Kamboxhia e gatshme të mirëpresë kthimin e investitorëve dhe turistëve kinezë
2023-01-07 17:08:18

nga VCG

Ministria e Turizmit e Kamboxhias bëri të ditur se vendi është i gatshëm të mirëpresë kthimin e investitorëve dhe turistëve kinezë, duke theksuar se prania e tyre është jetike për turizmin dhe zhvillimin socio-ekonomik të vendit, citon “Xinhua”.

“Kamboxhia është e kënaqur të mirëpresë kthimin e turistëve kinezë, si dhe turistëve të tjerë ndërkombëtarë”, thuhet në deklaratën për shtyp të ministrisë. Investitorët dhe turistët kinezë kontribuojnë në mënyrë të rëndësishme në rritjen e turizmit dhe zhvillimin socio-ekonomik të Kamboxhias.

Sipas deklaratës, rihapja e kufijve nga 8 janari do t'i japë një shtysë të madhe sektorit të turizmit në të gjitha vendet, pasi Kina është një burim i madh turistësh potencialë për botën.

Sipas deklaratës, para epokës së pandemisë, Kamboxhia priti 2.36 milionë turistë kinezë në vitin 2019, duke gjeneruar rreth 1.8 miliardë dollarë amerikanë të ardhura, ndërsa investimet kineze në sektorët e lidhur me turizmin përfaqësonin më shumë se 50 për qind të totalit të investimeve të huaja direkte.

“Me kthimin e turistëve kinezë, Kamboxhia pritet të presë rreth 7 milionë turistë ndërkombëtarë deri në vitin 2025”, thuhet në deklaratë, duke theksuar se mbretëria tërhoqi rreth 2.2 milionë turistë ndërkombëtarë në vitin 2022.

Ndërsa viti 2023 shënon 65-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kamboxhias dhe Kinës, ministria do të nisë një fushatë të titulluar “Miq të mirë Kamboxhia-Kinë”, për të tërhequr turistët kinezë në Kamboxhia në vitin 2023, sipas deklaratës.

Kamboxhia është e famshme për tre vendet e saj të trashëgimisë botërore, përkatësisht Parkun Arkeologjik Angkor në provincën Siem Reap, Tempullin Preah Vihear në provincën Preah Vihear dhe Vendin Arkeologjik Sambor Prei Kuk në provincën Kampong Thom.

Përveç kësaj, ajo ka një vijë bregdetare 450 km të pacenuar që shtrihet në katër provinca jugperëndimore. (Irma)