij kuban është e pathyeshme”,- tha artisti autodidakt për “Xinhua”.
Ndër veprat e artit të Chong të ekspozuara në Shtëpinë e Arteve dhe Traditave Kineze janë “Gjurmë”, “Poezia e një emigranti” dhe “Nostalgjia e largët”.
“Këto vepra arti magjepsin publikun përmes teknikave të ndryshme dhe interesante. Ato do të ndihmojnë në rritjen e lidhjeve kulturore dhe historike midis Kinës dhe Kubës”,- tha kuratorja e ekspozitës, Teresa Toranzo.
Teresa Li, drejtore e Shtëpisë së Arteve dhe Traditave Kineze, tha se ekspozita do të zgjasë deri më 20 mars. “Ne jemi shumë të lumtur me hapjen e festimeve kineze të Vitit të Ri Hënor në ishull”,- shtoi ajo. “Ky është vetëm fillimi”. (Elona)