Në fillim të vitit 2023, rrugët në Kinë janë plot me automjete dhe rimëkëmbja e ekonomisë kineze po përshpejtohet.
Në distriktet e biznesit të provincave të ndryshme, si Shanxi, Jiangsu e Guangxi, numri i konsumatorëve po rritet gradualisht. Konsumi fizik po rikthehet dhe konsumi në internet vijon të stimulojë gjallërinë e re.
Ditët e fundit, zonat e biznesit dhe qendrat tregtare në qytetin Taiyuan të provincës Shanxi të Kinës mirëpresin kthimin e konsumatorëve. Në një qendër të madhe tregtare, shumë restorante janë plot, ndërsa në disa prej tyre klientët duhet të presin në radhë. Me ardhjen e Vitit të Ri Kinez, shumë biznese kanë bërë oferta për festën, për të tërhequr klientët.
Në qytetin Gaoping të provincës Shanxi, autoritetet dhanë 50 milionë juanë subvencione për të ndihmuar ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Ndërmarrjet mund të marrin nga 1 mijë deri në 50 mijë juanë subvencione qiraje, mbështetur në qiranë vjetore. Sipas rregulloreve, subjektet e tregut që regjistrohen dhe operojnë në mënyrë të ligjshme në qytetin Gaoping, si sipërmarrjet private dhe individët e vetëpunësuar në sektorët e shitjes me pakicë ose shumicë, të akomodimit, hotelerisë, arsimit, sportit e argëtimit dhe sektorë të tjerë, mund të marrin këto subvencione.
Foto nga VCG
Njëkohësisht, po rritet gjithashtu fluksi i konsumatorëve në mjaft distrikte biznesi të provincës Jiangsu. Në Parkun Industrial të qytetit Suzhou të kësaj province, duart e konsumatorëve janë plot me çanta të ndryshme me veshje të reja. Disa dyqane madje kanë marrë masën e mbajtjes së radhës për të kufizuar fluksin e klientëve. Në disa qendra tregtare në rrugën “Guanqian” të këtij qyteti, shumë biznese kanë nisur aktivitetin e uljes së çmimit, dhe rrobat e dimrit e pajisjet e ngrohjes shiten shumë mirë.
Huang Luqin, menaxhere e një dyqani veshjesh, thotë: “Meqë dyqani është plot me njerëz, e kemi shtyrë orarin e mbylljes në orën 23:00. E mbarojmë punën vonë.”
Për të forcuar besimin e tregut dhe për të çliruar më tej gjallërinë e tregut, departamenti i tregtisë i qytetit Nankin dhe disa platforma të pagimit digjital nisën “planin e dyqaneve të vogla” dhe u ofruan bizneseve të vogla pajisje inteligjente. Falë dhënies konsumatorëve kuponë, që mbulojnë sektorët e udhëtimit, hotelerisë, mallrave të konsumit me lëvizje të shpejtë, shitjes me pakicë etj., më shumë biznese po marrin pjesë në këtë veprimtari. Njëkohësisht, departamentet përkatëse kanë marrë masa të ndryshme, si ulja e qirasë dhe ndihma me financim, për të ndihmuar rigjallërimin e bizneseve të vogla.
Pronari i një dyqani makaronash në qytetin Nankin, Ruan Mingjie, tha: “Ndihet dukshëm që biznesi është mëkëmbur. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë në vitin e ri, dhe biznesi ynë të ecë edhe më mirë.”
Në një qendër të madhe tregtare në qytetin Yulin të provincës Guangxi, në prag të Vitit të Ri Kinez, bizneset kanë nisur veprimtari të ndryshme promovimi. Përpara shumë dyqaneve janë vënë njoftime për uljen e çmimeve, të cilat tërheqin shumë klientë. Në supermakete ka furnizme të mjaftueshme të perimeve, frutave, drithërave, vajrave etj. dhe konsumatorët zgjedhin produktet e tyre të parapëlqyera. Qendrat tregtare të qytetit Yulin gjithashtu nisën ofertat në internet, për të nxitur më tej konsumin.