Këngëtarja shkodrane Mimoza Staka ka një karrierë të gjatë muzikore dhe produksionet muzikore që ajo ka publikuar janë pritur mjaft mirë nga publiku. Mimoza është e njohur më shumë për interpretimin e këngëve popullore qytetare shkodrane, por ajo ka realizuar dhe këngë të treva të tjera si dhe të muzikës së lehtë. Ajo ka studiuar për kanto në shkollën artistike “Prenk Jakova” në Shkodër dhe që në moshë të vogël është aktivizuar në festivalet kombëtare të fëmijëve dhe aktivitete të tjera. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Znj.Staka tregon për karrierën e saj artistike si dhe projektet në të ardhmen.
Kengetarja Mimoza Staka (Foto personale)
CMG: Mimoza faleminderit për pjesëmarrejn në Bio Folk.
Mimoza Staka: Faleminderit për ftesën dhe kënaqësia është e imja që më keni ftuar në Bio Folk ku marrin pjesë artistët më të mirë.
CMG: Kur kanë qenë fillimet tuaja me muzikën popullore shqiptare?
Mimoza Staka: Fillimet e mia me muzikë kanë qenë që në shkollën 8 vjeçare, ku që në moshë të vogël jam aktivizuar me festivalet kombëtare të fëmijëve. Më vonë vazhdova shkollën e mesme artistike “Prenk Jakova” në Shkodër ku kam studiuar për kanto dhe kam qenë soprano koloratura. Gjatë shkollës jam aktivizuar me klubin e rinisë “Heronjëtë e Vigut” në Shkodër. Kemi bërë aktivitete në të gjithë Shqipërinë me klubin e rinisë, kinema punëtorin dhe teatrin.
Mimoza Staka (Foto personale)
Mimoza Staka duke interpretuar (Foto personale)
CMG: Po këngën popullore kur keni nisur ta kultivoni?
Mimoza Staka: Në fillim unë kam filluar me muzikën e lehtë, dhe me këngën popullore kam filluar pasi u martova dhe u bëra me fëmijë. Unë e kam pasur në gjak këngën popullore se jemi rritur në Shkodër dhe nuk ka shkodran që nuk e don muzikën popullore. Unë edhe pse kalova te muzika popullore por nuk e kam lënë pas dore edhe muzikën e lehtë, dhe i kam pasur afër gjithëandej të dyja zhanret. Muzika popullore është më e dashur për gjithë publikun dhe për ne. Me muzikën popullore jam aktivizuar nëpër aktivitete të organizuara në Europë, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Austri, Belgjikë dhe deri në SHBA.
CMG: Ju e interpretoni bukur këngën qytetare shkodrane por dhe këngë të trevave të tjera të vendit. Për juve si artiste mbetet këngë shkodrane një dashuri më vete?
Mimoza Staka: Unë asnjë lloj muzike nuk di ta veçoj sepse muzikën e dua me gjithë shpirt, si këngën shkodrane që jam rritur por dhe trevat e tjera i dua me shiprt dhe mundohem me i dhënë karakterin ashtu siç e ka treva. Këngën korçare e këndoj siç e këndojnë në Korcëë, pra çdo trevë mundohem të jemë në karakter. Mua më ka ndihmuar dhe shkolla, kështu që muzikën e dua pafund dhe nuk di të veçoj.
CMG: Në të gjitha këngët tuaja keni ruajtur pastër muzikën tradicionale dhe kjo është një vlerë për artistin.
Mimoza Staka: Patjetër, unë jam fanatike me e ruajtur vlerën ashtu siç është, pa deformime dhe ekzagjerime. Pra unë dua që ta ruaj vlerën e mzuikës së çdo treve ashtu siç e ka.
Mimoza Staka me aktoren e humorit Zyliha Miloti (Foto personale)
Mimoza Staka me kolege (Foto personale)
CMG: Cilat janë këngët që keni publikuar për artdashësit?
Mimoza Staka: Më shumë kam publikuar potpuri shkodrane sepse këto këngë më shkojnë më tepër përshtat. Pra më ka pëlqyer të realizoj vetëm këngë popullore shkodrane. Kam bërë dhe një këngë me motive të Shqipërisë së mesme sepse dhe ajo i përshtatet zërit tim.
CMG: Cilët janë bashkëpunëtorët tuaj për realizimin e këtyre materialeve muzikore?
Mimoza Staka: Unë kam bashkëpunuar me orkestruesin Luan Dagistani, Elvin Unaza dhe kompozitorin Edmond Zhulali. Ndërsa për tekstet poeti Ramazan Çeka dhe me Qazim Çelën kam një këngë. Këto janë pak a shumë bashkëpunëtorët në realizimin e këngëve të mia.
CMG: Pra ju përveç këngëve të vjetra popullore keni sjellë dhe krijimtari të re muzikore?
Mimoza Staka: Me kompozitorin Edmond Zhulali kam një këngë të re e cila nuk është popullore por është tekno sepse e kërkon tregu muzikor dhe pse muzika popullore është shumë e bukur.
CMG: Keni interpretuar dhe balada?
Mimoza Staka: Baladat më pëlqejnë jashtë mase dhe unë e kam realizuar një baladë të cilën e ka orkestruar Luan Dagistani dhe është shumë e bukur.
CMG: Si janë pritur produksionet tuaja muzikore nga publiku?
Mimoza Staka: Mua më duket se është pritur gjithçka mirë sepse kam parë komentet, klikimet në YouTube dhe urimet që më kanë bërë. Kur kam shkuar të këndoj në diasporë publiku më ka kërkuar këngët e mia që ti këndoja. Unë kam qenë dhe në SHBA dhe kam parë duke u transmetuar kënga ime.
CMG: Si është publiku i diasporës me publikun këtu në Shqipëri?
Mimoza Staka: Për mua janë njësoj sepse edhe në diasporë kur shkoj është publik i Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonosë së Veriut, dhe për mua është i njëjti publik dhe nuk di ti dalloj. Si publiku i Shkodrës dhe ai në diasporë për mua janë të mrekullueshëm.
CMG: Këndoni gjithmonë live në aktivitete dhe gëzime familjare?
Mimoza Staka: Të këndosh live është gjëja më e bukur që duhet të bëjë një artist. Unë nuk mundem edhe kur dua të inçizoj një këngë në televizion që është me regjistrim unë më vështirësi mundohem ta realizoj. Më pëlqen vetëm të këndoj live, në dasma ndjehem shumë mirë se janë ambiente familjare dhe duket sikur me qenë në shtëpinë tënde dhe jam shumë e afërt më dasmorët, familjarët dhe mysafirët.
Mimoza Staka me veshje popullore (Foto personale)
CMG: Keni bërë duete me të tjerë këngëtarë të muzikës popullore?
Mimoza Staka: Unë asnjëherë nuk kam bërë duete dhe nuk e di ndoshta nuk më ka dalë varianti, por që më ka pëlqyer të këndoj vetëm.
CMG: Keni ndonjë këngëtar të muzikës popullore idhull?
Mimoza Staka: Unë kam pasur idhull Naile Hoxhën që e kam dashur shumë atë artiste, Bik Ndojën e kam ndjekur shumë dhe Luçije Milotin. Janë këto artistët e Shkodrës, por shumë kam dashur edhe Tefta Tashko Koçon. Të gjithë këto artistë i kam ndjekur gjithmonë që në moshë të vogël ku në çdo kohë kam dëgjuar këngët e tyre
CMG: Cilat janë projektet tuaja artistike që prisni ti realizoni në vitin 2023?
Mimoza Staka: Unë kam dëshirë të realizoj një koncert recital dhe kam qejf ta bëj te Blu Sky, nuk e di të saktë por kam qejf ta bëj një recital një përmbledhje këngësh, pak serenata, pak muzikë të lehtë dhe më shumë këngë popullore. Gjithashtu do të realizoj një këngë të re që do të jetë për dasma spese më ka mbetur merak që nuk kam realizuar një këngë për dasma.
Mimoza Staka.(Foto personale)
Mimoza Staka: Unë i uroj të gjithëve suksese, ju si radio dhe gjithë artistëve që të bëjnë sa më shumë këngë. Uroj një vit të mbarë për kolegët, miqtë dhe të afërmit e mi.
Intervistoi: Gazmend Agaj