Fundvitin që lamë pas u realizua një aktivitet për nder të volejbollistes së ekipit të Krutjes Vjollca Llupo Qose, e cila ka luajtur për 22 vite volejboll që nga viti 1978- 2002. Në vitin 1978 ajo ka qenë lojtare e ekipit të të rejave, dhe në vitet 1979- 1980 ka qenë kampione me të rejat. Nga viti 1980 - 2002 Vjollca ka qenë lojtare e ekipit të të rriturave. Në vitin 1983 ka qenë anëtare e ekipit kombëtar në aktivitetin miqësor zhvilluar në Algjeri. Gjatë kësaj periudhe në vitet 1984 - 1986 Vjollca Llupo Qose, ka qenë fituese e anketës "5 sportistët më të mirë të qytetit të Lushnjes". Në vitin 1985 ajo mori titullin "Mjeshtre Sporti" akorduar nga Federata Shqiptare e Volejbollit. Gjatë karrierës sportive Vjollca ka fituar 4 herë titullin kampion kombëtar, 3 herë titullin kampion i Shqipërisë dhe 3 herë fitues i superkupës së Shqipërisë. Në vitin 1994 ka qenë pjesmarrëse në Kampionatin Europian zhvilluar ne Poloni. Nga viti 1998- 2002 ka luajtur në formacion së bashku me dy vajzat e saj Gentën dhe Albën, të dyja lojtare të ekipit kombëtar të të rejave. Nga viti 2000 e deri më sot Vjollca vazhdon të jetë aktive, si trajnere e ekipit të të rejave në qytetin e Lushnjes, si dhe për 40 vjet mësuese e edukimit fizik.
Për nder të saj Shoqata Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël me President Adriatik Gegën organizoi një aktivitet në Krutje të Lushnjes në respekt të kontributit të dhënë në fushën e volejbollit, ku ishin të ftuar shumë personalitete si, nënkryetari i Bashkisë së Lushnjes Elton Korreshi, deputetja Lindita Buxheli e të ftuar të tjerë.
E ftuar në Radio Ejani volejbollistja, “Mjeshtre e Sportit” Vjollca Llupo, ndan me ne emocionet e këtij aktiviteti kushtuar figurës së saj si një model suksesi, e cila ka arritur të luajë në volejboll edhe me dy vajzat e saj Genta dhe Alba.
CMG: Përshëndetje Vjollca! Le të ndalemi në vitin 1978 atëherë kur ju keni qenë lojtare e ekipeve të reja.
Vjollca Lupo: Kam kënaqësinë që të flas për aktivitetin tim, për ekipin e volejbolit që e kam nisur që në vitin 1978, në kushtet kur ekipi i volejbollit në atë kohë ishte i porsa formuar edhe përfaqësonte ekipin Traktori të Lushnjes. Për një vit unë kam luajtur me ekipin e të rejave, e më pas në kategorinë e dytë, ku dola direkt në ekipin e të rriturave. Përsëri me ekipin e të rejave dhe në vitin 1980 ku jemi shpallur ekip kampion, ku për herë të parë në Krutje merrej një trofe i tillë, titulli kampion për të reja i Ekipit “Traktori”.
CMG: Në fundin e vitit 2022 u organizua ky aktivitet kushtuar kontributit që ju keni dhënë për Krutjen, Lushnjen por edhe gjithë Shqipërinë në fushën e volejbollit. Si u ndjetë në këtë aktivitet?
Vjollca Llupo: Më vjen mirë që më bëhet kjo pyetje sepse kam një aktivitet shumë të gjatë si sportiste, por edhe trajnere e ekipit të volejbollit të të rejave të qytetit të Lushnjes. Në këtë aktivitet kisha një emocion shumë të madh. Vlerësimi ishte nga të gjithë pjesëmarrësit, por dhe nga Adriatik Gega, i cili bëri të mundur zhvillimin e kësaj kupe.
CMG: U ndanë disa çmime, ndër to edhe “Lojtarja më e mire” ku ju dha fanella juaj Vjollca Llupo, Topi Vjollca Llupo për vendin e dytë, dhe çmimi i parë që mori trofeun kupën për shkollën 18 Tetori. Çfarë mund të na tregoni për këto çmime dhe eksperiencën që keni më të rejat e dy ekipive të vajzave të volejbollit që u përballën në këtë aktivitet?
Vjollca Lupo: Fanellën me nr 6 që unë kam mbajtur ishte hera e dytë që e jepja, sepse herën e parë kur unë kam lënë sportin ja kam dorëzuar vajzës time dhe tani ishte hera e dytë dhe emocionet ishin të papërshkrueshme. Kur shihja ato vajza që luanin me aq dëshirë dhe përkushtin, duke ditur që sot ishte dhe kupa me emrin e trajneres së tyre.
CMG: Në këto momente që flasim ju shoh të emocionuar. Ju erdhi ndërmend koha kur ju vetë keni luajtuar dikur me ekipin e të rejave?
Vjollca Lupo: Atë ditë kur janë përballur dy shkollat, kisha edhe trajnerin tim të parë Josif Gjermeni. Në ato momente kujtuam fillimin e volejbollit dhe mësimin e gjithë atyre elementëve teknikë se si i kemi përdorur ne në atë kohë dhe si luajnë këto vajza sot. Një kënaqësi e paparë, kur mu kujtua koha ime kur luaja volejboll.
CMG: Në atë kohë ka patur më tepër vështirësi dhe përpos tyre keni triumfuar.
Vjollca Lupo: Unë mbaj mend që ne kemi luajtur në një fushë që ishte edhe me baltë kur binte shi, por dëshira ime dhe e shoqeve të mia nuk mungonte për t’u stërvitur edhe në kushte të vështira. Ne ndeshjet i bënim në fushë me qymyr në Lushnje, bënim aktivitetin, ndeshjet dhe aty vinin të gjitha ekipet e Shqipërisë. Dhe në fund të ndeshjes ne ishim të gjitha të lyera me qymyr. Ndërsa sot këto vajza nuk e imagjinojnë dot, kanë komoditetin më të madh dhe nuk e mendojnë dot atë punë që ne kemi bërë në atë kohë.
CMG: Cili është ndryshimi nga periudha kur keni luajtur në ato fillime me ditët e sotme? A ka patur më shumë dashuri për sportin atëherë se sot?
Vjollca Llupo: Në atë kohë ishte dëshira shumë e madhe për të punuar në grup dhe për të mos munguar asnjë ditë në stërvitje, ndërsa sot jo se nuk kanë dëshirë, por pjesa më e madhe e vajzave janë të zëna edhe me kurse jashtë stërvitjes dhe prezenca është e pakët. Por të mësuarit e elementëve teknikë dhe taktikë duke munguar në stërvitje, mund të sjellë ato që unë përmenda.
CMG: Mendoni se ka vajza që në të ardhmen mund të ecin në gjurmët tuaja?
Vjollca Llupo: Tek ekipi që drejtoj sot, por edhe tek ekipi që kam drejtuar gjithë këto vite, kanë nxjerrë vajza që kanë qenë lojtare të formacionit të ekipit kombëtar të të rejave. Madje vajzat që unë kam stërvitur janë pjesë e ekipit të Krutjes së Lushnjes sepse trajnerja e ekipit të Krutjes për të rritur dhe unë e ekipit të të rejave, kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe e ndihmojnë njëra- tjetrën për çdo gjë që na duhet. Dhe ajo i rradhit vajzat e mia njësoj si vajzat që rradhit vetë. Edhe sot në ekipin e Krujtjes luajnë tre vajza nga ekipi i Lushnjes.
CMG: Çfarë do shtonit së fundi?
Vjollca Llupo: Se fundi do shtoja si për vajzat që luajnë në Krutje si ato që luajnë në Lushnje do u thoja që të kenë më shumë dëshirë për sportin, të aktivizohen sa më shumë, të jenë dashamirëse dhe i uroj këtyre të rejave suksese në çdo fushë në sport por edhe në jetë.
Shoqata Kombëtare në Mbështetje të Grupeve Vulnerabël me President Adriatik Gegën, ku bashkë me ideatoren Etleva Rrapa, organizuan në fundvitin e kaluar një ndeshje volejbolli, finalen mes dy shkollave “18 Tetori” Lushnje dhe shkolla “Dituria” në Krutje, në nder të figurës së volejbollistes Vjollca Llupo. Fitues i Kupës doli ekipi i shkollës “18 Tetori” Lushnje, si dhe ju akordua trajneres Llupo, Certifikata e Mirënjohjes “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Për kontributin e vyer për zhvillimin e volejbollit në Shqipëri”.
Intervistoi: Sava Lena