Artan Bakija – Viti 2023 nis me projekte të reja
2023-01-08 10:00:36

Artan Bakija  (Foto personale)

Artan Bakija  (Foto personale)

Kantautori Artan Bakija është një artist me një timbër të veçantë vokali dhe i suksesshëm në disa zhanre të muzikës së lehtë dhe asaj popullore, por të shumta kanë qenë dhe pjesëmarrjet e tij në Festivalet e muzikës së lehtë. Artan Bakija e filloi karrierën e tij muzikore shumë herët. Ai është kantautor i shumë krijimeve dhe producent i studios “Art Sound Studio“. Karrierën e tij solistike e nisi në vitin 1995 ku u bë më pas pjesë e shumë aktiviteteve, duke fituar dhe disa çmime, ndër të cilat në Festivalin “Zëri Rinor“ vendi i tretë në vitin 1995, një vit më pas po në këtë festival fiton vendin e dytë, dhe në vitin 1997 Artan Bakija fitoi çmimin e parë. Ai gjithashtu edhe shumë pjesëmarrje në shumë festival të tjera si “Show Fest“, fitues i çmimit të parë në “Zambaku i Prizrenit“, “Festivali i muzikës qytetare në Elbasan“, “Nota Fest“ si interpretuesi më i mirë dhe “Festivali i muzikës qytetare në Shkodër“. Në qershor të vitit 2019, Artani ngjitet në skenë në duet me vajzën e tij Emi Bakija dhe kantautor i këngës, Artani dhe Emi Bakija morën pjesë në  festivalin “Zambaku i Prizrenit” 2019 me këngën "Dashuri pa fund". Ai ka marrë pjesë në dy edicione të festivalit  “Luleborë” që mbahet në Shkodër, ndërsa në edicionin e fundit të festivalit  “Zambaku i Prizrenit”, në fundvitin që lame pas ai është ndarë edhe me një çmim të dytë nga juria profesionale. Përveçse një kantautor shumë i mirë, ai realizon edhe një program radiofonik mjaft të suksesshëm. Në intervistë për Radio Ejani,  Artan Bakija tregon për fitoren e çmimit më të fundit në festival si edhe për planet në vazhdim.

CMG: Përshëndetje dhe mirë se erdhe në programin "Muzika shqip" në radio Ejani!  Urimet e mia për çmimin e dytë në festivalin "Zambaku i Prizrenit"!

Artan Bakija: Përshëndetje për të gjithë adhuruesit e muzikës shqiptare dhe veçanërisht për ju të “Radio Ejani”. Faleminderit për urimin e çmimit që mora në festivalin e nderuar dhe ndër më të bukurit shqiptar “Zambaku i Prizrenit”.

CMG: Ti more pjesë këtë vit me këngën, "Lule zambaku të pagëzova". Na trego për këtë pjesëmarrje?

Artan Bakija: Këtë vit mora pjesë me këngën “Lule zambaku të pagëzova” dhe atë në cilësinë e kantautorit pasi tekstin, muzikën, orkestracionin dhe këndimin, të gjitha i kam realizuar vetë. Tashmë udhëtimi im në festivalin “Zambaku i Prizrenit” është mbi 20 vjeçar dhe mund të them që jam një nga pjesëmarrësit më të rregullt aty.

Artan Bakija (Foto  personale)

Artan Bakija (Foto  personale)

 

CMG: Çfarë ishte ndryshe këtë vit nga herët e tjera? 

Artan Bakija: Aty kam qenë fituesi i vendit të parë dhe çmimit të publikut në festivalin jubilar të 20-të, dy herë kam fituar vendin e dytë dhe dy herë të tretin kështu që tashmë i di standardet dhe kërkesat që i ka ky festival, i cili i takon festivaleve të muzikës qytetare, ku për bazë kanë muzikën e lehtë qytetare. Pra të gjitha elementët që i kërkon festivali janë të mishëruara në kompozimet e mia dhe e kam shumë të thjesht të krijoj këngë për “Zambakun e Prizrenit”.

CMG: A mendon se je vlerësuar sa duhet në gjithë këto vite kontribut në muzikë?

Artan Bakija: Të them të drejtën vlerësimi është diçka relative dhe muzika mendoj nuk është garë, por është vlerë e cilësi. Përkundrejt momenteve që po kalojmë dhe po shohim që kemi një numër jashtëzakonisht të madh të krijimeve, por vetëm në formën sasiore sepse në përmbajtje jemi shumë dobët, kemi mungesë të këngëve e kompozitorëve, të cilët kompozojnë mbi baza dhe standarde, të cilat mundësojnë që kënga të formohet në atë formë, sa t’i rezistojë kohës dhe stuhive që i përplas koha. Pra përsa i përket vlerësimit  unë ndjehem jashtëzakonisht shumë i vlerësuar, por edhe puna dhe vepra ime u vlerësuan  në një nivel të lartë artistik, që më bën të ndjehem shumë mirë dhe të jem partizan i krijimit të vlerave të reja, muzikës së bukur, e cila shpresoj t’i mbijetojë kohës dhe të mbetet për një kohë të gjatë, që sa herë i dëgjojmë, të na bëjnë të ndjehemi krenar.

CMG: Në studion tënde i realizon vetë të gjitha komponentët e këngëve të tua. Për ty është më mirë të krijosh për vete apo për artistë të tjerë?

Artan Bakija: Pyetje pak me spec kjo, ju gazetarët i keni shumë përzemër këto pyetje (qesh). E para është kënaqësi të krijosh për të tjerët, kënaqësi e veçantë dhe e jashtëzakonshme, e sidomos kur sheh edhe merr vlerësimin e duhur prej atij që ja ke krijuar materialin, pastaj kur krijon për vete. Kjo është një luftë e jashtëzakonshme e cila zhvillohet midis Artanit, si një qënie humane, që jeton në një shoqëri të caktuar dhe mendimeve të atij Artanit, i cili është artist dhe do të krijojë diçka që nuk po shkon me kohën e nuk është në fazat e realitetit në të cilin jeton Artani fizik, por është një luftë e brendshme, e tmerrshme që e përmirëson artistin, e detyron ta mundë unin e tij. Shpeshherë luftojmë me egon, ku egoja bën diçka që konsumohet për publikun dhe thotë, “ti bëj atë që di më së miri”. Dhe kështu krijon një këngë pa marrë parasysh nëse do të përqafohet nga publiku. Pra është shumë e vështirë të krijosh për vete, ndryshe është kur krijon për të tjerët. Mendoj se është shumë më lehtë, pasi sheh këngëtarin, krijon një imazh artistik ose mund ta ketë një imazh dhe në bazë të atij imazhi është shumë më e lehtë të krijosh. Ndërsa imazhin për vete mund të mos e kesh ose nëse e  ke, atëherë ai është subjektiv, si për të mirë apo për të keq. Çdo krijim është një ndjesi e jashtëzakonshme, vetëm një herë dhe vetëm në një moment të caktuar kur vjen muza, e cila do të vijë,  mund mos të vij e plotë, por e cunguar apo  e ndikuar prej kërkesave apo rrethanave sociologjike. E rëndësishme është për mua të bësh një këngë të mirë, e jo se kujt ja bën atë këngë.

CMG: Këto dy vitet e fundit ke qenë pjesëmarrës edhe në festivalin e mbajtur  në Shkodër "Luleborë". Si shkoi konkurimi aty?

Artan Bakija: Ku flasim për Shkodrën atëherë jam lirisht shumë subjektiv, i ndjeshëm dhe emocional. Arsyet janë të shumëfishta, por mbi të gjitha muzika e ahengu shkodran me të cilin jam rritur, ndërtuar e formuar si artist. Kishte shumë arsye pse vendosa për herë të parë për të marrë pjesë ne festivalin “Luleborë”, e njëra prej tyre në mënyrë të pakontestueshme është Shkodra. Arsyeja e dytë ishte se festivalin në atë kohë e drejtonte një prej mjeshtrave më të mëdhenj të muzikës shqiptare, një personalitet i cili është i dokumentuar me punët dhe veprat e tij  dhe në të njëjtën kohë është një mik i jashtëzakonshëm i imi, mjeshtri i madh Shpëtim Saraçi. Por edhe të gjithë orkestrantët që janë miqtë e mi të mirë, miq zemre, Gazmend Kraja, Dritan Lika, pastaj ishte edhe Bledi, Fatmiri, Mario e shumë e shumë të tjerë. Ishte  një satisfaksion t’i takoja e të punoja bashkë me ta, duke pasur parasysh nivelin e tyre artistik.

Artan Bakija (Foto  personale)

Artan Bakija (Foto  personale)

CMG: Ti përherë shkruan vetë tekstet e këngëve, përse ketë vit erdhe me  "Andrra e jetës" vargje nga Ndre Mjeda?

Artan Bakija: Duke qenë se po shkoja në Shkodër mendova të marr vargjet e një shkodrani e t’i ktheja në muzikë. Për mua Mjeda, mbetet ndër penat më të mprehta e të bukura, një super intelektual i cili atdhetarinë e përshkroi në formën më të bukur. Dinte si ta shprehte e trajtonte dashurinë për atdheun dhe unë në të njëjtën kohë mendova, duke marrë parasysh personalitetin dhe figurën e tij artistike e patriotike, ta trajtoja në një formë e cila ishte midis etnos dhe xhaz-it. Dhe për këtë mora vlerësime të jashtëzakonshme në festival, aq sa në edicionin e rradhës që ishte sivjet u paraqita me një këngë tjetër. Është një këngë  e kolegut tonë të përbashkët që quhet Albion Muhaxhiri, drejtor i Radio Klanit në Kosovë. Muzika, orkestrimi dhe interpretimi janë të realizuara nga unë dhe me këtë këngë arrita të tregoja vlerat e mirëfillta interpretative si vokal. Një këngë me një ampitus shumë të madh, fillonte shumë poshtë pastaj ka pjesë intonative shumë të larta në refren. Është trajtuar në formë  balade, nga ato baladat klasike e gjithashtu me një energji të jashtëzakonshme e motiv shumë të bukur. Kënga mban titullin “O njeri”, dhe me anë të kësaj kënge, dërguam një mesazh tek të gjithë njerëzit e botës, tek të gjithë ata që kaluan këtë periudhë shumë të vështirë me Covidin. Mesazhi është, ta ndryshojmë botën, por në të mirën tonë, jo në disfavorin tonë.

CMG: Përveç këngës një tjetër pasion dhe profesion njëkohësisht i yti është edhe radio. Si është t’i mbash të dyja paralelisht? Dhe cilën do ti më fort?

Artan Bakija: Kur isha i vogël radion e shihja si një kuti që nxirrte disa tinguj të bukur që quheshin këngë apo valle, mirëpo kishte dhe disa zëra shumë të bukur të cilët nuk mundesha t’i shihja, e për këtë arsye i vizualizoja ashtu siç kisha dëshirë vetë. Gjatë viteve ‘80-të, babai im ishte korenspondent i Kosovës për radion e Gjakovës. Aty mora një afërsi, pasi në atë periudhë kohore dinamika e jetës ishte shumë e vështirë e babai punonte shumë, e aty mësova se radio ishte shumë më tepër sesa ai zëri. Ishte vendi ku njerëzit shprehnin idetë e tyre, jepej informacioni dhe nuk vlerësohesh për paraqitjen, por substance, në dallim kjo me televizionin ku mund ta mundësh me pamjen fizike. Në radio kjo bie komplet poshtë, nuk të sheh askush, e vlerësohesh për informacionin që jep. Kështu që një ditë duke parë që kisha shumë informacione në lidhje me muzikën, e pashë të udhës që ato dije që kisha marrë, t’ja transmetoja edhe të tjerëve. Ateherë vendosa t’ju jap njerëzve informata dhe t’i zhdukja kompleksin e inferioritetit, i cili na ka ngarkuar shumë e kanë filluar të dalin shumë lloje stereotipesh që thonë fjalë të ndryshme për muzikën shqiptare. Gjeta mirëkuptim nëpërmjet radios më të madhe në Kosovë, Radio Dukagjinit dhe drejtoreshës Edita Doli, e cila më bëri një ofertë shumë të mirë për të marrë emisionin “Këngë të shpirtit”  me muzikë popullore dhe emisioni mu dorëzua i gjithi mua, ta ideoja e drejtoja ashtu si kisha dëshirë unë. I kërkova pas 3 muajsh të bënim një analizë të punës se si dukej. Ajo që ndodhi ishte me të vërtetë habitëse për ta, pasi informacionet që unë posedoja dhe qasja duke drejtuar emisionin ishte shumë unike.

Emisionet janë thuajse dokumentare të shkurtra apo edhe të gjata me raste, në të cilat tregoheshin histori të ndryshme në lidhje me këngët, duke filluar nga ato 100 vjeçare e lart, këngët e Beratit si më të vjetrat, pastaj ahengun shkodran i cili është plot e përplot informacione e detaje. Gjithashtu shumë informacione mbi muzikën gjakovare, për të mos lënë anash treshen e Elbasanit, pa të cilët muzika shqiptare do të ishte pa ngjyra vetëm bardhë e zi. Pas analizës që bëmë ku u vlerësua e u mirëprit shumë mirë, më bëri që ta vazhdoj. Sot që flasim  po shkoj drejt vitit të katërt me emisionin “Këngë të shpirtit”, çdo të djelë nga ora  22.00 e mbrëmjes dhe deri në orën 01.00 pas mesnate. Kam krijuar një bagazh të jashtëzakonshëm me informacione, të cilat i shpërndaj me dëgjuesit që i falenderoj pa fund. Shumë interesante është pjesa se dëgjueshmëria e grupmoshës së re 18-35 është rritur shumë, ka pasur mjaft statuse e vlerësime në median sociale, gjë e cila më detyron të punoj më tepër drejt këtij drejtimi.

Artan Bakija pas fitores se çmimit te dyte (Foto personale)

Artan Bakija pas fitores se çmimit te dyte (Foto personale)

CMG: A do të të  shohim ndonjëherënë skenën e festivalit të Rtsh-së?

Artan Bakija: Një nga ëndrrat e parealizuara është dhe skena e festivalit të Rtsh-së, të cilën në fakt e kam tentuar dy herë, por nuk jam përzgjedhur, përkundrejt materialit i cili ka qenë shumë i bukur dhe me elementë folklorikë, unë do të vazhdoj dhe është një nga ëndrrat që shpresoj ta realizoj sa më shpejt

CMG: Ti interpreton në gjininë e muzikës popullore dhe asaj të lehtë. Por vokali yt ku mendon se fle më mirë në cilin zhanër muzikor, dhe si ke dëshirë të të identifikojë publiku?

Artan Bakija: Është e vërtetë që aventurat me muzikën dhe zhanrat për mua nuk kanë të përfunduar. Jam rritur në një familje ku muzika popullore ishte pjesë integrale e jetës. Nëna ime ka qenë një ndër këngëtaret më të mira të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme të Kosovë, Mandushe Bakija, ndërsa babai ka qenë adhurues i muzikës shkodrane dhe korçare, ka qenë një ndër themeluesit e korit të burrave të Gjakovës. Unë jam rritur me muzikën e cila ishte në atë kohën e rinisë së hershme, me standarde muzikore botërore, me figura të njohura si Tina Turner, D Purple, Elton John etj. Fillimisht isha te muzika ritmike, pastaj pata fatin të jem në të njëjtën klasë me birin e këngëtarit të njohur Esad Bicurrit, Butrintin, i cili më ofroi ta bëjmë një grup dhe kjo ishte atraktive dhe për moshën në të cilën ishim dhe normalisht para gjinisë femërore duhet të ishim shumë më atraktivë si artista dhe ashtu ndodhi.

Me kalimin e kohës fillova të merrem me muzikën popullore, e mësova mirë deri në thelb muzikën shqiptare, mësova pjesë e materiale të ahengut shkodran, të Elbasanit, Tiranës e Korçës dhe normalisht një pjesë të madhe të ahengut gjakovar i cili përsa i përket interpretimit, mbetet muzika më e vështirë shqiptare për interpretim të  muzikës tradicionale gjakovare, për shkak se kanë melizma karakteristike, që po si këndove mirë ngjajnë shumë si orientaliste. Pas kësaj fillova me dasmat e koncertet, mirëpo në të njëjtën kohë shpirti im rri te muzika standarde rrok-ut, pop-it, xhaz-it, kështu që me rëndësi është ajo ku kam dashur të pozicionohem dhe ku jam pozicionuar sot, midis këngëtarëve të cilët vlerësohen për vlera. Unë gjithçka kam arritur, vlerësohet me vlerat dhe jo me masat dhe aty ku kam dashur të jem, aty edhe jam sot.

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim?

Artan Bakija:  Planet janë të shumta, por si fillim ajo që kam në plan është të realizoj diçka unike bashkë me një mikun tim, të cilin nuk do ta zbuloj derisa të jetë e finalizuar gjithçka. Kemi vendosur të dy për këtë gjë, e cila ka të bëjë me muzikën qytetare gjakovare e shkodrane. Si miq që jemi do t’ju njoftoj pak më herët se të publikohet ky material. Së fundi kam qenë i angazhuar  me programet e fundvitit në disa televizione, ku kam realizuar një sërë projektesh, të cilat ndërlidhen me muzikën popullore. Shpresoj të kem sjellë më të mirën sikurse kam bërë deri më sot, të sjell vlerat e vërteta të muzikës popullore shqiptare duke mos i tjetërsuar ne asnjë formë, dhe me raste do të jap edhe nuanca të modernitetit, mirëpo prap së prap struktura dhe substanca do të mbetet e njëjtë. Këtë e kam bërë gjatë gjithë jetës e do të vazhdoj ta bëj, madje ju propozoj edhe gjeneratave të reja që ta bëjnë një gjë të tillë. Të marrin motive popullore, t’i modernizojnë, sigurisht duke mos i bastarduar e duke ju ruajtur karakterin dhe substancën mbi të cilën ato janë të ndërtuara.

CMG: Viti i ri si nisi për ty?

Artan Bakija: Gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve isha i pranishëm në shumë radio e televizione, mbrëmjen e datës 31 dhjetor isha në Gostivar ku këndova në restorant “Mia”. Ndërsa për vitin 2023 kam shumë pritshmëri, por gjërat do t’i marr dalëngadalë, pasi periudha e pandemisë na mësoi më së miri që gjërat duhet t’i marrim pakëz më shtruar, pa emocione e më realist. Do ta nis vitin e ri 2023 me dy projekte, ku i pari do të jetë etnik-xhaz, kurse i dyti me një etnik-folk. Këto të dyja do të jenë projektet e para që do të fillojnë menjëherë javën e parë të janarit.

CMG: Faleminderit shumë për intervistën dhe një vit i mbarë për ty dhe familjen tënde!

Artan Bakija: Faleminderit edhe një herë për intervistën dhe faleminderit të gjithëve atyre që më përkrahin. Ju premtoj që në vitin 2023 do sjell gjëra të reja e të bukura, por të bazuara tek vlerat e mirëfillta të folklorit dhe folkut shqiptar. Paçi sa më shumë shëndet, gjithë të mirat, gëzofshi e festofshi sa më shumë, jepni dhe merrni dashuri.

Intervistoi: Sava Lena