Peleshi: Do të plotësojmë Njësinë Ushtarake të Mbrojtjes Kibernetike
2023-01-09 14:35:07

Foto: RTSH

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, prezantoi të dielën arritjet e dikasterit të tij vitin e kaluar dhe paraqiti objektivat për vitin 2023. Në një konferencë për mediat, Peleshi u ndal te siguria kibernetike, duke njoftuar se këtë vit do të plotësohet Njësia Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike. Peleshi theksoi se do të garantohen paga më të mira se në sektorin privat, për të qenë sa më konkurrues, citon “RTSH”.

Peleshi bëri të ditur po ashtu se Shqipëria do të anëtarësohet plotësisht edhe në qendrën e ekselencës së sigurisë kibernetike të NATO-s që ndodhet në Estoni.

“Njësia Ushtarake e Mbrojtjes Kibernetike ka marrë një peshë të re pas sulmeve të fundit kibernetike. Viti 2023 do të jetë viti kur kjo njësi do të ketë plotësuar 100% kapacitete njerëzore. Tani po rekrutojmë ekspertë të rinj në fushën kibernetike, kemi rritur pagat dhe i kemi bërë ato fleksible për specialistë të fushës së IT-së. Stafi do të jetë i mirëtrajnuar falë bashkëpunimit me SHBA-në, por edhe anëtarësimit të plotë në qendrën e ekselencës së sigurisë kibernetike të NATO-s që ndodhet në Estoni. 2023-shi do të jetë viti kur anëtarësimi i vendit do jetë i plotë dhe ne do të jemi kontribuues dhe përfitues të kësaj qendre”,- u shpreh Peleshi.

Ministri u ndal edhe te dërgimi në hapësirë i dy satelitëve, “Albania 1” dhe “Albania 2”, duke i konsideruar risi të jashtëzakonshme. Megjithatë, ai theksoi se sfidë mbetet që të dihet të përfitohet nga shërbimet që ata do të ofrojnë.

Sa i takon Mbrojtjes Civile, Peleshi tha se vendit do t’i shtohen 2 avionë dhe mjete të posaçme me anë të kredisë me vlerë 30 milionë euro nga Italia. (Elona)