Mirilda Tili: Në tokë duhet të kultivojmë zemrën për ta bërë më të pastër
2023-01-06 12:30:12

Mirilda Tili, është një grua në karrierë dhe tepër e përkushtuar në jetën e saj familjare. Prej vitesh ajo ndjek fushën e ekonomisë në gazetari duke i mëshuar fort informimit publik dhe atij cilësor. Aktualisht gazetare dhe autore e programit të saj mbi ekonominë  në televizionin Fax News. Mirilda zgjohet çdo ditë me këtë mision. Vitet e fëmijërisë ajo i kaloi në Korçë, ndërsa për studimet e larta u zhvendos në Tiranë.  Në aplikimet e saj për gazetari në vitin e pare ajo nuk fitoi dhe për këtë bëri një pushim 1vjeçar për t'iu rikthyer studimeve sërish. Gjatë këtij viti, mori një eksperiencë të bukur në mediat lokale të qytetit të Korçës. Në korrik të vitit 2017 ajo u diplomua për gazetari.  Mirilda ka udhëtuar në shumë vende të botës dhe mendon se:" Jeta është një udhëtim i gjatë, ku ti zgjedh destinacionet më të bukura për të qëndruar". 

Duke qenë se  ka punuar që në moshën 16- vjeçare, ajo mendon se gjysma e jetës është e lidhur me punën.

CMG: Të gjithë ne jemi produkt i mendimeve. Çfarë të vjen në mendje për veten që do doje ta ndaje me të tjerët , kush je ti përballë vetvetes?

Mirilda Tili: Unë i them vetes së pari që jam një profesioniste që e dua këtë gjë që bëj. Është shumë e rëndësishme ta duash atë që bën. Një nga parimet e mia është që të fus si praktikë pune praktikën japoneze. Për momentin e ushtroj profesionin e ekspertes së komunikimit dhe uroj që këtë mision ta dërgoj deri në fund. Nuk e perceptioj dot veten ndryshe përtej gazetarisë së terrenit. Me shaka i kam thënë vetes gjithmonë që kur të më dalin thinjat në flokë do jem e gatshme të them "Po e kam mbyllur ciklin si gazetare terreni".

Aktualisht thinjat në flokët e mia janë të shumta, por unë nuk dua dhe nuk kam për ta mbyllur ciklin e gazetarisë në terren. Në terren e kam nisur dhe aty do ta mbyll.

CMG: A jeni e lumtur?

Mirilda Tili: Po! Kjo pyetje më pëlqen dhe më jep ndjesi të mirë për t'iu përgjigjur. Unë jam shumë e lumtur dhe ndihem e tillë në disa aspekte. Profesionalisht ndihem e plotësuar dhe e arritur, ndërsa në familje gjithashtu.

Kam kaluar edhe unë vështirë e mia. Por  në këto momente që ndodhem e them me bindje  që çdo sfidë që ka ardhur ka qenë për një qëllim më te madh dhe më të mirë.

Jeta është një lumë vështirësish që t'i duhet të lundrosh mbi të pa humbur drejtpeshimin. Zgjimet e mia në mëngjes janë plot. Shoh fëmijët dhe kuptoj jetën dhe rëndësinë e saj.

CMG:Si i kujton vitet e femijerise?

Mirilda Tili: Të jem e sinqertë unë nuk mbaj mend shumë gjëra dhe momente nga fëmijëria. Jemi rritur me limite, unë kujtoj që kemi dashur shumë të kemi një televizor për të parë programe për fëmijë, por në atë kohë as televizor dhe as programe nuk ka pasur. Ndoshta çështje fati ose nuk e di, unë kam pasur pranë shtëpisë një bibliotekë shumë të dashur. Aty kaloja një kohë të gjatë dhe lexoja tekste e libra pafund. Jemi rritur me frymën e bibliotekave të lagjeve.

Ka qenë kjo arsyeja që u bëmë fëmijë më të lumtur dhe më të zgjuar . Kujtoj që në fëmijëri ne bënim gara se kush do ta përfundonte librin i pari së lexuari, apo edhe lojërat në sokakët e Korçës, lagjet e bukura me kalldrëm.

Këmbët dhe duart kanë qenë gjithmonë te gërvishtura dhe shumicën e kohës unë gjatë pushimeve të verës shkoja në fshat e kaloja atje kohën e lirë.

Jeta e fshatit më mbushte me jetë dhe do doja që edhe fëmijët sot të harxhojnë më shumë kohë me natyrën , kafshët dhe fshatin.

CMG: Cilat janë mësimet që ju ka dhënë jeta ?

Mirilda Tili: Janë shumë, shumë shumë ... Sepse në momente të caktuara ndodhin ngjarje apo episode të ndryshme. Ne nuk e njohim veten dhe kufirin e vetes deri në momentin që përballemi me disa cilësi që as vetë nuk e dinim që i kishim.

Mësimi i parë që të sjell jeta në momente të vështira është se: "Jeta vjen vetëm njëherë dhe duhet përdorur në mënyrën më të mirë të mundshme".

Është shumë e rëndësishme të kemi një jetë të shëndetshme dhe moralshme në tokë. Këtu në tokë ne duhet të kultivojmë zemrën, duke e bërë atë më të pastër.

CMG: A mund të shkojmë një ditë me rutinën tuaj, na rrëfeni si është ajo ?

Mirilda Tili: Nuk di nga t'ia nis, por përpara se të tregoj rutinën time unë dua t'iu tregoj një histori. Para disa kohësh u sëmura dhe mezi e mora veten. E gjithë kjo erdhi prej pagjumësisë. Por jo vetëm unë si natyrë dua të bëj disa gjëra njëkohësisht. Kur shkova tek mjeku më pyeti se çfarë bëja saktësisht gjatë ditës për të bërë dhe ai llogaritë e tij në mjekësi. Unë nisa t’i tregoj për javën dhe ai më ndalon dhe thotë:- Prit! Nuk të thashë të më tregosh për javën, por për ditën”...

Pas atij momenti receta ishte "Pushim absolut".

Sigurisht unë e mora veten, por dita ime vijon të jetë njësoj. Shumë e angazhuar.

Mund të ndodhë që takoj çdo ditë mbi 25 njerëz. Janë këto çmenduri të karrierës që të vendosin përballë përgjegjësive të këtij lloji .

CMG: A jeni produkt i fatit apo punës ?

Mirilda Tili: Me bindje të plotë mund të them që jam duke jetuar jetën që nuk kam ëndërruar kurrë. Unë nuk bëj pjesë tek femrat karrieriste dhe kur them jetën e ëndrrave nuk kam parasysh profesionin, por kam thjesht jetën time familjare.

Partneri im në jetë erdhi dhe më tregoi që femra, gruaja ka një rëndësi të madhe në familje, duke më nxjerrë jashtë çdo kornize, e cila ishte ndërtuar në kokën time. Ai e ka bërë jetën time më të bukur dhe më ka ndihmuar të besoj në fat !

Më suporton maksimalisht që unë të jem e qetë dhe të jap dashuri pa kushte tek vetja, ata apo dhe në profesionin tim.

CMG: Sa kohë të është dashur të ndërtosh balancat mes jetës profesionale dhe familjare?

Mirilda Tili: Shumë pak kohë sepse kam kuptuar që nëse ke një komunikim të qetë dhe të qartë me partnerin balancat vijne krejt natyrshëm. Nuk të duhet të sforcohesh, por partneri mund të të kuptojë dhe të balancon jetën duke të lehtësuar përgjegjësitë.

CMG: Cilat janë parimet e tua më të forta në jetë ?

Mirilda Tili : E kam të thjeshtë: Duaj jetën, kombin, familjen dhe veten!

Intervistoi : Megi Latifi